Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

1 Pjetrit 5:6, 7—«Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, . . . gjithë merakun tuaj hidheni mbi të»

1 Pjetrit 5:6, 7—«Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, . . . gjithë merakun tuaj hidheni mbi të»

 «Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur, ndërsa hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai merakoset për ju.»—1 Pjetrit 5:6, 7, Përkthimi Bota e Re.

 «Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.»—1 Pjetrit 5:6, 7, Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

Kuptimi i 1 Pjetrit 5:6, 7

 Me këto fjalë, apostulli Pjetër i siguron të krishterët se mund t’i luten me besim Perëndisë për problemet dhe gjërat që i shqetësojnë. Zoti i vlerëson të përulurit dhe do t’i shpërblejë me bollëk.

 «Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë.» Në Bibël, shprehja dora e Perëndisë shpesh i referohet aftësisë së tij për të shpëtuar e për të mbrojtur. (Eksodi 3:19; Ligji i përtërirë 26:8; Ezdra 8:22) Të krishterët e përulin veten nën dorën e Perëndisë kur mbështeten plotësisht tek Ai. Ata i pranojnë kufizimet e tyre dhe e dinë se nuk i përballojnë dot sprovat me forcat e veta. (Proverbat 3:5, 6; Filipianëve 4:13) Kanë besim se Perëndia ka fuqi të veprojë në dobinë e tyre në kohën e duhur dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.—Isaia 41:10.

 «Që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur.» Ata që qëndrojnë me durim nën sprova, mund të jenë të sigurt se në fund Perëndia do t’i lartësojë, pra, do t’i shpërblejë. Ai nuk do t’i lejojë adhuruesit e tij të sprovohen pa fund ose përtej asaj që mund të mbajnë. (1 Korintasve 10:13) Përkundrazi, nëse vazhdojnë të bëjnë atë që është e mirë, Ai pa diskutim që do t’i shpërblejë «në kohën e duhur».—Galatasve 6:9.

 «Ndërsa hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai merakoset për ju.» Të krishterët mund t’ia hedhin Perëndisë të gjitha ankthet, duke iu lutur me përulësi. Një vepër referimi shpjegon: «Folja hedh nënkupton përpjekje të forta për ta larguar diçka nga vetja. Ajo përshkruan një veprim të qëllimshëm.» Kur një i krishterë ia hedh Perëndisë ankthet, mund të ndihet më i lehtësuar dhe të përjetojë atë që Bibla e quan «paqja e Perëndisë». (Filipianëve 4:6, 7) Ai mund të jetë i sigurt se Perëndia do që ta ndihmojë, sepse e di se Ai merakoset për të dhe mund të përdorë fuqinë e tij të pashtershme që ta mbështetë.—Psalmi 37:5; 55:22.

Konteksti i 1 Pjetrit 5:6, 7

 Me kapitullin 5 mbyllet letra e parë që apostulli Pjetër u shkroi të krishterëve. (1 Pjetrit 1:1) Njësoj si sot, edhe dishepujt e Krishtit në atë kohë u përballën me vështirësi të ndryshme që ua sprovuan besimin e që mund t’u kenë shkaktuar shumë ankth. (1 Pjetrit 1:6, 7) Duke njohur vështirësitë tyre, Pjetri u shkroi një letër të ngrohtë e zemërdhënëse aty nga vitet 62-64 të e.s.—1 Pjetrit 5:12.

 Në fund të letrës së tij, Pjetri u shkruan një përkujtues që u jep forcë atyre që hasin sprova për shkak të besimit. Nëse mbeten të përulur dhe mbështeten te Perëndia, mund të jenë të sigurt se Ai do t’i ndihmojë të qëndrojnë të patundur. (1 Pjetrit 5:5-10) Fjalët e Pjetrit inkurajojnë të gjithë të krishterët që po përndiqen.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të 1 Pjetrit.