Çfarë thotë Bibla për të dhjetat?
Përgjigjja e Biblës
Perëndia i urdhëroi izraelitët e lashtë që të dhuronin një të dhjetën a e të ardhurave vjetore për të mbështetur adhurimin e vërtetë. Ai u tha: «Duhet të jepni patjetër të dhjetën e të gjithë të mbjellave që jep ara vit për vit.»—Ligji i përtërirë 14:22.
Urdhri për të dhjetën ishte pjesë e Ligjit të Moisiut, një kod ligjor që Perëndia ia dha Izraelit të lashtë. Të krishterët nuk janë nën detyrimin e këtij Ligji, ndaj nuk u kërkohet të japin të dhjetën. (Kolosianëve 2:13, 14) Ama, çdo i krishterë mund të kontribuojë financiarisht «si ka vendosur në zemër, jo me pahir a me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar».—2 Korintasve 9:7.
E dhjeta në Bibël—Dhiata e Vjetër
E dhjeta përmendet shumë herë në atë pjesë të Biblës që njihet si Dhiata e Vjetër, kryesisht pasi Izraeli mori kodin ligjor (Ligjin e Moisiut) nëpërmjet Moisiut. Megjithatë, e dhjeta përmendet edhe para kësaj periudhe.
Para Ligjit të Moisiut
Abrami (Abrahami) është i pari i dokumentuar në Bibël që ofroi të dhjetën. (Zanafilla 14:18-20; Hebrenjve 7:4) Me sa duket ia dha të dhjetën si dhuratë mbretit-prift të Salemit vetëm një herë. Në Bibël nuk tregohet në asnjë vend tjetër se Abrahami ose fëmijët e tij ta kenë përsëritur këtë veprim.
I dyti që përmendet në Bibël është Jakobi, nipi i Abrahamit. Ai u zotua se, nëse Perëndia do ta bekonte, do t’i jepte «të dhjetën e çdo gjëje» që do të merrte. (Zanafilla 28:20-22) Sipas disa studiuesve të Biblës, ka të ngjarë që Jakobi ta ketë paguar të dhjetën me flijime në kafshë. Edhe pse Jakobi e mbajti zotimin, nuk e detyroi familjen e tij të jepte të dhjetën.
Nën Ligjin e Moisiut
Perëndia i urdhëroi izraelitët e lashtë të jepnin të dhjetën për të mbështetur veprimtaritë fetare.
E dhjeta mbështeste shërbëtorët fetarë në kohë të plotë, pra levitët ku përfshiheshin edhe priftërinjtë, të cilët s’kishin tokë që ta kultivonin. (Numrat 18:20, 21) Levitët që s’ishin priftërinj, e merrnin të dhjetën nga populli. Pastaj, pjesën më të mirë, «të dhjetën e së dhjetës», ua dhuronin priftërinjve.—Numrat 18:26-29.
Duket se në Ligjin e Moisiut kërkohej edhe një e dhjetë tjetër vjetore, nga e cila përfitonin si levitët, edhe ata që s’ishin levitë. (Ligji i përtërirë 14:22, 23) Ajo u shërbente familjeve izraelite gjatë festave të veçanta. Në vite të caktuara u jepej më të varfërve që të kishin ushqim.—Ligji i përtërirë 14:28, 29; 26:12.
Si përllogaritej e dhjeta? Izraelitët vinin mënjanë të dhjetën e asaj që prodhonte toka gjatë një viti. (Levitiku 27:30) Nëse zgjidhnin ta paguanin të dhjetën në pará në vend se në prodhime, atëherë këtë vlerë do ta rritnin me 20 për qind. (Levitiku 27:31) Duhej të jepnin edhe ‘të dhjetën e bagëtisë së imët dhe të trashë’, që me sa duket ishte një e dhjeta e bagëtisë që i shtohej kopesë.—Levitiku 27:32.
Që të llogaritnin të dhjetën e bagëtive, izraelitët i numëronin kafshët ndërsa dilnin nga vatha dhe zgjidhnin një nga çdo dhjetë prej tyre. Ligji thoshte se ata nuk duhej t’i kontrollonin e as t’i shkëmbenin ato që kishin përzgjedhur. Madje, as mund t’i këmbenin me para. (Levitiku 27:32, 33) Megjithatë, e dhjeta e dytë që jepej për festat e përvitshme, mund të paguhej edhe në para. Kjo ua lehtësonte punën izraelitëve që duhej të bënin goxha rrugë për te vendi i festës.—Ligji i përtërirë 14:25, 26.
Sa herë duhej të jepnin të dhjetën izraelitët? Çdo vit. (Ligji i përtërirë 14:22) Megjithatë, çdo 7 vjet bëhej një përjashtim. Ai vit ishte sabat, ose vit pushimi, gjatë të cilit izraelitët nuk mbillnin asgjë. (Levitiku 25:4, 5) Prandaj, atë vit nuk mblidhej e dhjeta gjatë kohës së korrjes. Në fund të çdo viti të tretë dhe të gjashtë të ciklit shtatëvjeçar të Sabatit, të dhjetën e dytë izraelitët e ndanin me të varfrit dhe me levitët.—Ligji i përtërirë 14:28, 29.
Si ndëshkoheshin kur nuk paguanin të dhjetën? Ligji i Moisiut nuk parashikonte ndëshkime për mospagimin e të dhjetës. Ky ishte një detyrim moral. Izraelitët duhej të deklaronin para Perëndisë se e kishin paguar të dhjetën, pastaj të kërkonin bekimin e tij ngaqë i ishin bindur. (Ligji i përtërirë 26:12-15) Për Perëndinë, të mos paguaje të dhjetën, ishte si ta grabitje.—Malakia 3:8, 9.
A ishte barrë e rëndë të paguhej e dhjeta? Jo. Perëndia u premtoi izraelitëve se do t’i bekonte bollshëm dhe se nuk do t’u mungonte asgjë nëse do të sillnin të dhjetën. (Malakia 3:10) Nga ana tjetër, kombi vuante kur nuk paguante të dhjetën. Perëndia nuk i bekonte dhe ata s’përfitonin dot nga shërbimet e levitëve dhe të priftërinjve, meqë ishin lënë pas dore.—Nehemia 13:10; Malakia 3:7.
E dhjeta në Bibël—Dhiata e Re
Kur Jezui ishte në tokë, e dhjeta vazhdonte të ishte kërkesë për adhuruesit e Perëndisë. Sidoqoftë, kjo kërkesë u shfuqizua pas vdekjes së tij.
Gjatë kohës së Jezuit
Në atë pjesë të Biblës që njihet gjerësisht si Dhiata e Re, thuhet se izraelitët e paguanin të dhjetën kur Jezui ishte në tokë. Ai e pranoi se duhej ta paguanin të dhjetën, por i dënoi krerët fetarë që i bindeshin me përpikëri këtij urdhri dhe ndërkohë ‘shpërfillnin çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë’.—Mateu 23:23.
Pas vdekjes së Jezuit
E dhjeta nuk ishte më një kërkesë pas vdekjes së Jezuit. Vdekja flijuese e Jezuit e shfuqizoi Ligjin e Moisiut, ku përfshihej edhe urdhërimi ‘për të mbledhur të dhjetat’.—Hebrenjve 7:5, 18; Efesianëve 2:13-15; Kolosianëve 2:13, 14.
a E dhjeta nënkupton «një të dhjetën e të ardhurave që dikush e vë mënjanë për një qëllim të caktuar. . . . Në Bibël, zakonisht e dhjeta lidhet me një qëllim fetar.»—Harper’s Bible Dictionary, faqja 765.