Çfarë është shtrëngimi i madh?
Përgjigjja e Biblës
Shtrëngimi i madh do të sjellë ditët më të zeza që ka parë njerëzimi. Sipas profecisë biblike, do të ndodhë gjatë ‘ditëve të fundit’ ose ‘kohës së mbarimit’. (2 Timoteut 3:1; Danieli 12:4, Diodati i Ri) Do të jetë ‘një shtrëngim i tillë, që nuk ka pasur që kur Perëndia filloi të krijonte e deri në atë kohë, dhe as që do të ketë përsëri’.—Marku 13:19; Danieli 12:1; Mateu 24:21, 22.
Ngjarjet gjatë shtrëngimit të madh
Do të shkatërrohet feja e rreme. Feja e rreme do të shkatërrohet me shpejtësi të paparë. (Zbulesa 17:1, 5; 18:9, 10, 21) Duke bërë këtë, fuqitë politike të përfaqësuara nga Kombet e Bashkuara, do të përmbushin vullnetin e Perëndisë.—Zbulesa 17:3, 15-18. a
Do të sulmohet feja e vërtetë. Një koalicion kombesh, që në vegimin e Ezekielit quhet «Gogu i vendit të Magogut», do të përpiqet të shfarosë ata që praktikojnë fenë e vërtetë. Megjithatë, Perëndia do t’i mbrojë adhuruesit e tij nga shkatërrimi.—Ezekieli 38:1, 2, 9-12, 18-23.
Do të gjykohen banorët e tokës. Jezui do të gjykojë gjithë njerëzimin dhe «do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë». (Mateu 25:31-33) Gjykimi i tij do të varet nga fakti nëse i kanë mbështetur ose jo «vëllezërit» e Jezuit, ata që do të qeverisin me të në qiell.—Mateu 25:34-46.
Do të mblidhen qeveritarët e Mbretërisë. Besnikët që janë zgjedhur të qeverisin me Krishtin do të mbarojnë jetën në tokë dhe do të ringjallen për të jetuar në qiell.—Mateu 24:31; 1 Korintasve 15:50-53; 1 Selanikasve 4:15-17.
Do të ndodhë Harmagedoni. Kjo ‘luftë e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’ quhet edhe «dita e Jehovait». (Zbulesa 16:14, 16; Isaia 13:9; 2 Pjetrit 3:12) Ata që Krishti do t’i gjykojë të padenjë, do të shfarosen. (Sofonia 1:18; 2 Selanikasve 1:6-10) Këtu futet edhe shkatërrimi i sistemit politik botëror, që në Bibël simbolizohet nga një bishë me shtatë koka.—Zbulesa 19:19-21.
Ngjarjet pas shtrëngimit të madh
Satanai dhe demonët do të lidhen. Një engjëll i madh do t’i hedhë Satanain dhe demonët «në humnerë», një gjendje joaktive e ngjashme me vdekjen. (Zbulesa 20:1-3) Në këtë humnerë Satanai do të jetë si në burg; nuk do të mund të ndikojë askund jashtë saj.—Zbulesa 20:7.
Do të fillojë Mijëvjeçari. Mbretëria e Perëndisë do të fillojë mbretërimin e saj 1.000-vjeçar, që do t’i sjellë bekime të mëdha njerëzimit. (Zbulesa 5:9, 10; 20:4, 6) Një ‘shumicë e madhe’ e panumërt do të mbijetojnë «nga shtrëngimi i madh» dhe do të shohin me sytë e tyre fillimin e Mijëvjeçarit në tokë.—Zbulesa 7:9, 14; Psalmi 37:9-11.
a Në librin e Zbulesës, feja e rreme quhet në mënyrë figurative Babilonia e Madhe, ‘prostituta e madhe’. (Zbulesa 17:1, 5) Bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur, që shkatërron Babiloninë e Madhe, është simbol i organizatës që ka për qëllim të bashkojë e të përfaqësojë kombet e botës. Nisi si Lidhja e Kombeve, ndërsa tani quhet Organizata e Kombeve të Bashkuara.