Çfarë thotë Bibla për zemërimin?
Përgjigjja e Biblës
Bibla mëson se zemërimi i pakontrolluar është i dëmshëm, si për personin që e ushqen atë, edhe për të tjerët përreth tij. (Proverbat 29:22) Edhe pse ndonjëherë zemërimi mund të jetë me vend, Bibla thotë se ata që vazhdojnë të kenë ‘shpërthime zemërimi’, nuk do të shpëtojnë. (Galatasve 5:19-21) Në Bibël gjejmë parime që mund ta ndihmojnë dikë ta mbajë nën kontroll zemërimin.
A është gjithmonë i gabuar zemërimi?
Jo. Në disa raste, zemërimi është i justifikuar. Për shembull, Nehemia, një burrë besnik, ‘u zemërua shumë’ kur mori vesh se disa bashkadhurues po shtypeshin nga të tjerët.—Nehemia 5:6.
Ndonjëherë Perëndia zemërohet. Për shembull, kur kombi i tij i lashtë e shkeli marrëveshjen për të adhuruar vetëm atë dhe nisi t’u shërbente perëndive të rreme, «Jehovait iu ndez zemërimi kundër» tyre. (Gjykatësit 2:13, 14) Prapëseprapë, zemërimi nuk është një cilësi mbizotëruese e personalitetit të Perëndisë Jehova. Zemërimi i tij është gjithnjë me vend dhe i mbajtur nën kontroll.—Dalja 34:6; Isaia 48:9.
Kur është i gabuar zemërimi?
Zemërimi është i gabuar kur nuk mbahet nën kontroll dhe kur është i pajustifikuar. Zakonisht, ky lloj zemërimi shfaqet nga njerëzit e papërsosur. Për shembull:
Kaini «u nxeh» kur Perëndia e hodhi poshtë dhuratën e tij. Kaini lejoi të mbushej me zemërim deri në atë pikë sa e vrau të vëllanë.—Zanafilla 4:3-8.
Profeti Jona «u nxeh» kur Perëndia u tregoi mëshirë ninevitëve. Perëndia e ndreqi Jonain, duke nxjerrë në pah se ai nuk kishte ‘të drejtë të nxehej ashtu’, dhe se duhej të tregonte dhembshuri për mëkatarët e penduar.—Jonai 3:10–4:1, 4, 11. a
Këta shembuj tregojnë se, nga papërsosmëria, «zemërimi i njeriut nuk sjell drejtësinë e Perëndisë».—Jakovi 1:20.
Si ta mbash nën kontroll zemërimin?
Dallo rrezikun e zemërimit të pakontrolluar. Disa mund të mendojnë se është tregues force të shpërthesh tërë zemërim. Faktikisht, dikush që nuk mund ta mbajë nën kontroll zemërimin, shfaq një dobësi serioze. «Njeriu që nuk e mban nën fre frymën e tij, është si një qytet me mure të çara.» (Proverbat 25:28; 29:11) Nga ana tjetër, kur mësojmë ta mbajmë nën kontroll zemërimin, tregojmë forcë të vërtetë dhe aftësi dalluese. (Proverbat 14:29) Bibla thotë: «Kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm.»—Proverbat 16:32.
Mbaje nën kontroll zemërimin para se të bësh diçka për të cilën do të bëhesh pishman. Psalmi 37:8 thotë: «Lëre zemërimin dhe largohu nga tërbimi.» Më pas shton: «Mos u nxeh, se kjo të shtyn veç të bësh keq.» Vër re se, kur ndiejmë zemërim, nuk jemi pa rrugëdalje: mund të zgjedhim të heqim dorë nga zemërimi para se ‘të bëjmë keq’. Tek Efesianëve 4:26 thuhet: «Zemërohuni, por mos mëkatoni.»
Nëse është e mundur, largohu kur fillon të zemërohesh. Bibla thotë: «Fillimi i grindjes është sikur t’u çelësh rrugë ujërave; largohu, pra, përpara se të plasë sherri.» (Proverbat 17:14) Megjithëse është e mençur që gjërat të sheshohen shpejt me të tjerët, fillimisht do të ishte e nevojshme që të qetësoheshit të dy para se t’i diskutonit gjërat me gjakftohtësi.
Merr në konsideratë faktet. «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut»,—thuhet te Proverbat 19:11. Tregohemi të mençur t’i dimë të gjitha faktet para se të nxjerrim një përfundim. Kur i dëgjojmë me kujdes të gjitha aspektet e një çështjeje, ka më pak të ngjarë të ndiejmë zemërim të pajustifikuar.—Jakovi 1:19.
Lutu për paqe mendore. Lutja të ndihmon të ndiesh ‘paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim’. (Filipianëve 4:7) Lutja është një nga mënyrat kryesore si e marrim frymën e Perëndisë, e cila mund të prodhojë te ne cilësi, si: paqja, shpirtgjerësia ose durimi dhe vetëkontrolli.—Luka 11:13; Galatasve 5:22, 23.
Zgjidhi me kujdes shoqëritë. Prirja jonë është të bëhemi si personat me të cilët shoqërohemi. (Proverbat 13:20; 1 Korintasve 15:33) Me të drejtë Bibla paralajmëron: «Mos ki shoqëri me njeriun zemërak, dhe mos u përziej me njeriun që ka shpërthime zemërimi». Pse? «Që të mos mësohesh me shtigjet e tyre dhe t’i vësh lak shpirtit tënd.»—Proverbat 22:24, 25.
a Me sa duket, Jonai e pranoi ndreqjen dhe hoqi dorë nga zemërimi, pasi Perëndia e përdori të shkruante pjesën e Biblës që mban emrin e tij.