Kalo te përmbajtja

A ishte i martuar Jezui? A kishte vëllezër e motra?

A ishte i martuar Jezui? A kishte vëllezër e motra?

Përgjigjja e Biblës

 Bibla e bën të qartë se Jezui nuk ishte i martuar, edhe pse nuk flet në mënyrë specifike për statusin e tij martesor. a Shqyrto sa vijon:

  1.   Bibla flet shpesh për familjen e Jezuit, si dhe për gratë që e shoqëruan gjatë shërbimit e që qëndruan pranë tij kur u ekzekutua, por asnjëherë nuk thotë se ka pasur një grua. (Mateu 12:46, 47; Marku 3:​31, 32; 15:40; Luka 8:​2, 3, 19, 20; Gjoni 19:25) Arsyeja më bindëse pse Bibla nuk flet për këtë çështje është se nuk ka qenë kurrë i martuar.

  2.   Për ata që qëndrojnë të pamartuar për të bërë më shumë në shërbim të Perëndisë, Jezui u tha dishepujve: «Kush mund ta pranojë këtë [beqarinë], le ta pranojë.» (Mateu 19:10-​12) Ai la modelin për ata që zgjedhin të mos martohen që t’i kushtohen më plotësisht Perëndisë.​—Gjoni 13:15; 1 Korintasve 7:​32-​38.

  3.   Pak para se të vdiste, Jezui u sigurua që të kujdeseshin për të ëmën. (Gjoni 19:25-​27) Nëse Jezui do të kishte qenë i martuar ose do të kishte pasur fëmijë, do të sigurohej që e njëjta vëmendje t’u tregohej edhe këtyre të afërmve kaq të ngushtë.

  4.   Bibla flet për Jezuin si shembull për burrat, por jo se ishte një burrë i martuar që e trajtonte gruan në mënyrë shembullore. Në vend të kësaj, thotë: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» (Efesianëve 5:​25) Nëse Jezui do të kishte qenë vërtet i martuar kur ishte në tokë, a nuk do të ishte përdorur në atë varg shembulli i tij i përsosur si bashkëshort i mirëfilltë?

A kishte vëllezër e motra Jezui?

 Po, Jezui kishte të paktën gjashtë vëllezër e motra: Jakovin, Jozefin, Simonin e Judën, si dhe të paktën dy motra. (Mateu 13:54-​56; Marku 6:3) Këta ishin fëmijë që Maria, nëna e Jezuit, kishte pasur me burrin e saj, Jozefin. (Mateu 1:​25) Bibla e quan Jezuin «të parëlindurin» e Marisë, gjë që nënkupton se pati edhe fëmijë të tjerë.​—Luka 2:7.

Mendime të gabuara për vëllezërit e Jezuit

 Për të mbështetur idenë që Maria qëndroi e virgjër tërë jetën, disa e kanë interpretuar në mënyra të ndryshme fjalën «vëllezërit». Për shembull, disa mendojnë se vëllezërit e Jezuit ishin bij që Jozefi kishte pasur nga një martesë e mëparshme. Gjithsesi, Bibla tregon se Jezui trashëgoi të drejtën ligjore të fronit mbretëror që iu premtua Davidit. (2 Samuelit 7:​12, 13; Luka 1:​32) Nëse Jozefi do të kishte pasur djem më të mëdhenj se Jezui, trashëgimtari i ligjshëm do të kishte qenë më i madhi prej tyre.

 A mund t’u referohet fjala «vëllezërit» dishepujve të Jezuit, ose ndryshe vëllezërve të tij në besim? Kjo ide bie në kundërshtim me Shkrimet, pasi Bibla thotë se për njëfarë kohe «vëllezërit e tij nuk tregonin besim tek ai». (Gjoni 7:5) Bibla bën një dallim mes vëllezërve e dishepujve të Jezuit.​—Gjoni 2:​12.

 Një teori tjetër thotë se vëllezërit e Jezuit ishin në fakt kushërinjtë e tij. Megjithatë, në Shkrimet Greke përdoren fjalë të ndryshme për «vëlla», «farefis» dhe «kushëri». (Luka 21:16; Kolosianëve 4:​10) Shumë studiues të Biblës e pranojnë se vëllezërit dhe motrat e Jezuit, ishin vërtet vëllezërit dhe motrat e tij. Për shembull, një vepër (The Expositor’s Bible Commentary) thotë: «Mënyra më e natyrshme për të kuptuar fjalën ‘vëllezërit’ . . . është se termi u referohet djemve të Marisë e të Jozefit, pra vëllezërve të Jezuit nga nëna.» b

a Në fakt, Bibla i referohet Krishtit si dhëndër, por konteksti e bën të qartë se këto referime janë në mënyrë simbolike.​—Gjoni 3:​28, 29; 2 Korintasve 11:2.

b Shih edhe The Gospel According to St. Mark, botimi i dytë, nga Vincent Taylor, faqja 249 dhe A Marginal Jew​—Rethinking the Historical Jesus, nga John P. Meier, vëllimi 1, faqet 331-​332.