Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Një pikëpamje më pozitive për tiparet që të bezdisin te bashkëshorti

Një pikëpamje më pozitive për tiparet që të bezdisin te bashkëshorti
  •   Ty të pëlqen spontaniteti; bashkëshorti yt e do gjithçka të planifikuar.

  •   Ti je tip i qetë dhe i rezervuar; bashkëshorti yt është tip ekstrovert, ose i hapur, që vdes të jetë gjithmonë me njerëz.

 A ka bashkëshorti yt ndonjë tipar që të bezdis? Nëse fiksohesh aty, kjo mund ta dëmtojë martesën. Në fakt, Bibla thotë se «kush nuk pushon së foluri për [një çështje], ndan shokët e ngushtë».—Proverbat 17:9.

 Në vend që t’i lejosh tiparet e bezdisshme të kthehen në mollë sherri mes teje dhe bashkëshortit, mund të mësosh t’i shohësh këto tipare nga një këndvështrim më pozitiv.

Në këtë artikull

 Një këndvështrim më pozitiv për tiparet që të bezdisin

 Karakteristika që të bezdis te bashkëshorti, mund të ketë lidhje me një cilësi që në fakt e admiron. Mendo për këta tre shembuj:

 «Shpesh, burri im vonohet shumë për t’i bërë gjërat ose për t’u bërë gati që të shkojë diku. Ama, po ky tipar e bën njeri të duruar—edhe me mua. Ndonjëherë ngadalësia e tij më bezdis, por njëkohësisht është pjesë e një cilësie që e dua shumë tek ai.»—Çelsa.

 «Gruaja ime i planifikon gjërat me detaje; ka nevojë të ndiejë se ka gjithçka nën kontroll, dhe kjo mund të jetë acaruese. Nga ana tjetër, vëmendja që u kushton detajeve do të thotë se nuk ia lë kurrë gjërat rastësisë.»—Kristoferi.

 «Im shoq mund të duket indiferent, dhe kjo është acaruese. Por, njëkohësisht, qetësia me të cilën i bën gjërat, është një nga cilësitë që më tërhoqi tek ai që në fillim. E admiroj aftësinë e tij për të ruajtur qetësinë edhe në situata stresuese.»—Daniela.

 Ashtu siç kuptuan Çelsa, Kristoferi dhe Daniela, shpesh pikat e forta dhe të dobëta të bashkëshortit janë thjesht aspekte të ndryshme të së njëjtës cilësi. Në këto raste nuk mund të shpërfillësh pikat e dobëta pa humbur bashkë me to edhe pikat e forta; janë dy anë të së njëjtës medalje.

 S’diskutohet, disa tipare nuk kanë aspekte pozitive. Për shembull, Bibla pranon se disa njerëz janë ‘zemërakë’, pra marrin flakë kollaj. (Proverbat 29:22) Nëse dikush nxehet kollaj, duhet të bëjë ç’është e mundur që të heqë «çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur, sharje». aEfesianëve 4:31.

 Megjithatë, kur një tipar është thjesht i bezdisshëm, ndiq këtë këshillë të Biblës: «Vazhdoni të duroni . . . njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka arsye për t’u ankuar.»—Kolosianëve 3:13.

 Veç kësaj përpiqu të dallosh aspektin pozitiv të atij tipari të bashkëshortit—aspekt që madje mund të të ketë bërë për vete në fillim. Një bashkëshort që quhet Xhozef, thotë: «Të fiksohesh te një tipar acarues, është si të kesh në dorë një diamant dhe të përqendrohesh te cepat e mprehtë në vend që të shijosh gjithë bukurinë e shkëlqimin e tij.»

 Pyetje për diskutim

 Në fillim, secili nga ju të shqyrtojë më vete pyetjet e mëposhtme. Pastaj, përgjigjet diskutojini me njëri-tjetrin.

  •   A ka bashkëshorti yt një tipar që, sipas teje, krijon tension në martesë? Nëse po, çfarë tipari?

  •   A është vërtet një e metë serioze apo është thjesht një tipar i bezdisshëm?

  •   A ka ndonjë aspekt pozitiv ky tipar? Nëse po, cilin, dhe pse e vlerëson këtë aspekt të personalitetit te bashkëshorti yt?