Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Mësoji fëmijët të jenë mirënjohës

Mësoji fëmijët të jenë mirënjohës

 Studimet tregojnë se njerëzit mirënjohës janë më të lumtur, më të shëndetshëm, i përballojnë më mirë vështirësitë dhe kanë miqësi më të forta. Studiuesi Robert Emonsi vëren se mirënjohja «e mbron dikë nga ndjenja rrënuese, si zilia, mëria, lakmia dhe zemërimi». a

 Si nxjerrin dobi fëmijët kur janë mirënjohës? Gjatë një studimi 4-vjeçar me 700 të rinj, ata që prireshin të tregonin mirënjohje, kishin më pak të ngjarë të kopjonin nëpër provime, të abuzonin me drogën e alkoolin ose të kishin probleme me sjelljen.

  •   Qëndrimi pretendues e shuan ndjenjën e mirënjohjes. Shumë fëmijë mendojnë se i meritojnë të mirat që kanë. Dhe është e vështirë të tregosh mirënjohje kur mendon se bekimi që ke, të takon, në vend që ta shohësh si dhuratë.

     Kjo prirje është kaq e zakonshme sot. Një mama që quhet Katerina, komenton se «bota të mëson se duhet të kesh gjithçka që të do qejfi. Media të bombardon me imazhe të çdo gjëje që ‘meritojmë’ dhe na nxit të jemi të parët që t’i marrim».

  •   Mirënjohja mund të mësohet që në vogëli. Një mama me emrin Kaja, thotë: «Fëmijët janë si argjilë e butë që punohet kollaj. Kur u mëson zakone të mira që kur janë të vegjël, është si të përdorësh shkopinj që ta ndihmosh bimën të rritet drejt.»

Si t’i mësosh të jenë mirënjohës

  •   Mësoji çfarë të thonë. Edhe fëmijët e vegjël mund të mësojnë të thonë faleminderit kur të tjerët u bëjnë një dhuratë ose kur bëjnë diçka të mirë për ta. Ndërsa rriten dhe piqen, dalëngadalë e çmojnë gjithnjë e më tepër bujarinë e të tjerëve.

     Parim nga Bibla: «Tregohuni mirënjohës.»—Kolosianëve 3:15.

     «Nipçes tonë trevjeçar i vjen natyrshëm të thotë ‘faleminderit’ dhe, sa herë që kërkon diçka, në fund thotë gjithmonë ‘të lutem’. Këto ia kanë mësuar prindërit. Mirësjellja dhe shprehjet e tyre të falënderimit po i mësojnë si ta tregojë mirënjohjen.»—Xhefri.

  •   Mësoji çfarë të bëjnë. Pse të mos i ndihmosh të shkruajnë kartolina falënderimi, që t’ua japin atyre që u bëjnë një dhuratë? Përveç kësaj, nëse u cakton ndonjë punë shtëpie, do t’i ndihmosh të kuptojnë sa shumë punë duhet që shtëpia të jetë një vend i rehatshëm për të gjithë.

     Parim nga Bibla: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—Veprat 20:35.

     «Të dy fëmijët tanë adoleshentë na japin një dorë duke përgatitur menunë, duke gatuar dhe duke bërë punët e shtëpisë. Kjo i ndihmon të çmojnë përpjekjet tona si prindër dhe ka shumë të ngjarë të mos i marrin për të mirëqena të gjitha këto.»—Beverli.

  •   Mësoji të kenë qëndrimin e duhur. Mirënjohja është si një bimë që lulëzon kur mbillet në tokën e përulësisë. Njerëzit e përulur e kuptojnë se kanë nevojë për ndihmë që të kenë sukses në çdo gjë që bëjnë. Pastaj, kjo i nxit t’ua shprehin mirënjohjen atyre që i ndihmuan.

     Parim nga Bibla: «Me përulësi konsiderojini të tjerët më të lartë se veten, duke mos kërkuar vetëm interesat tuaja, por edhe të të tjerëve.»—Filipianëve 2:3, 4.

     «Ndonjëherë, ndërsa hamë darkë, bëjmë një lojë që ne e quajmë ‘loja e mirënjohjes’. Secili tregon diçka për të cilën është mirënjohës. Kjo na ndihmon të mendojmë për gjëra pozitive e për të cilat jemi mirënjohës në vend se për gjëra negative apo egoiste.»—Tamara.

 Sugjerim: Lër shembullin. Fëmijët mësojnë më kollaj të jenë mirënjohës nëse ju dëgjojnë juve që i falënderoni rregullisht të tjerët dhe ata vetë.

a Nga libri Thanks! How Practicing Gratitude Can Make You Happier.