TË RINJTË PYESIN
Ç’të bëj nëse nuk përshtatem dot me të tjerët?
«Duhet të përshtatesh se s’bën, përndryshe nuk do të kesh as shokë, as të ardhme dhe jeta jote s’do të ketë kuptim. S’do të ta varë njeri dhe do të mbetesh vetëm.»—Karli.
Pak si e ekzagjeruar? Mbase. Gjithsesi, disa do të bënin gjithçka që të mos ndihen si Karli. Po ti, si do të veproje? Ky artikull të ofron alternativa më të mira.
Pse të rinjtë bëjnë çmos të përshtaten?
Nuk duan të ndihen të veçuar. «Pashë disa foto të një grupi në rrjetet sociale, që kishin dalë për qejf pa mua. S’e kuptoja pse s’më kishin thënë gjë. Më iku truri që ata nuk donin të rrinin me mua.»—Natalia.
PËR TË MENDUAR: A je ndier ndonjëherë i lënë mënjanë? A ndryshove vetëm që të të pranonin të tjerët?
Nuk duan të jenë ndryshe. «Prindërit nuk duan që të mbaj telefon. Kur shoqet më kërkojnë numrin, u them se s’kam telefon. Ato më pyesin: ‘Seriozisht! Kalama je ti?!’ Kur u them se jam 13 vjeçe, më shikojnë tërë keqardhje.»—Maria.
PËR TË MENDUAR: Cili kufizim nga prindërit të bën të ndihesh ndryshe nga të tjerët? Çfarë bën në këto raste?
Nuk duan të jenë viktimë e bullizmit. «Në shkollë nuk para i pëlqejnë ata që veprojnë e flasin ndryshe, ose që kanë një besim tjetër. Nëse bie në sy si i ndryshëm, do të jesh gjithnjë shënjestër e tyre.»—Olivia.
PËR TË MENDUAR: A të kanë ngacmuar ngaqë nuk përshtateshe dot? Si ia dole?
Nuk duan të humbasin shokët. «I shkoja pas avazit gjithkujt. Flisja si flisnin shokët dhe shoqet e mia. Qeshja vetëm për t’u bërë qejfin. Madje përfshihesha edhe unë kur vinin në lojë dikë, edhe pse e dija që lëndohej.»—Rakela.
PËR TË MENDUAR: Sa rëndësi ka për ty që t’u pëlqesh bashkëmoshatarëve? A ke dalë ndonjëherë nga vetja vetëm e vetëm që të përshtateshe?
Çfarë duhet të dish?
Kur imiton të tjerët që të të pranojnë, efekti mund të jetë i kundërt. Pse? Sepse shpesh dallohet që po kamuflohesh. Brajani, që është 20 vjeç, kujton: «Ndihesha edhe më i mënjanuar kur përpiqesha të dukesha si dikush tjetër. Mësova se është më mirë të jesh vetvetja, pasi shoqëria e kupton që po shtiresh.»
ALTERNATIVË MË E MIRË: Shqyrto përparësitë. Bibla thotë: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’ (Filipianëve 1:10) Ndaj pyet veten: «Çfarë ka më tepër rëndësi—të përshtatem me ata që s’kanë të njëjtat vlera me mua, apo të jem vetvetja?»
«Të imitosh të tjerët, s’ka pikë kuptimi. As do të të pëlqejnë më shumë dhe as do të bëhesh njeri më i mirë.»—Xhejmsi.
Përshtatja me të tjerët mund të të ndrydhë personalitetin. Do të jesh si njeri pa shtyllë kurrizore, pra do t’u shkosh të tjerëve pas fijes. Një i ri që quhet Jeremia, thotë: «Bëja çdo gjë si e si të fitoja pëlqimin e shokëve, në kurriz të reputacionit tim. Për pasojë përfundova si gur shahu në duart e tyre.»
ALTERNATIVË MË E MIRË: Në vend që të jesh si një kameleon që ndryshon ngjyrën sipas ambientit, mos i harro normat që ke dhe jeto sipas tyre. Ja pse Bibla thotë: «Mos bëj diçka vetëm se e bëjnë gjithë të tjerët.»—Dalja 23:2, Holy Bible—Easy-to-Read Version.
«Përpiqesha të pëlqeja çdo gjë që pëlqenin shoqet—muzikën, videolojërat, rrobat, programet televizive, llojet e tualetit. . . . Doja të isha si ato. Mendoj se e kuptonin që nuk isha vetvetja; po ashtu edhe unë. Ndihesha bosh, e vetmuar dhe s’po e njihja më veten. Kisha humbur identitetin. Mësova se nuk mund të përshtatesha me të gjithë, madje disa nuk do të më pëlqenin. Por kjo s’do të thotë se s’duhet të krijosh miqësi të reja. Duhet kohë të njohësh veten dhe të gjesh miq të mirë.»—Melinda.
Përshtatja me të tjerët mund të ndikojë te sjellja jote. Një i ri me emrin Kris vuri re se kështu ndodhi me kushëririn e tij. Ai thotë: «Kushëriri filloi të bënte gjëra që s’para i bënte, si për shembull, të merrte drogë vetëm që të ndihej i pranuar. U bë i varur dhe për pak sa s’e shkatërroi jetën.»
ALTERNATIVË MË E MIRË: Mos rri me ata që flasin dhe sillen në një mënyrë që i shpërfill normat e larta. Bibla thotë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.»—Proverbat 13:20
«Ndonjëherë është mirë të përpiqesh të përshtatesh. Ama, asnjëherë në kurriz të asaj që është e drejtë. Shokët e vërtetë të pranojnë për atë që je.»—Melania.
Sugjerim: Kur do që të njohësh njerëz të rinj, mos kërko vetëm ata me të cilët të hahet muhabeti. Gjej miq me të njëjtat bindje fetare, parime morale dhe etike.