TË RINJTË PYESIN
A duhet të bëj tatuazh?
Pse disave u pëlqen?
«Mendoj se disa tatuazhe janë vepra arti të mirëfillta»,—thotë një djalë me emrin Rajan.
Pikëpamja që ke për tatuazhin varet shumë nga motivi pse e bën. Për shembull, Xhiliana, një adoleshente, tregon: «Një goce në shkollën time, kur ishte e vogël, i vdiq e ëma. Prandaj, kur ishte adoleshente, bëri tatuazh emrin e së ëmës në pjesën e pasme të qafës. Për mua, një tatuazh i tillë është gjë shumë e bukur.»
Pavarësisht nga motivi, duhet ta mendosh gjerë e gjatë para se të bësh një pikturë të përhershme në trup. Çfarë duhet të marrësh parasysh para se të bësh tatuazh? Cilat parime biblike mund të të ndihmojnë të marrësh vendimin më të mirë?
Cilat pyetje duhet të bësh?
Ç’rreziqe sjellin për shëndetin? Klinika «Mejo» shprehet në sitin e saj: «Tatuazhet depërtojnë në lëkurë dhe kjo do të thotë se mund të jenë burim infeksioni ose ndërlikimesh të tjera. Ndonjëherë përreth tyre formohen gunga që quhen granuloma. Tatuazhet mund të jenë edhe shkak keloidesh, që janë fryrje të lëkurës si pasojë e zmadhimit të tepërt të shenjës së plagës.» Madje ky sit vëren: «Nëse në pajisjen që përdoret për tatuazhe ka mbetur gjak i infektuar, ka gjasa që të marrësh sëmundje të transmetueshme nëpërmjet gjakut.»
Si do të ndikonte te reputacioni yt? Të pëlqen apo jo, pamja jep një mesazh. Ajo të paraqet të rritur ose të papjekur, të besueshëm ose të papërgjegjshëm. Samanta, një adoleshente, thotë: «Sa herë shoh dikë me tatuazh, automatikisht e fus te tipat që rendin pas alkoolit e festave.»
Melania, 18 vjeçe, sheh një aspekt tjetër: «Për mua tatuazhet fshehin bukurinë natyrore. Duket sikur ata me tatuazhe nuk duan që të shohësh cilët janë vërtet, prandaj fshihen pas tatuazheve.»
A do ta kesh gjithmonë qejf? Me kalimin e kohës, tatuazhi mund të zmadhohet ose të shformohet nga shtimi në peshë ose thjesht nga plakja. Xhozefi, një i ri, shprehet: «Kam parë si duket një tatuazh pas disa dekadash, dhe nuk është ndonjë gjë e bukur.»
Aleni, një 21-vjeçar, thotë: «Tatuazhet shpesh dalin jashtë mode. Diçka që më parë kishte kuptim, pas disa vitesh mund të bëhet komplet e parëndësishme.»
Aleni ka të drejtë. Fakti është që, ndërsa vitet kalojnë, pikëpamjet, shijet dhe ndjenjat ndryshojnë, por tatuazhet jo. Një vajzë me emrin Tereza thotë: «Nuk dua të shtoj në listën e gjërave për të cilat do bëhem pishman vite më vonë një tatuazh që më kujton ndjenja budallaqe.»
Cilat parime biblike duhet të kesh parasysh?
Njeriu i pjekur peshon mirë gjithçka para se të marrë një vendim. (Proverbat 21:5; Hebrenjve 5:14) Prandaj shqyrto parimet biblike më poshtë që lidhen me temën e tatuazheve.
Kolosianëve 3:20: «Ju, fëmijë, jini të bindur ndaj prindërve në çdo gjë, pasi kjo është e pëlqyeshme në Zotërinë.»
Çfarë pasojash mund të kesh nëse jeton me prindërit, por nuk respekton drejtimin e tyre?
1 Pjetrit 3:3, 4: «Stolisja juaj të mos jetë e jashtme, domethënë gërshetimi i flokëve, vënia e stolive prej ari ose veshjet e sipërme, por le të jetë njeriu i fshehtë i zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë.»
Pse mendon se i jep kaq shumë rëndësi Bibla ‘njeriut të fshehtë të zemrës’?
1 Timoteut 2:9: «Gratë të stolisen. . . me modesti dhe mendje të shëndoshë.»
Çfarë do të thotë fjala «modesti»? Pse me kohë modestia është më tërheqëse se pikturat në trup?
Romakëve 12:1: ‘Paraqitini trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, që të bëni një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar.’
Pse ka rëndësi për Perëndinë mënyra si e trajton trupin tënd?
Duke pasur parasysh këta faktorë, shumë kanë vendosur të mos bëjnë tatuazh. Në fakt, ata kanë gjetur diçka më të mirë se tatuazhet. Tereza, që cituam më sipër, thotë: «Nëse ka ndonjë shprehje a slogan që e ke vërtet për zemër ose ndonjë person që është i rëndësishëm për ty, atëherë jeto sipas asaj shprehjeje ose thuaja personit sa rëndësi ka për ty. Në vend që të bësh tatuazh, jeto sipas asaj që beson.»