Kalo te përmbajtja

29 GUSHT 2017
RUSI

Rusia e shpall «ekstremiste» Biblën

Rusia e shpall «ekstremiste» Biblën

Më 17 gusht 2017 Gjykata e qytetit të Viborgut e shpalli «ekstremist» versionin rus të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re, një Bibël që Dëshmitarët e Jehovait e kanë botuar në shumë gjuhë. * Ky vendim shënon herën e parë që Bibla ndalohet në një vend ku shumica e popullsisë pohon se është e krishterë.

Në fund të korrikut 2017 Gjykata e qytetit të Viborgut rifilloi seancat për çështjen, e cila ishte ndërprerë në prill 2016, që të kryhej një «ekspertizë» e Biblës. Gjykatësi vendosi në favor të padisë së Prokurorit të Transportit të Leningrad-Finlandskit, që kërkoi një «ekspertizë» për Përkthimin Bota e Re, për ta shpallur «ekstremist». Pas shumë vonesave, studimi përfundoi dhe u paraqit në gjyq më 22 qershor 2017. Prej tij u arrit në konkluzionin se Bibla është botim «ekstremist». Ky studim ndoqi modelin e mëparshëm kur gjykata caktoi disa të ashtuquajtur ekspertë të analizonin botimet e Dëshmitarëve.

«Ekspertizë» e bazuar jo në fakte, por në bindje teologjike

Për të justifikuar këtë përfundim, ata që kryen studimin arritën deri aty sa pohuan që Përkthimi Bota e Re «nuk është Bibël». Ky pohim është një përpjekje për t’iu shmangur Ligjit Kundër Veprimtarive Ekstremiste, sipas të cilit librat e shenjtë, si Bibla, nuk mund të shpallen ekstremistë. Jaroslav Sivulski, përfaqësues i Shoqërisë së Krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait në Evropë, u shpreh: «Sa e sa herë autoritetet ruse e kanë keqzbatuar ligjin kundër ekstremizmit ndaj adhurimit tonë, kurse tani po përpiqen ta anashkalojnë—duke pohuar se Përkthimi Bota e Re nuk quhet Bibël, ndaj mund ta shpallin ekstremist. Ky është shembulli i radhës që tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë autoritetet ruse për të hedhur baltë mbi Dëshmitarët e Jehovait.»

«Bibla, Kurani, Tanakh dhe Kangyur—si edhe përmbajtja e tyre e citimet nga to—nuk mund të cilësohen materiale ekstremiste.»—Amendament i Ligjit Kundër Veprimtarive Ekstremiste të Federatës Ruse, neni 3.1: Aspekt i veçantë i legjislacionit të Federatës Ruse kundër veprimtarive ekstremiste kur aplikohet për tekstet fetare.

Preteksti kryesor i këtij studimi për të mbështetur pohimin se Përkthimi Bota e Re «nuk është Bibël» ishte që emri i Zotit, i cili paraqitet nga Tetragrami *, përkthehet «Jehova». Avokatët që përfaqësonin Dëshmitarët e Jehovait paraqitën prova që e hidhnin poshtë këtë arsyetim. Ata i treguan gjykatës dhjetë Bibla të tjera ruse që përdorin emrin Jehova, poezi nga Cvetaeva dhe Pushkini, libra nga Kuprini, Gonçarovi e Dostojevski dhe fragmente të tjera nga literatura klasike ruse. Gjithashtu e drejtuan vëmendjen te Bibla Makarios e shekullit të 19-të, në gjuhën ruse, botuar nga përkthyes ortodoksë, ku emri i Jehovait shfaqet mbi 3.500 herë.

Për më tepër, gjykata lejoi dy ekspertë të paraqitnin dëshmi se Përkthimi Bota e Re është një version i Biblës së Shenjtë. Në seancën që u mbajt më 9 gusht, profesor Anatolij Baranovi, * një gjuhëtar i respektuar, dëshmoi se ndryshimet në formulim midis Përkthimit Bota e Re dhe Biblës sinodale nuk nënkuptojnë se Përkthimi Bota e Re s’është Bibël. Ndryshime të tilla janë normale në përkthime të ndryshme. Që saktësia e përkthimit të një Bible moderne të vlerësohet me objektivitet, duhet të krahasohet me tekstet në gjuhët origjinale (në hebraisht, aramaisht ose greqisht) dhe jo me përkthime më të vjetra të së njëjtës gjuhë.

Gjatë seancës së 16 gushtit, Mikail Odintsovi, * studiues i fesë, dëshmoi se në thelb Përkthimi Bota e Re nuk ndryshon nga Biblat e tjera ruse dhe se është në harmoni me librat e Biblës të pranuar gjerësisht. Për sa i përket përdorimit të emrit të Perëndisë, z. Odintsov konfirmoi se emri «Jehova» është përdorur edhe nga përkthyes të tjerë rusë, përfshirë përkthyesit e Biblës sinodale, ku emri hyjnor del rreth dhjetë herë.

Ky studim pohoi edhe se Përkthimi Bota e Re nuk mund të quhet Bibël, pasi nuk e thotë specifikisht se është e tillë. Megjithatë, z. Odintsov shpjegoi se shprehjet «Shkrime» dhe «Shkrimet e Shenjta» janë më se të përshtatshme për të përshkruar Biblën.

Seanca për Përkthimin Bota e Re—Një tjetër padrejtësi që ka në shënjestër Dëshmitarët e Jehovait

Vendimi i Gjykatës së qytetit të Viborgut nuk ka hyrë ende në fuqi dhe Përkthimi Bota e Re nuk është vënë në Listën Federale të Materialeve Ekstremiste. Dëshmitarët do ta apelojnë vendimin në Gjykatën Rajonale të Leningradit brenda 30 ditëve.

Vendimi për të ndaluar Biblën që përdorin Dëshmitarët e Jehovait kur adhurojnë Perëndinë, s’është veçse padrejtësia më e fundit e një kalvari përndjekjesh të orkestruara nga shteti, të cilat vazhdojnë për më se 10 vjet. Përndjekja arriti kulmin më 17 korrik kur Gjykata e Lartë Ruse la në fuqi vendimin e mëparshëm që e shpallte të jashtëligjshme veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Ky vendim i fundit nga Gjykata e qytetit të Viborgut, tregon se Rusia po vazhdon t’i përndjekë padrejtësisht Dëshmitarët.

Tabelë kronologjike e çështjes: Rusia kundër Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re

  1. 17 gusht 2017

    Gjykata e qytetit të Viborgut pranon padinë e prokurorit për ta shpallur «material ekstremist» Përkthimin Bota e Re

  2. 9 gusht 2017

    Gjykata e qytetit të Viborgut rifillon seancën për shqyrtimin e Përkthimit Bota e Re

  3. 6 qershor 2017

    Raporti i Qendrës së Studimeve të Specializuara Socialkulturore del në përfundimin se Përkthimi Bota e Re «nuk është Bibël» dhe është botim «ekstremist»

  4. 23 dhjetor 2016

    Gjykata e Lartë e Federatës Ruse mbështet vendimet e gjykatave të shkallëve më të ulëta për të konfiskuar të gjitha Biblat e sekuestruara në korrik 2015

  5. 26 prill 2016

    Gjykata e qytetit të Viborgut urdhëron Qendrën e Studimeve të Specializuara Socialkulturore të analizojë nëse Përkthimi Bota e Re ka gjurmë «ekstremizmi»

  6. 15 mars 2016

    Bazuar në padinë e ngritur nga prokurori, në Gjykatën e qytetit të Viborgut nisin seancat për ta shpallur «ekstremist» Përkthimin Bota e Re

  7. 29 dhjetor 2015

    Gjykata e Arbitrazhit e Shën-Pjetërburgut dhe e Rajonit të Leningradit nuk pranon padinë e Dëshmitarëve kundër sekuestrimit të paligjshëm të Biblave

  8. 13 gusht 2015

    Autoritetet doganore të Viborgut vendosin të konfiskojnë ngarkesën e 13 korrikut me 2.016 Bibla, me pretekstin se mund të përmbajnë gjurmë «ekstremizmi»

  9. 14 korrik 2015

    Autoritetet doganore të Viborgut mbajnë tri kopje të Biblës për «ekspertizë» që të justifikojnë konfiskimin

  10. 13 korrik 2015

    Autoritetet doganore të Viborgut ndalojnë një ngarkesë me Përkthimin Bota e Re në rusisht

^ par. 2 Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re është botuar i plotë ose pjesërisht në më shumë se 120 gjuhë. Janë shpërndarë mbi 200 milionë kopje.

^ par. 6 Tetragrami është emri i Zotit në hebraisht, יהוה, i cili transliterohet YHWH ose JHVH dhe shfaqet afro 7.000 herë në Shkrimet Hebraike (zakonisht quhet Dhiata e Vjetër).

^ par. 7 Profesor Baranovi është anëtar i Komisionit për Certifikimin e Specialistëve të Gjuhës në Qendrën Ruse për Studime të Specializuara Ligjore dhe drejtor i Departamentit të Leksikografisë Eksperimentale pranë Institutit të Gjuhës Ruse në Akademinë Ruse të Shkencave.

^ par. 8 Profesor Odintsovi është kryespecialist dhe anëtar i Këshillit Akademik të Arkivit Shtetëror Rus të Historisë Social-Politike dhe president i Shoqatës së Studiuesve të Fesë.