Kalo te përmbajtja

Denis Kristenseni mirëpritet nga i ati dhe e motra në aeroportin Kastrup, Kopenhagë, më 25 maj 2022

25 MAJ 2022
RUSI

Denis Kristensenin e lirojnë nga burgu dhe e dëbojnë nga vendi

Denis Kristensenin e lirojnë nga burgu dhe e dëbojnë nga vendi

Irina Kristenseni duke pritur Denisin jashtë burgut nr. 3 në Lgov, Rusi, më 24 maj 2022

Më 25 maj 2022, Denis Kristenseni mbërriti shëndoshë e mirë në Danimarkë. Një ditë më parë e liruan nga një burg në Rusi dhe e dëbuan menjëherë nga vendi. Ai kaloi gjithsej pesë vjet në burgje të ndryshme.

Denisi shprehet: «Jam shumë i lumtur që dola nga burgu dhe që do të jem sërish me bashkëshorten time të shtrenjtë, Irinën. Mbështetja dhe inkurajimi nga vëllezërit anekënd botës ishin një dhuratë nga Jehovai. Lutem pa pushim për vëllezërit e motrat e guximshëm që po përndiqen dhe burgosen për shkak të besimit.»

Denisi dhe Irina gati të marrin avionin në Aeroportin e Domodjedovos në Moskë

Miqtë dhe familjarët po u japin zemër nga Shkrimet Denisit dhe Irinës, por edhe po i ndihmojnë nga ana materiale. Ata komentojnë: «Mezi presim të adhurojmë lirisht Jehovain bashkë me vëllezërit e motrat në Danimarkë.»

Denisin e arrestuan dhe e burgosën më 25 maj 2017 kur policë rusë të armatosur dhe të maskuar ndërprenë një mbledhje kongregacioni në Oriol ku ishte edhe ai. Pas kësaj, gjykata e shpalli fajtor për organizim të veprimtarive të një organizate fetare, të cilën Gjykata e Lartë Ruse e kishte shpallur ekstremiste dhe e kishte ndaluar vetëm para një muaji.

Autoritetet ruse vazhdimisht kanë deklaruar se ndalimi i vitit 2017 vlente vetëm për entet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, duke pretenduar se kjo nuk do t’u shkelte individëve Dëshmitarë të drejtën për të praktikuar besimin e tyre. Gjithsesi, burgosja e Denisit shënoi fillimin e një fushate agresive arrestimesh dhe burgosjesh të shumë Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi e Krime.

Dy vëllezër turq presin bashkë me Denisin dhe Irinën gjatë një ndalese në Aeroportin Ndërkombëtar të Stambollit, rrugës për në Danimarkë

Deri më sot, 91 vëllezër e motra janë akoma në burg. Lutemi që Jehovai të vazhdojë t’i mbështetë e ‘t’i mbajë në pëllëmbë të dorës’ këta besnikë.—Psalmi 4:3.