31 DHJETOR 2019
KILI
Vendim historik: Gjykata e Lartë e Kilit mbron të drejtat e pacientit
Më 13 dhjetor 2019, Gjykata e Lartë e Kilit hodhi poshtë vendimin e një gjykate më të ulët me 3 vota pro e 2 kundër dhe mbrojti të drejtën e një Dëshmitareje të Jehovait për të refuzuar transfuzionin e gjakut për shkak të bindjeve fetare.
Bëhet fjalë për motrën Poloni Riosi, që për disa herë rresht i ishte mohuar një ndërhyrje e domosdoshme kirurgjike, ngaqë nuk pranonte transfuzion gjaku. Prandaj, ajo plotësoi një ankesë ligjore kundër spitalit shtetëror që refuzoi ndërhyrjen. Por, më 6 gusht 2019 Gjykata e Apelit e San-Migelit vendosi kundër motër Polonisë.
Më pas motra e apeloi çështjen te Gjykata e Lartë e Kilit, dhe gjykata vendosi në favor të saj. Kjo është hera e parë që Gjykata e Lartë mbron të drejtat e pacientëve të rritur e të ndërgjegjshëm që refuzojnë disa trajtime mjekësore për shkak të bindjeve fetare. Për më shumë se 25 vjet gjykata kishte vendosur se, kur mjekët mendonin se një trajtim mjekësor do t’i shpëtonte jetën pacientit, pacienti nuk mund ta refuzonte.
Vendimi zyrtar i gjykatës thotë pjesërisht: «Pala e interesuar . . . është një paciente që prej 3 vjetësh pret të bëjë një ndërhyrje kirurgjikale, sepse dëshiron të gëzojë një shëndet të mirë. . . . [Refuzimi i transfuzionit të gjakut] nuk është arbitrar dhe as i ndalon mjekët të bëjnë punën. Zgjedhja e saj bazohet te bindjet fetare. Duhet t’i respektojmë ato, sepse pacientja ka të drejtën e lirisë së ndërgjegjes dhe të drejtën për t’u trajtuar me dinjitet. Kemi edhe më shumë arsye ta respektojmë vendimin e saj kur faktet tregojnë se ky operacion mund të kryhet pa gjak.»
Gëzohemi që vëllezërit tanë në Kili arritën këtë fitore ligjore të jashtëzakonshme.—1 Korintasve 12:26.