Përmbledhje për Eritrenë
Eritreja është vendi ku Dëshmitarët e Jehovait përndiqen më shumë se në çdo vend tjetër. Që nga viti 1993, kur Eritreja u bë shtet i pavarur, qeveria i ka burgosur, torturuar dhe përndjekur pa pushim Dëshmitarët e Jehovait. Një dekret presidencial që doli më 25 tetor 1994 shpallte se, Dëshmitarët në Eritre, duke refuzuar të marrin pjesë në aktivitetet politike apo të futen në radhët e ushtrisë, «revokojnë të drejtën e tyre për të qenë nënshtetas të Eritresë». Si pasojë, qeveria u ka mohuar Dëshmitarëve të drejtat civile bazë.
Gjithë këto vite me përndjekje dhe vështirësi i kanë shtyrë mjaft Dëshmitarë të largohen nga vendi. Ata që mbeten, janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të keqtrajtimit dhe duhet të jenë tejet të kujdesshëm lidhur me çdo aktivitet fetar. Autoritetet në Eritre kanë arrestuar e burgosur shumë Dëshmitarë gjatë viteve, disa ngaqë kanë refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, ndërsa të tjerë ngaqë kanë ndjekur mbledhjet fetare, u kanë folur të tjerëve për Biblën ose për arsye që nuk bëhen të ditura. Mes të burgosurve ka të moshuar, gra e madje ndonjëherë edhe fëmijë. Tre Dëshmitarë janë në burg prej më se 20 vjetësh. Asnjëri nuk është akuzuar zyrtarisht, nuk ka dalë para gjyqit dhe as është dënuar nga një gjykatë.
Përndjekja e Dëshmitarëve të Jehovait në Eritre ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Zyrtarë të shtetit nga Afrika, Evropa dhe nga Shtetet e Bashkuara e kanë ngritur këtë çështje pranë zyrtarëve të Eritresë, por qeveria s’ka bërë thuajse asgjë për t’u sjellë lehtësim. Po ashtu, Dëshmitarët u kanë bërë me dhjetëra kërkesa zyrtarëve të Eritresë në Asmarë që të nisin bisedimet për zgjidhjen e problemeve, por qeveria nuk pranon t’i takojë.