25 TETOR 2024
ERITRE
Tetori i 2024-s shënon 30-vjetorin e përndjekjes së egër ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në Eritre
Gjatë këtyre 30 viteve të fundit, Dëshmitarët e Jehovait në Eritre janë përndjekur egërsisht. Që nga viti 1994, autoritetet atje kanë burgosur padrejtësisht mbi 270 vëllezër e motra dhe madje i kanë torturuar për shkak të besimit. Aktualisht, 64 Dëshmitarë janë në burg, dhe asnjëri prej tyre nuk është akuzuar e as është shpallur fajtor për ndonjë krim.
Më 25 tetor 1994, presidenti i Eritresë, Isaias Afuerki, nxori një dekret për t’i hequr nënshtetësinë të gjithë Dëshmitarëve të Jehovait të lindur në atë vend. Kjo ishte përgjigjja e menjëhershme ndaj refuzimit të vëllezërve tanë për të marrë pjesë në aktivitetet politike ose për të kryer shërbimin ushtarak. Edhe pse Dëshmitarët e Jehovait kanë përjetuar njëfarë përndjekjeje edhe para vitit 1994, ky dekret presidencial e ka intensifikuar atë. Si pasojë, gjatë dekadave të fundit, qindra nga vëllezërit e motrat tona janë arrestuar e burgosur padrejtësisht, si edhe janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore.
Situata në Eritre dukej sikur po shkonte drejt përmirësimit kur, nga dhjetori i vitit 2020 deri në shkurt të 2021-shit, autoritetet liruan nga burgu 32 Dëshmitarë. Mjerisht, nuk ndodhi kështu. Më shumë se 20 Dëshmitarë i lanë në burg, madje vazhduan të arrestonin motra e vëllezër të tjerë. Pastaj, në fund të shtatorit 2024, policia bastisi një shtëpi dhe arrestoi 25 veta që ishin mbledhur paqësisht për të folur rreth Biblës. Mes të arrestuarve ishin 3 persona mbi 80 vjeç, një motër rreth 6-muajshe shtatzënë dhe 2 të mitur. Më vonë fëmijët i lanë të lirë, kurse të rriturit i transferuan në burgun «Mai-Serua».
Ata që burgosen për shkak të besimit në Eritre, i trajtojnë mizorisht dhe i lënë në kushte të tmerrshme. Vëlla Negede Teklemarijami, i cili ka kaluar 26 vjet në burg, kujton: «Na lidhnin me litarë dhe rojat e burgut na trajtonin në mënyrë barbare, na rrihnin pa mëshirë dhe na urdhëronin të bënim punë të detyruar. . . . Pritnin vetëm që . . . të vdisnim.» Mjerisht, 4 vëllezër kanë vdekur në burg si pasojë e kushteve çnjerëzore, kurse 3 të tjerë kanë vdekur pak pasi dolën nga burgu.
Edhe vëllezërit e motrat që nuk janë në burg, hasin vështirësi të mëdha. Për shembull, ngaqë nuk kanë nënshtetësinë, shumë kanë humbur punën, shtëpinë dhe mundësinë për të udhëtuar lirshëm. Disa janë dhunuar verbalisht e fizikisht nga fqinjët dhe zyrtarët, vetëm për shkak të asnjanësisë së krishterë. Gjithashtu, të rinjtë Dëshmitarë nuk i lejojnë të marrin arsimim të plotë, ngaqë qeveria u kërkon studentëve të kryejnë shërbimin ushtarak për të përfunduar shkollën.
Trishtohemi shumë që vëllezërit tanë vazhdojnë të përndiqen në Eritre. Megjithatë, jemi të bindur se Jehovai i mban në mendje të gjithë vëllezërit e motrat atje, të cilët kanë qëndruar besnikë përballë përndjekjes që zgjat prej dekadash. Si një vëllazëri e bashkuar, lutemi që ai të vazhdojë t’u japë forcë teksa përballen me «sprovat e zjarrta» të besimit.—1 Pjetrit 4:12-14.