U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer—Në Bullgari
Dëshmitarët e Jehovait në Bullgari përpiqen shumë t’u mësojnë njerëzve të vërtetën për Perëndinë dhe Fjalën e tij, Biblën. Duke filluar nga viti 2000, qindra Dëshmitarë të Jehovait nga vende të tjera janë transferuar atje për t’i ndihmuar. Çfarë vështirësish lindin kur transferohesh për të predikuar në një vend të huaj? A ia vlejnë përpjekjet? Ja si shprehen disa që janë transferuar në Bullgari.
Synimi
Dareni, që jetonte në Angli, thotë: «Gjithnjë kemi dashur të shërbejmë ku ka më shumë nevojë. Pas martesës, bashkë me gruan, Donën, u transferuam në Londër për të ndihmuar në fushën e gjuhës ruse. Disa herë bëmë plane që të shërbenim në vend të huaj, por, për arsye të ndryshme, nuk ia dolëm. Thuajse kishim hequr dorë nga kjo dëshirë, kur një vëlla na ndihmoi të kuptonim se rrethanat na kishin ndryshuar dhe se mund ta realizonim synimin tonë.» Dareni dhe Dona filluan të kërkonin një vend ku mund të transferoheshin dhe që kishte nevojë për mësues të Biblës. Në vitin 2011 shkuan në Bullgari.
Gëzimi i atyre që janë transferuar në një vend tjetër, i ka inkurajuar disa të shërbejnë në vend të huaj, ndonëse fillimisht nuk e kishin këtë synim. «Kam njohur motra të zellshme që shërbenin me gëzim në Amerikën e Jugut dhe në Afrikë,—thotë Xhada, që jetonte në Itali me të shoqin, Lukën.—Gëzimi dhe përvojat që tregonin, më bënin jashtëzakonisht përshtypje dhe më nxitën t’i vlerësoja edhe një herë synimet e mia.»
Tomasi dhe Veronika u transferuan nga Republika Çeke në Bullgari, në vitin 2015, bashkë me dy fëmijët, Klarën dhe Matiasin. Çfarë i motivoi për këtë ndryshim? Tomasi shprehet: «Kemi analizuar me vëmendje shembujt e atyre që janë transferuar jashtë shtetit, përfshirë të afërm, dhe kemi medituar rreth gjërave që kanë përjetuar. S’na hiqej nga mendja gëzimi i tyre dhe flisnim për këtë në shtëpi.» Tani kjo familje e lumtur, predikon në territorin e tyre të ri, në qytetin e Montanës, në Bullgarisë.
Linda është një tjetër Dëshmitare që ka shkuar në Bullgari. Ajo thotë: «Vite më parë, kur vizitova Ekuadorin, takova disa vëllezër e motra që ishin transferuar atje për të predikuar. Fillova të mendoja se ndoshta një ditë edhe unë mund të shërbeja ku ka më shumë nevojë.» Edhe Peteri e Nadja, një çift nga Finlanda, menduan për shembullin e mirë të të tjerëve. Ata tregojnë: «Në kongregacionin tonë kishim disa lajmëtarë me përvojë që ishin transferuar në vende të tjera për t’u mësuar njerëzve çfarë thotë Bibla. Gjithnjë flisnin me entuziazëm për vitet që kishin kaluar në këtë formë shërbimi. Thoshin se ishin vitet më të bukura të jetës.»
Planifikimi
Planifikimi i mirë është thelbësor për ata që duan të shërbejnë jashtë shtetit. (Luka 14:28-30) «Kur fillova ta mendoja më seriozisht shërbimin në një vend tjetër,—tregon Nela nga Belgjika,—u luta dhe kërkova artikuj në botimet tona që flisnin për këtë temë. I studiova dhe u përpoqa të kuptoja çfarë duhej të bëja që të përgatitesha për transferimin.»
Kristiani dhe Irmina nga Polonia, kanë më tepër se 9 vjet që jetojnë në Bullgari. Ata kanë kuptuar sa praktike ishte që, para transferimit, shërbyen në një grup të gjuhës bullgare në Poloni. Shërbimi në këtë grup u dha nxitjen e duhur dhe i ndihmoi të mësonin gjuhën. Kristiani dhe Irmina thonë: «Është e mrekullueshme të shohësh me sytë e tu si kujdeset Perëndia Jehova për ata që e vënë veten në dispozicion. Kur me gatishmëri i thua Jehovait: ‘Ja ku jam! Më dërgo mua!’, arrin të bësh gjëra që i konsideroje të pamundura.»—Isaia 6:8.
Që të përgatiteshin dhe të kursenin pará, Reto dhe Kornelia, një çift nga Zvicra, vendosën ta thjeshtonin jetën. Ata shprehen: «Një vit para transferimit, shkuam për një javë në Bullgari që të krijonim një ide si ishte jeta atje. Folëm edhe me një çift misionarësh me përvojë, të cilët na dhanë sugjerime praktike.» Reto dhe Kornelia i mbajtën parasysh sugjerimet dhe tani kanë mbi 20 vjet që shërbejnë në Bullgari.
Vështirësitë
Kush transferohet në një vend të huaj, duhet të përshtatet me rrethana e ndoshta me vështirësi të reja. (Veprat 16:9, 10; 1 Korintasve 9:19-23) Një pengesë e madhe, është gjuha. Luka, i përmendur më parë, thotë: «Gjithnjë na ka pëlqyer të komentonim me fjalët tona në mbledhjet e kongregacionit. Por, për njëfarë kohe, e kishim të vështirë të përgatitnim sikur edhe një koment të thjeshtë në bullgarisht. Komentonim si fëmijë, madje, edhe fëmijët në kongregacion komentonin më mirë se ne.»
Ravili nga Gjermania, tregon: «Mësimi i gjuhës ishte i lodhshëm, por i thosha vetes: ‘Mos e vrit shumë mendjen dhe kaloji me sportivitet gabimet.’ Nuk i konsideroj si problem vështirësitë, por si pjesë të shërbimit të shenjtë që i bëj Jehovait.»
Linda, e përmendur më sipër, thotë: «Nuk më jepet fare për gjuhë të huaja. Bullgarishtja nuk është gjuhë e lehtë, dhe shpeshherë kam menduar të heq dorë. Ndihesh vetëm kur nuk flet dot me njerëzit dhe nuk i kupton çfarë të thonë. Që ta mbaja të fortë miqësinë me Jehovait, studioja çdo gjë në gjuhën time, në suedisht. Në fund, me ndihmën e vëllezërve e të motrave të dashura, arrita ta kapërceja barrierën e gjuhës.»
Malli është një vështirësi tjetër. Ata që largohen, lënë të afërm e miq. «Në fillim ndihesha vetëm,—thotë Eva, që u transferua me të shoqin, Janisin, në Bullgari.—Prandaj flisnim rregullisht me miqtë dhe familjarët, si dhe bëmë miq të rinj këtu.»
Ka edhe vështirësi të tjera. Roberti dhe Liana, që janë transferuar nga Zvicra, tregojnë: «Ne e kishim shumë të vështirë të mësoheshim me gjuhën dhe me kulturën. Madje nuk ishim të përgatitur as për dimrin e ftohtë që bën këtu.» Megjithatë, qëndrimi pozitiv dhe sensi i humorit e kanë ndihmuar këtë çift të shërbejë me besnikëri në Bullgari këto 14 vitet e fundit.
Bekimet
Lili e rekomandon me gjithë shpirt shërbimin atje ku ka më shumë nevojë. Ajo thotë: «Kam përjetuar ndihmën e Jehovait në mënyra që s’do të ishin të mundura, po të rrija në vendin tim. Harxhoj më shumë kohë për të ndihmuar të tjerët; kështu afrohem më tepër me Jehovain dhe provoj gëzim e kënaqësi.» Ravili, bashkëshorti, është i të njëjtit mendim dhe thotë: «Kjo është jeta më e bukur. Është një mundësi unike për të njohur vëllezër e motra të zellshëm nga vende të ndryshme, kaq të aftë t’u mësojnë të tjerëve të vërtetat e Biblës. Kam mësuar jashtë mase prej tyre.»
Falë frymës vullnetare dhe gatishmërisë që kanë treguar shumë vëllezër e motra, «[lajmi] i mirë për Mbretërinë . . . predikohet në gjithë tokën e banuar». (Mateu 24:14) Ngaqë kanë treguar një frymë të tillë, Jehovai ua ka plotësuar dëshirat e zemrës dhe ua ka bërë mbarë të gjitha planet.—Psalmi 20:1-4.