«Një gjest i vogël ndershmërie»
Daniela, një Dëshmitare e Jehovait në Afrikën e Jugut, gjeti në një lokal çantën që e kishte harruar një klient. Në çantë ishte portofoli me pará dhe disa karta krediti. E vendosur t’ia kthente çantën të zotit, Daniela kontrolloi për ndonjë adresë ose numër telefoni, mirëpo gjeti vetëm emrin e një burri. U përpoq ta kontaktonte nëpërmjet bankës së tij, por më kot. Megjithatë, Daniela nuk u dorëzua. Në çantë ishte edhe një recetë mjekësore me një numër telefoni. Kur i ra numrit, u përgjigj recepsionistja e cila pranoi t’i jepte numrin e Danielës zotërisë që kishte humbur çantën.
Burri u habit kur e telefonuan nga zyra e mjekut të tij dhe i thanë se Daniela i kishte gjetur çantën e donte t’ia kthente. Kur shkoi për ta marrë, e prisnin Daniela dhe babai i saj. Ata i treguan arsyen pse kishin bërë gjithë ato përpjekje që ta gjenin. I shpjeguan që janë Dëshmitarë të Jehovait, prandaj mundohen të jetojnë në përputhje me parimet e Biblës. Ja pse bëjnë çmos të jenë gjithnjë të ndershëm.—Hebrenjve 13:18.
Ca orë më vonë, ai i dërgoi një mesazh Danielës e të atit për t’i falënderuar edhe një herë që i kthyen çantën e portofolin. Ai shkroi: «E vlerësoj jashtë mase që u munduat të më gjenit dhe ishte vërtet kënaqësi t’ju takoja. Do t’ju kujtoj me përzemërsi, sepse u treguat shumë të dashur e miqësorë. Në shenjë mirënjohjeje kam dëshirë t’ju bëj një dhuratë, se e di që bëni sakrifica për t’i shërbyer Perëndisë tuaj. Ndershmëria dhe integriteti i Danielës janë dëshmi e qartë se jeni njerëz vërtet të mirë. Edhe një herë, shumë faleminderit dhe Zoti e bekoftë shërbimin tuaj!»
Disa muaj më vonë, babai i Danielës foli sërish me këtë burrë. Ai i tregoi se kohët e fundit, teksa po bënte pazar, kishte parë përtokë një kuletë. Kur ia ktheu kuletën gruas që i kishte humbur, i shpjegoi arsyen. Më parë dikush tjetër ishte treguar i ndershëm me atë vetë. Ai tha: «Nga një gjest i vogël ndershmërie dhe mirësie lind një tjetër, dhe kjo ia përmirëson jetën të gjithëve përreth.»