Kalo te përmbajtja

Një eskortë policie për Jozefin

Një eskortë policie për Jozefin

 Nëse je një Dëshmitar i Jehovait, a e imagjinon dot veten të shoqëruar me polici teksa predikon lajmin e mirë shtëpi më shtëpi? Kjo i ndodhi Jozefit në Mikronezi, në vitin 2017. Ai dhe 3 Dëshmitarë të tjerë, po merrnin pjesë në një fushatë për të takuar banorët e ishujve të largët.

 Në mesditë, të katër Dëshmitarët mbërritën në një ishull të vogël koralor të populluar nga rreth 600 banorë. Kryeplaku i ishullit i takoi me të zbritur atje. Jozefi tregon ç’ndodhi më pas: «Kryeplaku na tha se një makinë policie mund të na shoqëronte te të gjitha shtëpitë. U habitëm nga kjo ofertë, por me respekt refuzuam. Donim t’i vizitonim njerëzit siç bëjmë normalisht në predikimin shtëpi më shtëpi.»

 Kështu që lajmëtarët u nisën në këmbë, të vendosur për të folur me sa më shumë persona. «Njerëzit ishin mikpritës dhe të interesuar për mesazhin tonë,—u shprehën Dëshmitarët.—Si rezultat, qëndruam më tepër se ç’mendonim në çdo shtëpi.»

 Më vonë, një makinë policie i kaloi dy herë pranë Jozefit dhe herën e tretë ndaloi. Polici e pyeti nëse mund ta shoqëronte në shtëpitë që ende nuk kishte vizituar. Ai kujton: «I thashë jo, por ata insistuan këtë radhë duke më thënë se kishte mbetur pak kohë për të shkuar te shtëpitë e tjera, prandaj ata do të më shoqëronin. Nuk mund t’i refuzoja pasi kisha ende goxha njerëz për të takuar. Ndërsa i afroheshim çdo shtëpie, polici më tregonte emrin e të zotit të shtëpisë dhe më thoshte se, nëse nuk dilte njeri kur të trokitja, ai do t’i binte borisë që të njoftonte të zotin e shtëpisë.

 Me ndihmën e tyre, atë ditë arritëm të vizitonim çdo shtëpi. Lamë shumë botime dhe takime për të rivizituar ata që treguan interes.»

 Polici i tha Jozefit se u kënaqën shumë që edhe atyre iu dha rasti të jepnin një lajm të mirë. Në perëndim të ditës, ndërsa Dëshmitarët largoheshin, policët i përshëndetnin të gëzuar dhe me botime nëpër duar.