Ekspeditë në lumin Maroni
Në Amerikën e Jugut, në pyjet e shiut të Amazonës, larg zhurmës e trafikut të qytetit, jetojnë njerëz nga fise, gjuhë dhe kombe të ndryshme. Prandaj, në korrik të vitit 2017, një grup me 13 Dëshmitarë të Jehovait bënë një ekspeditë në lumin Maroni dhe në degëzimet e tij lindore në Guajanën Franceze. Pse vajtën atje? Që t’u çonin mesazhin shpresëdhënës nga Bibla atyre që jetojnë përgjatë lumit.
Përgatitjet për ekspeditën
Një muaj para ekspeditës 12-ditore u mblodhën të gjithë, që të bënin planet. Uinzli sjell ndër mend: «Mësuam diçka për zonën e historinë e saj dhe diskutuam për gjërat që na nevojiteshin gjatë udhëtimit.» Secili kishte një kuti rezistente ndaj ujit ku të fuste krevatin lëkundës (hammock) dhe rrjetën për mushkonjat. Për të arritur në atë zonë, duhej të merrnin dy avionë dhe të lundronin shumë orë me kanoe.
Si u ndien ata që u ftuan për këtë fushatë? Klodi dhe Lizeta, që janë në pension, nuk e lanë këtë rast t’u shpëtonte nga duart. Klodi thotë: «Isha shumë i emocionuar, por edhe pak i frikësuar. Kisha dëgjuar goxha për rrjedhat e vrullshme dhe të rrezikshme të lumenjve.» Ndërsa Lizeta kishte hall tjetër. Ajo shprehet: «Vrisja mendjen si do t’i flisja gjuhët e indianëve të Amerikës.»
Edhe Majkëlli ndihej po njësoj. Ai tha: «Nuk dinim shumë për fisin uajana, ndaj bëra kërkime në Internet që të mësoja ca fjalë dhe përshëndetje në gjuhën e tyre.»
Shirli, që udhëtoi me të shoqin, Johanin, bëri një listë me gjuhët që fliten në atë zonë. Ajo thotë: «Shkarkuam video nga jw.org në shumë prej këtyre gjuhëve dhe gjetëm një libër të vogël me shprehje të përditshme në gjuhën uajana.»
Mbërrijnë në destinacion
Të martën, më 4 korrik, grupi mori një avion në Sent-Lorent të Maronit dhe u nis drejt Maripasulës, një qytezë thellë në Guajanën Franceze.
Gjatë 4 ditëve pasuese grupi vizitoi banorët e fshatrave përgjatë degëzimeve të lumit Maroni, me kanoe druri me motor. Rolandi, një pjesëtar i grupit, thotë: «Vumë re që indianët e Amerikës kishin goxha interes për tema të ndryshme nga Bibla. Bënin gjithë ato pyetje, madje disa donin të studionin Biblën me ne.»
Në një fshat, Johani dhe Shirli takuan një çift të ri. Kohët e fundit kushërira e tyre kishte kryer vetëvrasje. Johani shpjegon: «U treguam videon Një indian i Amerikës gjen Krijuesin. a Çifti u prek jashtë mase nga videoja, ndaj na dhanë adresën e email-it që të ruanin lidhjet me ne.»
Destinacioni më i largët ku shkuan, ishte Antakum-Pata. Kryetari i fshatit u dha leje Dëshmitarëve të lodhur të vinin hammock-ët në zonë. Madje, ata u lanë në lumë, njësoj si vendësit.
Që aty lundruan drejt fshatit Tuenka, ku banorët po vajtonin për vdekjen e një të afërmi. Një nga organizuesit e ekspeditës, Eriku, thotë: «‛Burri i Madh’, kryetari i fisit, na tha se mund të lëviznim lirisht në fshat që të ngushëllonim të pikëlluarit. Atij dhe familjes së vet u pëlqyen shumë vargjet që u lexuam nga Bibla në gjuhën uajana. U treguam edhe video që flasin për premtimin e Biblës për ringjalljen.»
Në Grand-Santi dhe Apatu
Më pas Dëshmitarët udhëtuan gjysmë orë me avion nga Maripasula në qytezën e Grand-Santit. Të martën dhe të mërkurën ata folën me vendësit për mesazhin e Biblës. Të enjten nisën një tjetër udhëtim me kanoe—5 orë e gjysmë përgjatë lumit Maroni deri në fshatin Apatu.
Ditën e parafundit skuadra vizitoi marunët, banorë të fshatrave të pyllit dhe pasardhës të skllevërve të Afrikës, që i kishin sjellë në Amerikën e Jugut kur Surinami fqinj ishte koloni. Dëshmitarët i ftuan të gjithë në një mbledhje që e mbajtën në pyll në një tendë të madhe të ngritur enkas për këtë rast. Klodi thotë: «U mbushëm me gëzim kur erdhën tërë ata njerëz. I kishim ftuar po atë ditë në mëngjes.» Karsteni, që vinte për herë të parë në një ekspeditë të tillë, mbajti një fjalim për publikun në gjuhën aukane. Fjalimi titullohej «A është kjo jetë gjithçka?» Në mbledhje erdhën 91 veta nga disa fshatra.
«Jemi gati të shkojmë përsëri!»
Në fund grupi u kthye në Sent-Lorent të Maronit. Të gjithë ishin mrekulluar nga reagimi i vendësve, të cilët morën shumë botime dhe panë tërë ato video të prodhuara nga Dëshmitarët e Jehovait.
Lizeta pohon: «Nuk di si ta përshkruaj gëzimin që ndiej pas kësaj ekspedite.» Edhe Sindi mendon po njësoj: «Po të më jepej mundësia të shkoja përsëri, çfarë s’do të bëja për këtë. Duhet ta përjetosh këtë lloj gëzimi që ta kuptosh.»
Ekspedita ndezi shkëndijën në zemrat e disave që të kthehen sërish. Majkëlli pohon: «Jemi gati të shkojmë përsëri!» Uinzli është transferuar në Sent-Lorent të Maronit. Ndërsa Klodi dhe Lizeta, të dy në të 60-at, vendosën të transferohen në Apatu.
a Këtë video e gjeni te jw.org.