Ata i vlerësuan letrat e saj
Bruku është një Dëshmitare e Jehovait që jeton në Shtetet e Bashkuara. Gjatë pandemisë së COVID-19, ajo predikonte me anë të letrave. Në fakt, shkruante shumë letra çdo javë. Mirëpo, pas një viti e gjysmë u shkurajua sepse deri në atë moment, i ishte përgjigjur vetëm një person; edhe ai për t’i thënë që të mos i shkruante më. Ndaj, Bruku mendonte që kot sa lodhej.
Megjithatë, pas ca kohësh, Kimi, një Dëshmitare që punon në bankë, i përmendi Brukut një bisedë që kishte bërë me një klient të bankës. Ky i kishte treguar se kishte marrë një letër të shkruar me shkrim dore nga një Dëshmitare e Jehovait. Doli që këtë letër e kishte shkruar Bruku. Një javë më pas, klienti erdhi sërish në bankë, dhe gjatë bisedës, e pyeti Kimin nëse mund të ndiqte një nga mbledhjet tona që në atë kohë mbaheshin me videokonferencë.
Pak kohë më vonë, Davidi, një Dëshmitar tjetër, i tregoi Brukut për një koleg të cilit i kishte ardhur me postë një nga letrat e saj. I kishte bërë kaq shumë përshtypje që letra ishte shkruar me dorë sa ishte shprehur: «Sikur edhe njerëz të tjerë të interesoheshin kështu për ne!» Davidi përfitoi nga rasti për t’i dhënë më shumë dëshmi dhe i tha se, nëse kishte dëshirë, mund t’i sillte ca botime. Kolegu pranoi me kënaqësi.
Dëshmitarët e Jehovait mund të mos e dinë nëse fara që kanë mbjellë në shërbim tashmë ka mbirë. (Eklisiastiu 11:5, 6) Megjithatë, ashtu si Brukut, përvoja si këto ua forcojnë bindjen se përpjekjet që bëjnë në shërbim ia vlejnë.—1 Korintasve 3:6.