BIBLA TË NDRYSHON JETËN
«Kisha më shumë pyetje se përgjigje»
Lindur: 1976
Vendi i lindjes: Honduras
Të dhëna: Pastor evangjelist
E KALUARA IME
Linda në La Seibë, Honduras, dhe isha më i vogli e i vetmi djalë nga pesë fëmijët. Gjithashtu isha i vetmi në familje që nuk dëgjoja. Jetonim në një lagje të rrezikshme dhe ishim shumë të varfër. Gjërat u përkeqësuan pasi babai vdiq aksidentalisht në punë kur isha rreth katër vjeç.
Mamaja bënte gjithë sa mundej për t’u kujdesur për motrat dhe për mua, por rrallë herë kishte pará për të më blerë rroba. Kur binte shi, mërdhija nga të ftohtët ngaqë nuk kisha rroba të trasha.
Ndërsa rritesha, mësova gjuhën hondurase të shenjave (LESHO), falë së cilës komunikoja me të tjerë që nuk dëgjonin. Mirëpo, mamaja dhe motrat nuk e dinin këtë gjuhë, ndaj përdornin gjeste dhe sajonin shenja që të flitnin me mua. Sidoqoftë, mamaja më donte dhe më mbronte nga rreziqet. Me ato pak shenja që dinte, më paralajmëronte të shmangia vese, si duhani dhe alkooli. I jam shumë mirënjohës që nuk u bëra i varur ndaj tyre.
Kur isha i vogël, ajo më merrte në kishën katolike, por nuk kuptoja asgjë, ngaqë askush nuk ma interpretonte në gjuhën e shenjave. Mërzitesha aq shumë sa, kur isha dhjetë vjeç, nuk vajta më në kishë. Prapëseprapë doja të mësoja më shumë për Zotin.
Më 1999, kur isha 23 vjeç, takova një grua nga Shtetet e Bashkuara që ishte anëtare e kishës evangjeliste. Ajo më dha ca mësime nga Bibla dhe më mësoi gjuhën amerikane të shenjave (ASL). Aq shumë më pëlqeu ajo që mësova për Biblën, saqë vendosa të bëhesha pastor. Ja pse u transferova në Porto-Riko, që të merrja pjesë në një seminar të krishterë për ata që nuk dëgjojnë. Më 2002, kur u ktheva në La Seibë, me ndihmën e disa mikeve të mia, themelova një kishë për ata që nuk dëgjojnë. Një prej tyre, Patricia, u bë gruaja ime.
Si pastor, mbaja fjalime në gjuhën hondurase të shenjave, tregoja figura të historive nga Bibla dhe i inskenoja, që të ndihmoja ata që nuk dëgjonin. Vizitoja edhe ata që nuk dëgjonin në qytetet fqinje, që t’u jepja zemër e t’i ndihmoja me problemet që kishin. Madje bëra një udhëtim misionar në Shtetet e Bashkuara dhe në Zambie. Por, në të vërtetë nuk e njihja mirë Biblën. Thjesht u tregoja çfarë më kishin mësuar dhe çfarë kisha kuptuar nga figurat. Sinqerisht kisha më shumë pyetje se përgjigje.
Një ditë, disa anëtare të kishës përhapën gënjeshtra për mua. Thoshin se isha pijanec dhe se tradhtoja gruan. U zhgënjeva dhe u zemërova. Pa kaluar shumë, unë dhe Patricia e lamë kishën.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA
Dëshmitarët e Jehovait na vizitonin shpesh, por asnjëherë nuk i dëgjonim. Sidoqoftë, pasi lamë kishën, Patricia vendosi të studionte Biblën me një çift Dëshmitarësh, me Tomasin dhe Lisin. U kënaqa që, edhe pse dëgjonin, e njihnin gjuhën e shenjave. Kështu fillova të studioja edhe unë bashkë me Patrician.
Për disa muaj studiuam duke përdorur video në ASL. Mirëpo, kur dy nga miket tona i akuzuan Dëshmitarët e Jehovait se udhëhiqeshin nga njerëzit, e ndërpremë studimin e Biblës. Edhe pse Tomasi më tregoi prova se Dëshmitarët e Jehovait nuk ndjekin udhëheqës njerëzorë, s’e besova.
Disa muaj më vonë, kur Patricia ishte në depresion të thellë, iu lut Zotit t’i sillte sërish Dëshmitarët e Jehovait në shtëpi. Shumë shpejt Patrician e vizitoi një komshie që ishte Dëshmitare e Jehovait, dhe e pyeti nëse donte ta takonte përsëri Lisin. Lisi u tregua një mike e vërtetë, pasi e vizitonte Patrician çdo javë, që t’i jepte zemër dhe të studionte Biblën me të. Ndërsa unë kisha akoma dyshime për Dëshmitarët.
Në vitin 2012 Dëshmitarët e Jehovait organizuan një fushatë speciale me videon A do të dish të vërtetën? në gjuhën hondurase të shenjave. Kur Lisi na tregoi videon, u shokova sepse kuptova që shumë nga doktrinat që u kisha mësuar të tjerëve, si ferri i zjarrtë dhe pavdekësia e shpirtit, as që gjendeshin në Bibël.
Javën tjetër shkova në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, që të flitja me Tomasin. I thashë se doja t’u mësoja të vërtetën për Biblën atyre që nuk dëgjojnë, por jo si Dëshmitar i Jehovait. Vizioni im ishte të krijoja një kishë të re e të ndarë për ata që nuk dëgjojnë. Tomasi më lavdëroi që më ishte përtërirë zelli, pastaj më tregoi Efesianëve 4:5, që thekson sa i nevojshëm është uniteti në kongregacionin e vërtetë të krishterë.
Më dha edhe videon Dëshmitarët e Jehovait—Besimi në veprim, Pjesa 1: Nga errësira në dritë frymore në ASL. Videoja tregonte se një grup burrash e kishin shqyrtuar me kujdes Biblën, që të kuptonin të vërtetën për doktrinat bazë. Ndërsa shihja videon, i kuptoja ndjenjat e tyre. Edhe unë po kërkoja të vërtetën, njësoj si ata. Ajo video më bindi se Dëshmitarët mësojnë të vërtetën, sepse bindjet e tyre i bazojnë vetëm në Bibël. Ndaj fillova ta studioja prapë Biblën, dhe më 2014, bashkë me Patrician u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait.
DOBITË
Më pëlqen kongregacioni i Dëshmitarëve të Jehovait, sepse është i pastër, tamam si Perëndia. Pastërtia i karakterizon si në të folur, edhe në marrëdhëniet me të tjerët. Ata janë paqësorë, i japin zemër njëri-tjetrit dhe janë të bashkuar. Të gjithë mësojnë të njëjtat të vërteta nga Bibla, pavarësisht ku jetojnë ose çfarë gjuhe flasin.
Jam kënaqur kur kam kuptuar çfarë mëson vërtet Bibla. Për shembull, kam mësuar se Jehovai është Perëndia i Plotfuqishëm, Sovrani i gjithë tokës. Ai i do si ata që nuk dëgjojnë, edhe ata që dëgjojnë. Dashuria e Perëndisë për mua është shumë e shtrenjtë. Kam mësuar edhe se toka do të bëhet një parajsë e bukur dhe se mund të jetojmë përgjithmonë me shëndet të përsosur. Mezi pres ditën kur këto të bëhen realitet!
Unë dhe Patricia kemi shumë qejf t’u flasim për Biblën atyre që nuk dëgjojnë. Tani po studiojmë me disa pjesëtarë të kishës ku shkonim dikur. Ama, sot nuk kam më pyetje për gjërat që u mësoj, si atëherë kur isha pastor. Më në fund kam gjetur përgjigjet e pyetjeve të mia, duke studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.