Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

«Artet marciale ishin pasioni im»

«Artet marciale ishin pasioni im»
  • Lindur: 1962

  • Vendi i lindjes: Shtetet e Bashkuara

  • Të dhëna: I përkushtuar ndaj arteve marciale

E KALUARA IME

 Dëmtimi që i shkaktova shokut të stërvitjes, ishte shumë më i madh se ç’e prisja. E godita në hundë pa dashur. U ndjeva aq fajtor, sa vrisja mendjen nëse duhej të vazhdoja me artet marciale. Ky gabim më vuri në pikëpyetje sportin që kisha pasur pasion prej vitesh. Pse? Në fillim më lini t’ju tregoj si nisa të merresha me këtë sport.

 U rrita pranë Bufalos, Nju-Jork, SHBA, në një familje katolike të qetë e të devotshme. Ndoqa shkolla katolike dhe shërbeva si ndihmës i priftit. Prindërit donin që unë dhe motra të bëheshim njerëz të suksesshëm. Prandaj më lejuan të merresha me sporte pas shkolle ose të punoja në kohë të pjesshme, me kusht që të dilja mirë me mësime. Ja pse zhvillova vetëdisiplinë që i vogël.

 Kur isha 17 vjeç, fillova të studioja artet marciale. Për shumë vjet stërvitesha tri orë në ditë, gjashtë ditë në javë. Çdo javë kaloja orë të tëra duke praktikuar me mendje teknikat e lëvizjet, si dhe shihja video që të përmirësohesha. Më pëlqente të stërvitesha me fasha në sy, madje edhe kur përdorja armë. Me një të rënë të dorës mund të thyeja dërrasa ose tulla. Arrita majat në këtë sport dhe fitova shumë trofe në konkurse. Artet marciale u bënë gjëja më e rëndësishme për mua.

 Mendoja se kisha arritur suksesin e vërtetë. Dola shkëlqyer në universitet dhe punova për një kompani të madhe si inxhinier për sistemet kompjuterike. Merrja bonuse nga kompania, kisha shtëpinë time dhe një të dashur. Nga jashtë dukej sikur çdo gjë më shkonte vaj, por e vërteta ishte se më mundonin shumë pyetje për jetën.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA

 Për të gjetur përgjigjet e pyetjeve të mia, nisa të shkoja në kishë dy herë në javë dhe t’i lutesha Zotit për ndihmë. Por një ditë fola me një shok dhe ajo bisedë më ndryshoi jetën. E pyeta: «A ke menduar ndonjëherë cili është qëllimi i jetës?» Pastaj i thashë: «Në botë ka kaq shumë probleme e padrejtësi.» Më tha se kishte pasur të njëjtat pyetje, por kishte gjetur përgjigje tejet të kënaqshme nga Bibla. Më dha librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. a Pastaj më shpjegoi se kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Në fillim ngurrova pak, sepse mendoja se nuk duhej të lexoja botime të feve të tjera. Megjithatë, dëshira për të mësuar përgjigjet e pyetjeve, më nxiti të shihja nëse mësimet e Dëshmitarëve ishin logjike.

 Mbeta pa fjalë nga ajo që mësonte vërtet Bibla. Mësova se në fillim Perëndia kishte si qëllim që njerëzit të jetonin përgjithmonë në parajsë në tokë dhe se ky qëllim nuk ka ndryshuar. (Zanafilla 1:28) U surprizova kur pashë emrin e Perëndisë, Jehova, në Biblën time King James dhe mësova se pikërisht për këtë emër isha lutur kur thosha përmendsh Lutjen e Zotërisë. (Psalmi 83:18; Mateu 6:9) Gjithashtu kuptova edhe pse Zoti po i lejon përkohësisht vuajtjet. Çdo gjë që po mësoja, kishte kaq shumë kuptim! Ndihesha i emocionuar.

 Nuk do ta harroj kurrë herën e parë kur vajta në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Të gjithë ishin aq miqësorë dhe donin të më takonin. Në atë mbledhje, fjalimi special për publikun fliste për lutjet që dëgjon Perëndia. Meqë i isha lutur Perëndisë për ndihmë, kjo temë më interesonte. Më pas ndoqa Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. Në këto mbledhje habitesha teksa shihja që edhe fëmijët e ndiqnin programin duke lexuar nga Biblat e tyre. Në fillim nuk dija t’i gjeja shkrimet, por Dëshmitarët më ndihmuan dhe më mësuan si ta përdorja Biblën.

 Teksa ndiqja mbledhjet, e çmoja gjithnjë e më shumë cilësinë e lartë të mësimdhënies nga Dëshmitarët. Mësoja goxha çdo mbledhje dhe gjithmonë inkurajohesha e përtërihesha. Pastaj më ftuan të studioja Biblën me ta.

 Dëshmitarët e Jehovait ishin si dita me natën krahasuar me ata të kishës sime. Vija re se ata ishin një grup i bashkuar dhe i sinqertë, që përpiqeshin me gjithë zemër t’i pëlqenin Perëndisë. Dita-ditës më përforcohej bindja se ata shfaqnin shenjën identifikuese të të krishterëve të vërtetë, pra, kishin dashuri mes tyre.—Gjoni 13:35.

 Sa më shumë studioja Biblën, aq më shumë ndryshime bëja, që të jetoja në përputhje me standardet e Biblës. Megjithatë mendoja se nuk do të hiqja kurrë dorë nga artet marciale. Më pëlqente jashtë mase të stërvitesha dhe të merrja pjesë në konkurse. Kur ia shpreha këtë Dëshmitarit që po studionte Biblën me mua, më tha me lezet: «Thjesht vazhdo studimin dhe jam i sigurt që do të marrësh vendimin e duhur.» Kjo ishte fiks ajo që kisha nevojë të dëgjoja. Sa më shumë studioja, aq më shumë doja t’ia kënaqja zemrën Perëndisë Jehova.

 Një pikë kthese ishte incidenti që përmenda në fillim, kur godita pa dashje në hundë shokun tim të stërvitjes. Ai incident më bëri të mendoja seriozisht nëse mund të isha një dishepull paqësor i Krishtit ndërkohë që vazhdoja të merresha me artet marciale. Kisha mësuar se Isaia 2:3, 4 parathoshte se ata që ndjekin drejtimin e Jehovait, «nuk mësojnë më të luftojnë». Dhe Jezui i mësoi të tjerët të mos ishin të dhunshëm, as kur t’i trajtonin padrejtësisht. (Mateu 26:52) Prandaj hoqa dorë nga sporti që e kisha me kaq pasion.

 Pas kësaj ndoqa këshillën e Biblës ‘për t’u stërvitur duke pasur si synim përkushtimin ndaj Perëndisë’. (1 Timoteut 4:7) Tërë kohën dhe përpjekjet që investoja tek artet marciale, tani i përdor për t’u lidhur më ngushtë me Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij. E dashura nuk ishte dakord me ato që po mësoja nga Bibla, prandaj u ndamë. U pagëzova si Dëshmitar i Jehovait më 24 janar 1987. Shpejt pas kësaj fillova të shërbeja në kohë të plotë, pra të përdorja kohën për t’i mësuar të tjerët për Biblën. Që atëherë kam vazhduar këtë lloj shërbimi, dhe për njëfarë kohe kam shërbyer në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork, SHBA.

DOBITË

 Tani që di të vërtetën për Perëndinë, nuk ndihem më bosh, përkundrazi, ndihem i plotësuar. Kam një qëllim në jetë, një shpresë reale për të ardhmen dhe ndihem vërtet i lumtur. Vazhdoj të stërvitem rregullisht, mirëpo stërvitja fizike nuk zë më vendin kryesor në jetën time. Gjëja më e rëndësishme për mua është t’i shërbej Perëndisë Jehova.

 Kur merresha me artet marciale, isha i vëmendshëm ndaj njerëzve rreth e rrotull, sepse mendoja si të mbrohesha nëse dikush do të më sulmonte. Edhe sot jam i vëmendshëm ndaj të tjerëve, por për një tjetër arsye—për t’i ndihmuar. Bibla më ka ndihmuar të jem bujar dhe një bashkëshort më i mirë për gruan time të bukur, Brendën.

 Artet marciale ishin pasioni im. Megjithatë i kam zëvendësuar me diçka më të mirë. Bibla e përmbledh bukur: «Stërvitja e trupit është e dobishme për pak gjë, kurse përkushtimi ndaj Perëndisë është i dobishëm për çdo gjë, sepse na premton jetë tani dhe në të ardhmen.»—1 Timoteut 4:8.

a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.