Një broshurë shumëgjuhëshe që mëson me figura
Odval jeton në Mongoli. Ajo nuk është e sigurt sa vjeçe është, por mendon se ka lindur në vitin 1921. Kur ishte e vogël kujdesej për bagëtinë e prindërve dhe ka bërë vetëm një klasë shkollë. Edhe pse nuk di të lexojë, kohët e fundit, një broshurë shumëngjyrëshe e ka ndihmuar të njohë Perëndinë dhe të mësojë për të ardhmen e lumtur që i pret ata që e dëgjojnë. Kjo njohuri i ka prekur zemrën.
Kjo broshurë, të cilën Dëshmitarët e Jehovait e botuan në vitin 2011, disponohet në dy versione. Të dyja kanë figura të bukura, por ndryshimi është se njëra ka më pak tekst se tjetra.
Versioni që ka më tepër tekst, Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë, së shpejti do të disponohet në 583 gjuhë; versioni tjetër, Dëgjoje Perëndinë, në 483 gjuhë. Krahasoji këto shifra me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, e cila në tetor të 2013-s është përkthyer në 413 gjuhë. Përveç kësaj, tirazhi i këtyre dy versioneve të broshurës deri tani ka arritur në afro 80 milionë kopje.
Në Brazil, një grua e moshuar e pranoi me kënaqësi broshurën Dëgjoje Perëndinë dhe tha: «Është bukur kur e di se ka njerëz që kujdesen për personat si unë. Kurrë nuk i kam pranuar revistat tuaja, sepse nuk di të lexoj. Por, këtë broshurë dua ta kem.»
Brigitte, një grua analfabete nga Franca, tha: «I shikoj çdo ditë figurat e broshurës.»
Një Dëshmitar nga Afrika e Jugut, shkruan: «S’kam gjetur broshurë më të mirë për t’ua prezantuar të vërtetën biblike njerëzve në gjuhën kineze. Ua kam prezantuar njerëzve të çdo niveli arsimor: atyre me shkollë të lartë e tepër të zgjuar, por edhe atyre që mezi lexojnë. Broshura Dëgjoje Perëndinë dhe jeto përgjithmonë është një ndihmë për t’u dhënë të tjerëve brenda pak kohe mësimet themelore të Biblës. Mjafton gjysmë ore për të hedhur themelin e këtyre mësimeve.»
Dy Dëshmitare në Gjermani studiojnë me një çift të arsimuar. Burrit i bëri shumë përshtypje broshura dhe tha: «Pse s’ma keni dhënë më parë këtë broshurë? Më ndihmon t’i kuptoj kollaj ngjarjet dhe vargjet biblike.»
Një grua nga Australia që nuk dëgjon, tha: «Jetova për shumë vjet me murgeshat në manastir. Isha më afër krerëve të kishës se kushdo tjetër. Por asnjëri prej tyre nuk më mësoi se çfarë është Mbretëria e Perëndisë. Figurat në këtë broshurë më kanë ndihmuar të kuptoj se çfarë do të thotë vërtet Mateu 6:10.»
Zyra e Degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada shkruan: «Pasi panë në gjuhën krio broshurën Dëgjoje Perëndinë, shumë nga komuniteti i Sierra-Leones që banojnë këtu, janë prekur dhe kanë komentuar se Dëshmitarët e Jehovait po punojnë fort për të përhapur mesazhin e Biblës. Disa kanë thënë: «Ju interesoheni vërtet për njerëzit, kurse shumë të tjerë nuk duan t’ia dinë.»