Diplomimi i klasës së 135-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Më 14 shtator 2013, në qendrën e arsimimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Patërson, Nju Jork, rreth 10.500 veta u mblodhën për diplomimin e klasës së 135-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Kjo shkollë stërvit Dëshmitarë të Jehovait me përvojë, që të jenë edhe më të frytshëm në caktimet e tyre.
Guy Pierce, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait dhe drejtues i programit, i bazoi komentet hyrëse te Mateu 28:19, 20: «Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet . . . dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»
Vëlla Pierce vuri në dukje se këto fjalë të Jezuit nisën një reaksion zinxhir që vazhdon deri më sot. Ndërsa bëjmë dishepuj, u mësojmë njerëzve të zbatojnë gjithçka që urdhëroi Jezui. Sigurisht, kjo përfshin dhe urdhërimin për të predikuar ‘këtë lajm të mirë për mbretërinë’. (Mateu 24:14) Në këtë mënyrë, çdo dishepull i ri bëhet predikues dhe mësues i Mbretërisë. Cili ka qenë rezultati? «Popullsia [e botës] është rritur»,—tha vëlla Pierce, «po ashtu edhe populli i Perëndisë.»
«Ata dhanë përtej mundësive të tyre reale.» Thomas Cheiky, anëtar i Komitetit të Degës së Shteteve të Bashkuara, mbajti fjalimin e bazuar te 2 Korintasve 8:1-4. Pavarësisht varfërisë së thellë, kongregacionet e shekullit të parë në Maqedoni, u përgjëruan të jepnin një dhuratë për vëllezërit në Jerusalem që ishin në nevojë. Studentët e Galaadit kanë treguar të njëjtën frymë bujarie dhe vetëmohimi.
Nga ana tjetër, besojmë se, maqedonasit u treguan të kujdesshëm të mos jepnin aq shumë sa të vuanin familjet e tyre dhe të dëmtohej marrëdhënia me Perëndinë. Vëlla Cheiky i këshilloi studentët të imitonin maqedonasit, që të kishin frymën e dhënies, por të ishin edhe të ekuilibruar.
«Shkolla ka mbaruar.» Samuel Herd i Trupit Udhëheqës theksoi pse studentët duhet ta kujtojnë përvojën e tyre në Shkollën e Galaadit. Ashtu si një melodi e këndshme që e dëgjon në mëngjes dhe të ngelet në mendje gjatë gjithë ditës, kujtimet e vyera të Galaadit mund t’u japin zemër studentëve edhe shumë kohë pas mbarimit të shkollës.
Vëlla Herd u kujtoi studentëve se kujtesa e Jehovait s’ka kufij. Ai u ka vënë emra miliarda e miliarda yjeve në univers dhe s’ka për ta harruar kurrë ndonjë prej tyre. (Psalmi 147:4) Aq më shumë s’ka për të harruar përpjekjet që kanë bërë studentët gjatë stërvitjes në Galaad. Ata kanë grumbulluar «thesare në qiell» dhe askush nuk mund t’ia grabitë Jehovait kujtimet e çmuara që ka ruajtur në kujtesën e tij për këta studentë.—Mateu 6:20.
Përderisa Jehovai kujton punën dhe dashurinë që studentët kanë për të, edhe studentët me të drejtë mund të ruajnë në zemër kujtimet e Galaadit. «Kur kujtimet e dashura të kësaj shkolle t’ua bëjnë ditën më të gëzueshme»,—tha vëlla Herd,—«mos harroni të falënderoni Atë që ua jep gëzimin—Jehovain. Mos u lodhni së kujtuari gjërat. Dobitë mund të jenë të paharrueshme.»
«Gjeni ngushëllim në fuqinë e papërshkrueshme të Jehovait.» Sam Roberson, instruktor në Shkollën e Galaadit, i inkurajoi studentët të mbështeten te fuqia e Jehovait kur përballen me sfida të reja, në vend se t’i përballojnë ato me forcat e tyre. Efesianëve 3:20 thotë se Perëndia mund «të bëjë shumë më tepër nga sa kërkojmë ose konceptojmë ne». Mendja jonë as që mund të arrijë të kuptojë ç’fuqi ka Ai, sa që dhe vetë shprehja ‘shumë më tepër nga sa konceptojmë’, nuk arrin ta përshkruajë dot, sepse shkrimi thotë se ai mund të bëjë «më shumë» se aq.
Jehovai ia jep fuqinë e tij të papërshkrueshme çdo të krishteri. Ai është si «një i fuqishëm dhe i tmerrshëm» ose «një luftëtar i frikshëm» përballë vështirësive të mëdha. (Jeremia 20:11; God’s Word Bible) Vëlla Roberson u kujtoi studentëve se Jehovai do t’i ndihmojë të kapërcejnë çdo problem a vështirësi që mund t’u dalë.
«Ruani dinjitetin në shërbim të Mbretërisë.» William Samuelson, gjithashtu instruktor i Galaadit, shpjegoi se studentët e Galaadit kanë fituar dinjitet në shërbim të Mbretërisë në dy aspekte. Me punën që kanë bërë para dhe gjatë shkollës, kanë treguar se e meritojnë të vlerësohen, gjithashtu, vazhdojnë të fitojnë nderim dhe respekt duke përfaqësuar qeverinë më të lartë në univers—Mbretërinë e Perëndisë.
Si mund ta ruajnë dinjitetin studentët? Vëlla Samuelson i inkurajoi t’i japin nderim Jehovait dhe të tregojnë respekt për të tjerët, ashtu si Jezui u dha dinjitet atyre që kishte përreth edhe kur iu desh t’i korrigjonte ose t’i këshillonte. Çfarë do të vijë si rezultat? Ashtu si apostulli Pavël, studentët do të kenë më shumë dinjitet, kur i japin lavdi shërbimit në vend se vetes.—Romakëve 11:13.
«Autoriteti i kuajve qëndron te goja». Michael Burnett, një instruktor tjetër i Galaadit, tregoi se si e përmbushim Zbulesën 9:19 kur, atë që mësojmë në mbledhjet e krishtere, e themi me autoritet në predikim. Në vijim zhvilloi një bisedë me studentët, të cilët treguan ose demonstruan përvojat që kishin pasur në shërbim gjatë Galaadit. Për shembull, një student nxiti interesin e një punëtori karburanti me pyetjen, «Kur filluan dhe kur mbaruan kohët e caktuara të kombeve?» (Luka 21:24) Kur e vizitoi përsëri, ai e ndihmoi burrin të gjente përgjigjen duke përdorur Danielin kapitulli 4 dhe shtojcën e librit Çfarë mëson vërtet Bibla?
«Zemrat u janë bërë të patundura.» Adrian Fernandez, anëtar i Komitetit të Degës së Shteteve të Bashkuara, intervistoi dy çifte nga shkolla. Vëlla Helge Schumi tregoi se në Bibël përmenden disa shërbëtorë të Perëndisë të cilët, pasi morën një privilegj të veçantë, me kohë u bënë krenarë. Prandaj ai tha se gjatë shkollës përfshiheshin shpesh këshilla për të mbetur të përulur. (2 Kronikave 26:16) Po ashtu, vëlla Peter Canning kujton këtë këshillë të mençur nga një leksion lidhur me mësimin e gjuhës vendase: «Mos ji krenar. Ji gati të qeshësh me gabimet e tua.» Të katër studentët shprehën mirënjohjen për shkollën, sepse i kishte forcuar për punën që i priste, duke ua bërë zemrat të patundura.—Hebrenjve 13:9.
«Gëzohuni sepse emrat tuaj janë shkruar në qiej.» (Luka 10:20) Geoffrey Jackson i Trupit Udhëheqës, paraqiti fjalimin kryesor në program. Ndryshe nga studentët e Galaadit në të kaluarën, shumë prej të diplomuarve tani nuk do të marrin ndonjë caktim për të hapur veprën diku, ose nuk do të kenë ndonjë përvojë emocionuese siç ndodh kur predikon në territore të pashkelura. Ç’qëndrim duhet të kenë?
Në një rast Jezui dërgoi në veprën e predikimit 70 dishepuj. Kur u kthyen, i treguan të gëzuar se kishin dëbuar demonë në emër të Jezuit. (Luka 10:1, 17) Jezui pranoi se ato rezultate ishin vërtet emocionuese, por tha: «Megjithatë, mos u gëzoni që frymërat ju nënshtrohen, por gëzohuni sepse emrat tuaj janë shkruar në qiej.» (Luka 10:20) Me këtë u tregoi se nuk do të kishin çdo ditë përvoja të tilla emocionuese. Ata nuk duhej të përqendroheshin te rezultati, por te besnikëria e tyre ndaj Jehovait dhe te fakti se emrat e tyre ishin «shkruar në qiej».
«Ajo që Jezui u mësoi 70 dishepujve, zbatohet edhe për ne»,—tha vëlla Jackson. Nuk duhet të lejojmë që rezultatet e shërbimit të jenë arsyeja e vetme e gëzimit, ose treguesi kryesor i besnikërisë tonë. Përkundrazi, gjejmë gëzim dhe tregojmë se jemi besnikë duke mbajtur një marrëdhënie të fortë me Jehovain dhe duke punuar me zell në shërbimin e tij.
Edhe Jezui hasi situata që mund ta kishin shkurajuar. Për shembull, pasi ushqeu në mënyrë të mrekullueshme mijëra veta, ata filluan t’i shkonin pas. (Gjoni 6:10-14, 22-24) Megjithatë, pas pak kohe shumë prej tyre u penguan nga mësimet e Jezuit. Kështu, nga gjithë ajo dyndje dishepujsh, shpejt shumica e braktisi. (Gjoni 6:48-56, 60, 61, 66) Në kontrast, apostujt besnikë ishin të vendosur të qëndronin me Jezuin. Ata lanë një shembull të shkëlqyer, sepse nuk u përqendruan thjesht te rezultatet, por te besnikëria ndaj Jehovait dhe te marrëdhënia e tyre me të.—Gjoni 6:67-69.
Përmbyllja. Pasi studentët morën diplomat, një nga të diplomuarit lexoi një letër mirënjohjeje në emër të klasës. Në përfundim, vëlla Pierce tha se për botën, populli i Perëndisë, përfshi të diplomuarit e Galaadit, nuk shquhet si i veçantë. (Veprat 4:13; 1 Korintasve 1:27-31) Megjithatë, Jehovai e pranon përkushtimin tonë dhe na jep frymën e shenjtë. Jehovait mund të mos i bëj përshtypje sa njohuri kemi, por siç tha vëlla Pierce, «Atij i lë mbresa besnikëria, besimi dhe përkushtimi ynë ndaj tij».