Kalo te përmbajtja

Raport për mbledhjen vjetore 2014

100 vjet të qeverisjes së Mbretërisë!

Raport për mbledhjen vjetore 2014

Më 4 tetor 2014, një auditor prej rreth 19.000 vetash ndoqi mbledhjen vjetore të 130-të të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania. Programi u zhvillua në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Xhersi-Siti të Nju-Xhersit, SHBA, dhe në disa vende të tjera u transmetua nëpërmjet lidhjes me video.

Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, ishte drejtuesi i mbledhjes. Në fjalët hapëse, ai theksoi se mbledhja e këtij viti ishte historike, meqë kremtonte 100-vjetorin e themelimit të Mbretërisë mesianike.

Vëlla Sandersoni mori në shqyrtim tri arritje domethënëse të Mbretërisë gjatë 100 viteve të para të saj:

  • Vepra mbarëbotërore e predikimit. Me bekimin e Jehovait, populli i tij ka punuar pa u lodhur që të përhapë lajmin e mirë për Mbretërinë. Radhët e lajmëtarëve janë shtuar nga pak mijëra në vitin 1914, në më shumë se tetë milionë gjatë vitit të shërbimit 2014. Do të vazhdojmë të predikojmë me zell derisa Jehovai të thotë se vepra është kryer.

  • Mbrojtja e nënshtetasve të Mbretërisë si grup. Autoritetet fetare dhe politike na janë kundërvënë me ashpërsi, madje duke u përpjekur t’i shfarosin fare Dëshmitarët e Jehovait. Por, Jehovai i ka mbrojtur adhuruesit e tij si grup. Fitoret e shumta ligjore, përfshirë ato në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara dhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, vërtetojnë se Jehovai vazhdon të vigjilojë mbi ne deri më sot.

  • Bashkimi i njerëzve të çdo lloji. Mbretëria e Perëndisë ka mbledhur njerëz me, prejardhje, kombësi dhe gjuhë të ndryshme, duke i ndihmuar të kapërcejnë sfida nga më të shumtat, dhe i ka bashkuar në një grup adhuruesish që janë në unitet. «Kjo është një mrekulli që vetëm Perëndia Jehova mund ta bënte»,​—tha vëlla Sandersoni. Ai ritheksoi se sa të nderuar ndiheshin të gjithë në auditor që ishin të pranishëm në këtë mbledhje vjetore historike.

Seria Bëhu mik i Jehovait.

Kjo seri me video për fëmijë, me të cilën jemi kënaqur për më se dy vjet, ishte tema vijuese në programin e mbledhjes vjetore. Në fillim, vëlla Sandersoni prezantoi një video me intervista të fëmijëve nga e gjithë bota. Auditori u prek nga shprehjet e vlerësimit të çiltra dhe të përzemërta të fëmijëve për gjërat që kishin mësuar nga këto video.

Pastaj u shfaq një video e re e kësaj serie. Ajo titullohet: «Jehovai të ndihmon të jesh i guximshëm.» Kjo video 12-minutëshe përshkruan në mënyrë të gjallë tregimin biblik për vajzën izraelite që i foli me guxim për Jehovain gruas së Naamanit. (2 Mbretërve 5:​1-​14) Videoja u vendos në sitin jw.org të hënën më 6 tetor 2014 dhe disponohet në më shumë se 20 gjuhë.

JW Language.

Vëlla Sandersoni njoftoi këtë aplikacion të ri për pajisjet dixhitale, i cili do të ndihmojë ata Dëshmitarë të Jehovait që duan të mësojnë një gjuhë tjetër për të zgjeruar shërbimin. Aplikacioni përmban mbi 4.000 fjalë dhe shprehje në 18 gjuhë. Po bëhen plane për të përfshirë fjalë dhe shprehje të tjera, prezantime për shërbimin në fushë, si edhe veçori shtesë.

JW Broadcasting.

Auditori u emocionua kur dëgjoi për një stacion të ri televiziv në Internet, mundësuar nga Dëshmitarët e Jehovait, i cili është në fazë prove vetëm në anglisht. Nga selia botërore në Bruklin të Nju-Jorkut, SHBA, ky stacion do të transmetojë video, muzikë dhe lexime nga Bibla në formë drame që kemi prodhuar ne. Përveç kësaj, do të shfaqë një program mujor që do të drejtohet nga një anëtar i Trupit Udhëheqës ose nga një ndihmës i njërit prej komiteteve të Trupit Udhëheqës.

Vëlla Sandersoni prezantoi një pjesë të programit të tetorit. Ky program drejtuar nga Stivën Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës, përmban një vështrim prapa kuintave të punës që është bërë për të përgatitur këtë stacion të ri televiziv. JW Broadcasting nisi transmetimin më 6 tetor 2014 dhe mund të shihet në adresën tv.isa4310.com.

«Mbretëria​—100 vjet e më tej.

» Samuel Hërdi, anëtar i Trupit Udhëheqës, ishte tregimtar në një video që përshkruante se si Mbretëria e Perëndisë na ka ndihmuar hap pas hapi të rritemi dhe të përmirësojmë në veprën e predikimit. Duke ndërthurur filmime historike, aktrime dhe përvoja të treguara nga Dëshmitarë të Jehovait që shërbejnë prej një kohe të gjatë, videoja nxirrte në pah nisma të tilla si, prodhimi dhe shfaqja në shkallë të gjerë e «Fotodramës së Krijimit»; përdorimi i gramafonave, kartat e dëshmisë, marshimet informuese e makinat me altoparlantë, si edhe shkollat e ndryshme për të na stërvitur për shërbimin.

Si përfitojmë duke medituar për arritjet e Mbretërisë në 100 vitet e saj të para? Kjo na e bën Mbretërinë më reale dhe mezi i presim gjërat që do të bëjë në të ardhmen.

Këngë adhurimi.

Dejvid Splejni, anëtar i Trupit Udhëheqës, i kënaqi jashtë mase të gjithë të pranishmit kur njoftoi planet për rishikimin e librit tonë të këngëve, Këndojini Jehovait. Ashtu si Përkthimi Bota e Re, ky libër do të ketë të njëjtin material për kapakun dhe buzët e faqeve me ngjyrë argjendi. Përdorimi i këtyre materialeve me cilësi të lartë pasqyron vendin dinjitoz që ka muzika në adhurimin tonë.

Vëlla Splejni njoftoi gjithashtu se librit të këngëve do t’i shtohen disa të tjera. Por, që të këndojmë këngët e reja, nuk kemi pse të presim derisa të shtypet libri i rishikuar. Ato do të dalin në sitin jw.org sapo të jenë gati.

Tri këngë të reja, që ishin praktikuar nga familja Bethel gjatë javës, u kënduan në mbledhjen vjetore. Vëlla Splejni dirigjoi një kor që këndoi këngën e re me titull «Mbretëria u bë​—Le të vijë!» Kjo këngë u kompozua enkas për 100-vjetorin e lindjes së Mbretërisë. Pasi kori këndoi këngën, edhe pjesa tjetër e auditorit këndoi me ta. Më vonë gjatë programit, kori dhe auditori kënduan një këngë tjetër të re me titull «Bëj që të kemi guxim».

Intervista.

Gerrit Lësh, anëtar i Trupit Udhëheqës, drejtoi një intervistë të regjistruar të tri çifteve që kanë dekada përvojë në shërbimin në Bethel. Ata treguan për shumë ndryshime që kishin parë gjatë viteve, të cilat theksonin se populli i Perëndisë është në lëvizje. Vëllai Lësh tha se Bibla i kishte parathënë përmirësimet organizative dhe u bëri thirrje të gjithëve që të vazhdonin të ecnin përpara me organizatën e Jehovait.​—Isaia 60:17.

«Modelet profetike dhe plotësimet.»

Vëlla Splejni mbajti këtë fjalim i cili shpjegoi pse vitet e fundit në botimet tona nuk flitet aq shumë sa dikur për tipat dhe antitipat, pra për modelet profetike dhe plotësimet e tyre.

Në të kaluarën, shumë gra dhe burra besnikë të përmendur në Bibël thuhej se paraqitnin grupe të krishterësh besnikë në kohën tonë. Gjithashtu, disa tregime biblike mendohej se ishin modele profetike të ngjarjeve që lidheshin me shërbëtorët e Perëndisë të ditëve të sotme. Pa dyshim, mund të jetë interesante të studiosh krahasime të tilla. Pse, pra, në botimet e kohëve të fundit flitet rrallë për modelet profetike dhe plotësimet e tyre?

Shkrimet tregojnë se disa personazhe dhe ngjarje paraqitnin dikë ose diçka më të madhe në të ardhmen. Atje ku Bibla bën lidhje të qartë mes modelit profetik dhe plotësimit të tij, ne e pranojmë me kënaqësi. «Por kur Bibla hesht, ne duhet të heshtim»,​—tha vëlla Splejni. Të mos kërkojmë gjilpërën në kashtë në një tregim. Për më tepër, nëse zhytemi për të kërkuar modelet profetike dhe plotësimet e tyre, mund të humbasim mësimet praktike për jetën e përditshme që mund të nxjerrim të gjithë nga tregimet biblike—pavarësisht nëse kemi shpresë qiellore ose tokësore.​—Romakëve 15:4. a

«A do të qëndroni vigjilentë?»

Ky fjalim i mbajtur nga vëlla Leti, përditësoi kuptueshmërinë tonë për shëmbëlltyrën e Jezuit për dhjetë virgjëreshat. (Mateu 25:​1-​13) Tani e kuptojmë kështu shëmbëlltyrën: dhëndri është Jezui, kurse virgjëreshat janë dishepujt e tij të mirosur. (Luka 5:​34, 35; 2 Korintasve 11:2) Shëmbëlltyra zbatohet për ditët e fundit, por pjesa kulminante e saj ndodh gjatë shtrëngimit të madh. Kur përshkroi pesë virgjëreshat mendjelehta, Jezui nuk po thoshte se shumë shërbëtorë të mirosur do të tregoheshin jobesnikë dhe duheshin zëvendësuar. Përkundrazi, po përcillte një paralajmërim të fuqishëm. Ashtu si pesë virgjëresha u treguan të matura dhe pesë mendjelehta, çdo i mirosur e ka në dorë të zgjedhë, ose të qëndrojë i përgatitur dhe vigjilent, ose të jetë jobesnik.

Në përputhje me parimin që të mos kërkojmë gjilpërën në kashtë, nuk duket e mençur ta analizojmë këtë ilustrim me qëllimin që të kërkojmë një paralel profetik në çdo hollësi. Përkundrazi, është mirë të nxjerrim mësime praktike nga ilustrimi. Qoftë të mirosur ose nga ‘delet e tjera’, të gjithë kemi përgjegjësinë që ta lëmë dritën të ndriçojë fort dhe ‘të qëndrojmë vigjilentë’. (Gjoni 10:16; Marku 13:37; Mateu 5:16) Askush s’mund të jetë besnik për ne. Secili duhet ‘të zgjedhë jetën’ duke qëndruar syçelë frymësisht dhe aktiv në shërbim.​—Ligji i përtërirë 30:19.

«Shëmbëlltyra e talentave.»

Më pas, fjalën e mori Entoni Morisi, anëtar i Trupit Udhëheqës, i cili e ndihmoi auditorin të kuptonte shpjegimin e përditësuar për ilustrimin e talentave. (Mateu 25:14-30) Tani kuptojmë se zotëria në këtë ilustrim (Jezui) do t’i shpërblejë skllevërit (dishepujt e mirosur besnikë në tokë) në të ardhmen kur të vijë dhe t’u japë jetën qiellore. Kur tha se ç’do të ndodhte me ‘skllavin e lig dhe të plogësht’, Jezui nuk po parathoshte se një numër i madh dishepujsh të mirosur do të tregoheshin jobesnikë. Përkundrazi, po i paralajmëronte të mirosurit që të vazhdonin të ishin të papërtuar dhe të shmangnin qëndrimet dhe veprimet e skllavit të lig.

Çfarë mësimesh praktike mund të nxjerrim nga kjo shëmbëlltyrë? Zotëria në ilustrim u besoi skllevërve diçka me vlerë. Po kështu, Jezui u ka besuar dishepujve diçka që e konsideron të çmuar​—caktimin që të predikojnë dhe të bëjnë dishepuj. Ai pret nga të gjithë ne që të jemi të papërtuar në këtë vepër predikimi, sipas rrethanave. Vëlla Morisi i lavdëroi të pranishmit për pjesëmarrjen e zellshme në aktivitetet e Mbretërisë.

«Kush do ta sulmojë së shpejti popullin e Perëndisë?»

Kjo ishte tema interesante e fjalimit të fundit në program, mbajtur nga Xhefri Xheksoni, anëtar i Trupit Udhëheqës. Vëlla Xheksoni foli për sulmin e ardhshëm të Gogut të Magogut kundër popullit të Perëndisë.​—Ezekieli 38:14-​23.

Në të kaluarën, kemi menduar se Gogu ishte një emër tjetër për Satana Djallin pasi ishte flakur nga qielli. Por vëlla Xheksoni arsyetoi mbi disa pyetje të rëndësishme që ngre ky shpjegim. Për shembull, Jehovai paratha se kur Gogu të mposhtet, Ai do të bëjë që ‘ta hanë zogjtë grabitqarë, shpendët e çdo lloji dhe bishat e fushës’. (Ezekieli 39:4) Po ashtu, Jehovai paratha se ‘Gogut dhe tërë turmës së tij’ do t’i japë një vend për t’u varrosur në tokë. (Ezekieli 39:11) Por, si mund t’i ndodhin këto gjëra një krijese frymore? Satanai do të hidhet në humnerë për 1.000 vjet, pra nuk do ta hanë, as do ta varrosin. (Zbulesa 20:​1, 2) Për më tepër, në fund të 1.000 vjetëve, Satanai do të lirohet nga humnera dhe «do të dalë për të mashtruar kombet në të katër cepat e dheut, Gog dhe Magog». (Zbulesa 20:​7, 8) Qartë pra, Satanai nuk mund të mashtrojë Gogun nëse është vetë Gogu.

Vëlla Xheksoni shpjegoi se Gogu i Magogut në profecinë e Ezekielit nuk duhet të përfaqësojë Satanain, por një koalicion kombesh që do të sulmojnë popullin e Perëndisë në të ardhmen. Ka të ngjarë që sulmi i Gogut të jetë i njëjti sulm që kryen «mbreti i veriut» dhe «mbretërit e tokës».​—Danieli 11:40, 44, 45; Zbulesa 17:12-14; 19:19.

Kush është «mbreti i veriut»? Duhet të presim e të shohim. Sidoqoftë, na forcohet besimi kur shohim se si vazhdon të qartësohet kuptueshmëria jonë për këto ngjarje të ardhshme teksa afrohen gjithnjë e më tepër. Nuk i frikësohemi sulmit që do të bëhet së shpejti kundër popullit të Perëndisë, sepse e dimë se kur Gogu i Magogut të sulmojë, do të mposhtet dhe do të shkatërrohet plotësisht, por populli i Perëndisë do të mbetet përgjithmonë. b

Mbyllja.

Vëlla Sandersoni njoftoi se tani mund të gjendet në anglisht Përkthimi Bota e Re në format xhepi. Po përgatitet edhe Bibla në formatin audio, me zërat e individëve të ndryshëm që lexojnë fjalët e personazheve biblike. Këto regjistrime do të vendosen gradualisht në jw.org, duke filluar me librin e Mateut.

Vëlla Sandersoni njoftoi shkrimin e vitit për 2015-n, Psalmin 106:1: «Falënderoni Jehovain, se ai është i mirë.» Ai i nxiti të gjithë që të mendojnë për arsyet pse të jemi mirënjohës çdo ditë.

Mbledhja u mbyll me këngën e tretë të re me titull: «E ke emrin Jehova.» Të shtatë anëtarët e Trupit Udhëheqës u bashkuan me korin në skenë dhe bashkë me të gjithë të pranishmit kënduan këtë këngë të re të bukur, një mbyllje e përshtatshme për këtë mbledhje që ishte vërtet historike!

a Ky fjalim bashkë me dy fjalimet vijuese bazoheshin tek artikujt që do të dalin në Kullën e Rojës të 15 marsit 2015.

b Ky fjalim bazohej te një artikull që do të dalë në Kullën e Rojës të 15 majit 2015