Çfarë ishin vulat e lashta?
Vulat ishin objekte të vogla të gdhendura që përdoreshin për të lënë shenjë, zakonisht mbi argjilë a dyll. Kishin forma të ndryshme, si konike, katrore, cilindrike e madje edhe si koka kafshësh. Shenjat e vulave tregonin pronësinë ose autenticitetin e një dokumenti dhe përdoreshin për të siguruar dyert ose hyrjet e varreve, në mënyrë që askush të mos i hapte pa u diktuar.
Vulat përbëheshin nga lloj-lloj materialesh, si kocka, gurë gëlqerorë, metale, gurë gjysmë të çmuar ose dru. Ndonjëherë vula mbante emrin e pronarit dhe të të atit. Në disa vihej edhe titulli i pronarit.
Për të provuar se një dokument ishte i vërtetë, pronari e përdorte vulën që të linte shenjë në argjilë, dyllë ose në ndonjë material tjetër të butë të ngjitur te dokumenti. (Jobi 38:14) Pastaj, materiali ngurtësohej që të mos e falsifikonin dot dokumentin.
Vulat përdoreshin për të deleguar autoritet
Vulat mund t’i kaloheshin një tjetri për t’i dhënë autoritet. Një rast i tillë është ai i faraonit të Egjiptit të lashtë dhe i Jozefit, hebre dhe biri i patriarkut Jakob. Jozefi ishte skllav në Egjipt. Më vonë e burgosën padrejtësisht, por pas njëfarë kohe faraoni e liroi dhe e caktoi si kryeministër. Bibla thotë: «Pastaj, faraoni hoqi nga dora unazën e tij me nënshkrim dhe ia vuri në dorë Jozefit.» (Zanafilla 41:42) Ngaqë unaza kishte vulë zyrtare, tani Jozefi kishte autoritet të përmbushte këtë përgjegjësi të re.
Mbretëresha Jezebelë e Izraelit të lashtë përdori vulën e të shoqit, për të thurur një komplot që të vriste Nabotin. Ajo shkroi letra në emër të mbretit Akab dhe ua dërgoi disa pleqve, të cilëve u kërkoi të akuzonin Nabotin e pafajshëm se kishte mallkuar Perëndinë. Letrat i vulosi me vulën e mbretit dhe kështu plotësoi planin e saj mizor.—1 Mbretërve 21:5-14.
Mbreti pers, Asueri, përdori një unazë me vulë që të vërtetonte urdhrat zyrtarë.—Estera 3:10, 12.
Shkrimtari i Biblës, Nehemia, tha se princat izraelitë, levitët dhe priftërinjtë vulosën një marrëveshje të shkruar, që të tregonin se ishin dakord me të.—Nehemia 1:1; 9:38.
Bibla përmend dy raste kur vulat përdoreshin për të siguruar hyrje të ndryshme. Një rast lidhet me profetin Daniel. Kur e hodhën në gropën e luanëve, ‘sollën një gur dhe e vunë në grykën e gropës’. Më pas, mbreti Dar, sundimtari i Medisë dhe i Persisë, «e vulosi me unazën e tij me nënshkrim dhe me unazën me nënshkrim të fisnikëve të tij, me qëllim që asgjë të mos ndryshohej në rastin e Danielit».—Danieli 6:17.
Kur trupin e Jezu Krishtit e vendosën në varr, armiqtë e vet «vulosën gurin» te hyrja e varrit, që ta siguronin. (Mateu 27:66) Sipas një botimi shpjegues për librin e Mateut nga Dejvid Tërneri, nëse bëhej fjalë për një vulosje zyrtare nga autoritetet romake, «vula që mbushte hapësirën mes gurit . . . dhe hyrjes së varrit, do të ishte argjilë ose dyllë».
Arkeologëve dhe historianëve u interesojnë jashtë mase vulat e lashta, meqë ato mund të hedhin dritë mbi të kaluarën. Faktikisht, studimi i vulave, që quhet sigilografi, ka ngjallur goxha interes.