QËNDRONI VIGJILENTË!
Toka po rrënohet—Çfarë thotë Bibla?
«Jemi në prag të një katastrofe klimatike. Qytete të mëdha do të fundosen nën ujë. Do të kemi valë të nxehti të papara ndonjëherë. Stuhi të tmerrshme. Mungesë uji të pijshëm gjithandej. Një milion specie bimësh e kafshësh do të zhduken. Ky nuk është trillim ose ekzagjerim. Këtë rezultat parashikon shkenca duke u bazuar te politikat tona aktuale të energjisë.»—Fjalim i Antonio Guterresit, sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, në lidhje me raportin e Komitetit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, që doli më 4 prill 2022.
«Shkencëtarët po vënë alarmin se së shpejti thuajse të 423 parqet kombëtare [në Shtetet e Bashkuara] do të shkatërrohen për shkak të ndryshimeve klimatike, sidomos sepse ato preken më shpejt nga rritja e temperaturave. Kjo seri fatkeqësish ngjan me katastrofat që mund të kemi lexuar në Bibël: zjarr dhe përmbytje, shkrirje e shtresave të akullit, rritje e nivelit të deteve e valë të nxehti.»—Artikulli «Përmbytje kaotike në Yellowstone, shenjë e krizave të ardhshme», The New York Times, 15 qershor 2022.
A mund të zgjidhen problemet mjedisore të tokës? Nëse po, kush do t’i zgjidhë? Shqyrto çfarë thotë Bibla.
Dëmtimi i mjedisit ishte parathënë
Bibla thotë se Perëndia ‘do të shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Ky varg i Biblës na mëson tri gjëra:
1. Veprimet e njeriut do ta dëmtojnë rëndë tokën.
2. Shkatërrimi i tokës do të marrë fund.
3. Problemet mjedisore të planetit do t’i zgjidhë Perëndia, jo njerëzit.
E ardhmja e planetit tonë është e sigurt
Bibla thotë se «toka qëndron përjetë». (Eklisiastiu 1:4) Në të do të banojnë gjithmonë njerëz.
«Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29.
Planeti ynë do të ripërtërihet plotësisht.
«Shkretëtira dhe vendet e thata do të ngazëllojnë. Rrafshina e shkretë do të gëzojë dhe do të lulëzojë si shafrani.»—Isaia 35:1.