QËNDRONI VIGJILENTË!
Pse kaq shumë urrejtje?—Çfarë thotë Bibla?
Gjuha e urrejtjes, krimet e urrejtjes, dhuna etnike dhe luftërat janë bërë kryefjala e lajmeve sot.
«Gjuha e urrejtjes po përdoret si kurrë më parë në platformat e mediave sociale, si pasojë e konfliktit mes Izraelit e Gazës dhe e ekstremistëve që u hedhin dru zjarrit.»—The New York Times, 15 nëntor 2023.
«Që nga data 7 tetor, bota ka parë një rritje të ndjeshme dhe shqetësuese të urrejtjes, gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes.»—Denis Fransis, president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, 3 nëntor 2023.
Gjithmonë ka pasur gjuhë plot urrejtje, dhunë dhe luftëra. Në fakt, Bibla flet për njerëz që në të shkuarën ‘i lëshonin fjalët e helmuara si shigjeta’ dhe që nxitnin luftë e dhunë. (Psalmi 64:3; 120:7; 140:1) Megjithatë, Bibla shpjegon se urrejtja që shohim sot ka domethënie të veçantë.
Urrejtja—Shenjë e kohëve tona
Bibla zbulon 2 arsye pse është kaq e zakonshme urrejtja sot.
1. Ajo paratha se do të vinte një kohë kur ‘dashuria e shumicës do të ftohej’. (Mateu 24:12) Në vend të dashurisë, njerëzit në përgjithësi do të shfaqnin qëndrime që do të ushqenin urrejtjen.—2 Timoteut 3:1-5.
2. Niveli i urrejtjes që shohim sot është pasojë e ndikimit keqdashës dhe të lig të Satana Djallit. Bibla thotë se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të Ligut».—1 Gjonit 5:19; Zbulesa 12:9, 12.
Nga ana tjetër, Bibla parathotë edhe se së shpejti Perëndia do të shkulë me rrënjë shkaqet e urrejtjes. Jo vetëm kaq, por ai do të shërojë plagët që ka sjellë urrejtja. Bibla premton:
Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje. Gjërat e mëparshme shkuan».—Zbulesa 21:4.