Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta mbajmë nën kontroll konsumimin e alkoolit?

Si ta mbajmë nën kontroll konsumimin e alkoolit?

 Disa pinë më shumë alkool kur ndihen të stresuar, të vetmuar ose thjesht kur janë të mërzitur. A po pi më tepër se më parë? Nëse po, si mund të jesh i sigurt se konsumimi i alkoolit nuk po të del jashtë kontrollit dhe se nuk po krijon varësi? Shqyrto disa informacione praktike që mund të të ndihmojnë.

 Çfarë do të thotë të pish me karar?

 Bibla thotë: «Mos ji ndër ata që pinë verë me tepri.»—Proverbat 23:20.

 Mendo pak: Bibla nuk e dënon pirjen e alkoolit me karar. (Eklisiastiu 9:7) Megjithatë bën dallimin midis pirjes me karar, pirjes me tepri dhe dehjes. (Luka 21:34; Efesianëve 5:18; Titit 2:3) Edhe pse mund të mos dehesh, kur e tepron me alkoolin, mund të dëmtosh aftësinë për të marrë vendime, shëndetin ose marrëdhëniet me të tjerët.—Proverbat 23:29, 30.

 Shumë autoritete bëjnë dallimin mes pirjes me risk të lartë dhe pirjes me risk më të ulët. Shpesh këtë e përcaktojnë nga sasia që një person pi në ditë dhe nga sa ditë në javë pi. a Gjithsesi, çdo njeri reagon ndryshe ndaj alkoolit, madje, ndonjëherë është më mirë të mos pish fare. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë:

 «Edhe një ose dy pije mund të jenë shumë—për shembull:

  •   kur je në timon ose kur drejton një makineri.

  •   kur je shtatzënë ose kur ushqen foshnjën me gji.

  •   kur merr një mjekim të caktuar.

  •   kur ke ndonjë sëmundje të caktuar.

  •   kur nuk e kontrollon dot pirjen.»

 Shenja që tregojnë se po abuzon me alkoolin

 Bibla thotë: «Le t’i shqyrtojmë e t’i hetojmë udhët tona.»—Vajtimet 3:40.

 Mendo pak: Mund ta mbrosh veten nga efektet e dëmshme të alkoolit, nëse i shqyrton rregullisht zakonet e tua të pirjes dhe nëse bën ndryshimet e nevojshme. Shiko nëse ndonjë nga shenjat më poshtë të tregon se konsumimi i alkoolit po të del jashtë kontrollit.

  •   Pi alkool që të ngresh humorin. Mendon se duhet të pish që të relaksohesh, të rrish me të tjerët ose të bësh qejf. Pi që të përballosh problemet.

  •   Pi më shumë se më parë. Pi më shpesh. Pijet e tua përmbajnë përqindje më të lartë alkooli dhe duhet të pish më shumë që të ndjesh të njëjtin efekt si dikur.

  •   Pija të ka sjellë probleme në shtëpi dhe në punë. Për shembull, shpenzon më shumë nga ç’ta mban xhepi për alkoolin.

  •   Merr vendime të rrezikshme pasi pi, si për shembull, t’i japësh makinës, të notosh ose të drejtosh një makineri.

  •   Të tjerët shqetësohen për sasinë e alkoolit që pi. Kur ta thonë këtë, ti vihesh në mbrojtje. Përpiqesh t’ua fshehësh të tjerëve kur pi ose gënjen për sasinë që pi.

  •   Nuk heq dot dorë. Je përpjekur ta pakësosh disi alkoolin ose ta ndërpresësh fare, por më kot.

 Pesë sugjerime që të ndihmojnë ta mbash nën kontroll konsumimin e alkoolit

 1. Bëj një plan.

 Bibla thotë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri sukses.»—Proverbat 21:5.

 Provo këtë: Përcakto në cilat ditë të javës do të pish. Vër një kufi të arsyeshëm për sasinë e alkoolit që mund të pish gjatë këtyre ditëve. Dhe çdo javë veço dy ditë kur nuk do të vësh alkool në gojë.

 Një organizatë bamirëse e Mbretërisë së Bashkuar për përdorimin me maturi të alkoolit, komenton: «Shkëputja e herëpashershme nga alkooli është mënyra më e mirë për të mos krijuar varësi.»

 2. Zbatoje planin.

 Bibla thotë: «Përfundojeni atë që nisët.»—2 Korintasve 8:11.

 Provo këtë: Mëso sa alkool përmban një pije standarde, që të llogaritësh sa pi ti. Gjej pije të shëndetshme joalkoolike që të shijojnë dhe lëri diku që t’i marrësh kollaj.

 «Ndryshimet e vogla të ndihmojnë jashtë mase që të ulësh shanset për të pasur probleme me alkoolin.»—Instituti Kombëtar për Abuzimin me Alkoolin dhe Alkoolizmin në SHBA.

 3. Përmbaju vendimeve.

 Bibla thotë: «‘Po-ja’ juaj të jetë ‘po’ dhe ‘jo-ja’ juaj, ‘jo’.»—Jakovi 5:12.

 Provo këtë: Ji i përgatitur të thuash «jo» me mirësjellje por me vendosmëri, nëse të ofrojnë ndonjë pije që nuk e kishe në plan.

 Instituti Kombëtar për Abuzimin me Alkoolin dhe Alkoolizmin në SHBA, pohon: «Sa më shpejt t’u thuash jo këtyre ofertave, aq më pak shanse ka të dorëzohesh.»

 4. Përqendrohu te dobitë që sjellin vendimet e tua.

 Bibla thotë: «Më mirë se fillimi i një pune është fundi i saj.»—Eklisiastiu 7:8.

 Provo këtë: Rendit arsyet pse dëshiron që ta mbash nën kontroll konsumimin e alkoolit. Përfshi gjëra, si përmirësimi i gjumit, i shëndetit, i ekonomisë dhe i marrëdhënieve me të tjerët. Nëse flet me të tjerët për vendimet e tua, përqendrohu te dobitë, jo te vështirësitë.

 5. Lutju Perëndisë për mbështetje.

 Bibla thotë: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:13.

 Provo këtë: Nëse je në merak për zakonet e tua të pirjes, lutju Perëndisë për ndihmë. Kërkoji forcë dhe vetëkontroll. b Dhe gjej sugjerime praktike nga Bibla, Fjala e tij, që mund të të ndihmojnë. Kur ke Perëndinë pranë, mund ta mbash nën kontroll konsumimin e alkoolit.

a Për shembull, sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Publike në SHBA, pirja me risk të lartë përfshin «4 a më shumë pije në ditë ose 8 a më shumë në javë për femrat dhe 5 a më shumë në ditë ose 15 a më shumë në javë për meshkujt». Sasia standarde e pijes varet nga vendi, kështu që konsultohu me një mjek që të përcaktosh çfarë konsiderohet pije me risk të ulët për ty.

b Nëse nuk ia del dot të kontrollosh pijen, mbase duhet të kërkosh ndihmë edhe nga një specialist.