Si t’ia dalësh me më pak të ardhura
A je i detyruar të jetosh me më pak të ardhura për shkak të krizës ekonomike? Pandemitë, katastrofat natyrore, trazirat politike dhe konfliktet e armatosura mund ta rrënojnë ekonominë sa hap e mbyll sytë. Edhe pse rënia e papritur e të ardhurave mund të jetë goxha stresuese, disa hapa praktikë bazuar në mençurinë e Biblës mund të të ndihmojnë të jetosh edhe me më pak pará.
1. Prano rrethanat e reja
Parim nga Bibla: «Kam mësuar . . . si të jem i kënaqur . . . edhe kur kam me bollëk, edhe kur kam nevojë.»—Filipianëve 4:12.
Ndonëse do të kesh më pak para se dikur, mund mësosh të përshtatesh me situatën e re financiare. Sa më shpejt të pranosh realitetin dhe të fillosh të bësh ndryshime, aq më kollaj do ta përballosh ti dhe familja jote.
Informohu për ndihmën që mund të sigurojnë qeveria ose organizatat humanitare. Vepro sa më shpejt të mundesh, sepse koha për të aplikuar për programe të tilla është goxha e limituar.
2. Bashkëpunoni si familje
Parim nga Bibla: «Planet prishen kur nuk konsultohesh, por plotësohen me shumë këshilltarë.»—Proverbat 15:22.
Diskutoje situatën me bashkëshortin dhe me fëmijët. Duke folur hapur, mund të ndihmosh çdo pjesëtar të familjes që t’i kuptojë dhe t’i mbështetë ndryshimet e nevojshme. Dhe, kur secili përpiqet të jetë kursimtar e të mos shpenzojë kot së koti, do t’i menaxhoni më mirë të ardhurat që keni.
3. Bëj një buxhet
Parim nga Bibla: ‘Ulu që të llogaritësh shpenzimet.’—Luka 14:28.
Kur je i detyruar të jetosh me pak, është shumë e rëndësishme të dish ku shkon çdo qindarkë. Bëj një buxhet. Në fillim shëno të ardhurat që mendohet të keni gjatë muajit në këtë situatë të re. Pastaj shëno shpenzimet mujore dhe si i harxhonit zakonisht paratë, edhe pse kjo duhet të ndryshojë. Përpiqu të përfshish në shpenzimet mujore një sasi parash që t’i lësh mënjanë për ndonjë të papritur apo urgjencë.
Sugjerim: Kur i shënon me kujdes shpenzimet, mos harro të shënosh edhe blerjet e vogla. Mund të habitesh sa para të ikin me këto gjëra. Për shembull, një burrë mbajti shënim për çdo gjë që shpenzonte dhe kuptoi se çdo vit harxhonte qindra dollarë vetëm për çamçakëzë.
4. Përcakto cilat shpenzime janë më të rëndësishme dhe bëj ndryshime
Parim nga Bibla: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’—Filipianëve 1:10.
Krahaso të ardhurat me shpenzimet. Pastaj identifiko çfarë shpenzimesh mund të shmangësh ose të reduktosh që të jetosh me aq sa ke. Shqyrto këto fusha:
Transporti. Nëse ke më shumë se një makinë, pse të mos e shesësh një? Nëse ke makinë luksoze, a mund ta ndërrosh me një më ekonomike? A mund të përdorësh transportin publik ose biçikletën dhe ta heqësh fare makinën?
Zbavitjet. Të paktën për njëfarë kohe, a mund t’i anulosh abonimet në platformat televizive, satelitore a kabllore, ose platformat online? A mund të gjesh alternativa që kushtojnë më pak?
Pagesat mujore. Diskuto me familjen si të ulësh shpenzimet për ujin, elektricitetin dhe gazin. Të fikësh dritat dhe të bësh një dush të shkurtër, mund të duken gjëra të vogla, ama, kështu mund të kursesh.
Ushqimi. Përpiqu të mos hash në restorante. Në vend të kësaj, gatuaj në shtëpi. Planifikoji vaktet, bli dhe gatuaj në sasi të mëdha nëse është e mundur, dhe mos e hidh ushqimin. Bëj një listë para se të bësh pazarin që të shmangësh blerjet impulsive. Bli ushqime të freskëta të stinës, që zakonisht kushtojnë më lirë. Përpiqu të mos blesh ushqime të pashëndetshme. Pse të mos mbjellësh ca perime në bahçe?
Veshjet. Bli rroba vetëm kur duhet të zëvendësosh ato që kanë dalë jashtë përdorimit, jo për të ndjekur modën. Përpiqu të blesh në fund të sezoneve kur ka ulje ose bli rroba të përdorura që janë në gjendje të mirë. Nëse është kohë e mirë dhe nëse ke mundësi, mos përdor tharëse rrobash, por vari jashtë që të thahen. Kështu do të kursesh goxha energji.
Blerjet. Para se të blesh diçka, pyet veten: «A e përballoj dot? A më duhet vërtet?» A mund ta shtysh për më vonë zëvendësimin e pajisjeve shtëpiake, të pajisjeve elektronike ose të makinave? Nga ana tjetër, a mund t’i shesësh gjërat që nuk i ke përdorur prej kohësh ose që nuk të duhen më? Në këtë mënyrë do të thjeshtosh jetën dhe do të kesh më shumë të ardhura.
Sugjerim: Kur të ardhurat e tua bien papritur, mund të nxitesh të heqësh dorë nga zakone të dëmshme dhe të kushtueshme, si duhani, bixhozi ose abuzimi me alkoolin. Ndryshime të tilla jo vetëm që do të përmirësojnë gjendjen tënde ekonomike, por edhe cilësinë e jetës.
5. Merr njohuri për Perëndinë
Parim nga Bibla: «Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë.»—Mateu 5:3.
Bibla ofron këtë pikëpamje të ekuilibruar: «Mençuria është mbrojtje siç është edhe paraja, por epërsia e njohurisë dhe e mençurisë është se i ruajnë gjallë ata që i zotërojnë.» (Eklisiastiu 7:12) Kjo lloj mençurie gjendet në Bibël dhe shumë veta kanë parë se, kur i zbatojnë këshillat e saj, shmangin ankthin e panevojshëm për çështjet financiare.—Mateu 6:31, 32.