Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

DEA/G. Dagli Orti/De Agostini via Getty Images

Huldrih Cvingli: Rrugëtimi i tij për të gjetur të vërtetën e Biblës

Huldrih Cvingli: Rrugëtimi i tij për të gjetur të vërtetën e Biblës

 Sot shumë besimtarë të sinqertë mund ta konfirmojnë fare kollaj nëse bindjet e tyre bazohen apo jo tek ajo që mëson Bibla. Mirëpo nuk ishte kështu në agim të shekullit të 16-të. Pse? Sepse shumica e njerëzve nuk kishin mundësi ta lexonin Biblën në gjuhën e tyre. Ja pse ishin të rralla rastet kur një pjesëtar i kishës mund të krahasonte mësimet e Kishës me atë që thoshte vërtet Bibla. Nga ana tjetër, as anëtarët e klerit nuk i ndihmonin shumë njerëzit. Historia e kishës së krishterë (anglisht) thotë: «Kisha në Zvicër ishte e korruptuar. Klerikët ishin injorantë, supersticiozë dhe imoralë.»

 Në këtë sfond historik nisi rrugëtimi i Huldrih Cvinglit në kërkim të së vërtetës së Biblës. Çfarë zbuloi ai? Si ua tregoi të tjerëve ato që mësoi? Dhe çfarë mësojmë nga jeta dhe bindjet e tij?

Cvingli fillon kërkimet

 Në fillim të të 20-ave, Cvingli e ndau mendjen të bëhej prift katolik. Njësoj siç kërkohej nga kandidatët e tjerë për priftëri, edhe Cvingli studioi filozofi, traditat kishtare dhe veprat e «Etërve të Kishës», por jo vetë Biblën.

 Atëherë si nisi të zbulonte Cvingli të vërtetën e Biblës? Kur ishte në universitet, në Bazel, Zvicër, ai ndoqi leksionet e Tomas Vitenbahut, i cili dënonte indulgjencat e Kishës. a Sipas një biografi, Cvingli «mësoi nga [Vitenbahu] se vdekja e Krishtit ishte ofruar një herë e mirë për mëkatet tona». (1 Pjetrit 3:18) Kur kuptoi se flijimi shpërblyes i Jezuit siguron të vetmen bazë për faljen e mëkateve, Cvingli hodhi poshtë mësimin sipas të cilit udhëheqësit e kishës mund të falnin mëkatet në këmbim të parave. (Veprat 8:20) Gjithsesi, Cvingli vazhdoi studimet dhe u bë pastor katolik në moshën 22-vjeçare.

 Gjatë të 20-ave, Cvingli mësoi në mënyrë autodidakte greqishten, për të kuptuar gjuhën origjinale të asaj që njihet gjerësisht si Dhiata e Re. Ai studioi edhe veprat e Erasmit dhe kuptoi se, tamam siç mëson Bibla, Jezui është i vetmi Ndërmjetës mes Perëndisë dhe njerëzve. (1 Timoteut 2:5) Si rezultat, Cvingli vuri në pikëpyetje mësimin katolik lidhur me rolin e shenjtorëve për t’iu lutur Perëndisë.

 Kur ishte në të 30-at, përpjekjet e Cvinglit në kërkim të së vërtetës u intensifikuan. Mirëpo, ndërkohë ai shërbeu edhe si kapelan ushtrie gjatë luftërave që përfshinë Evropën për të fituar kontroll mbi Italinë. Në betejën e Marinjanos më 1515, ai pa katolikët tek vrisnin mijëra katolikë të tjerë. Disa vjet më vonë, Cvingli kopjoi me dorë dhe mësoi përmendsh pjesën më të madhe të Shkrimeve Greke. Aty nga viti 1519, ai ishte vendosur me banim në Zyrih, qendra e pushtetit politik në Zvicër. Atje, me kalimin e kohës u bind se Kisha duhej t’i jepte fund çdo mësimi që nuk mbështetej nga Shkrimet. Por, si mund t’i ndihmonte edhe të tjerët të arrinin në të njëjtin përfundim?

«Kurrë më parë s’e kemi dëgjuar një predikim të tillë!»

 Cvingli besonte se njerëzit, po të dëgjonin të vërtetën e Biblës, do t’i hidhnin poshtë gënjeshtrat fetare. Kështu, pasi u emërua prift në kishën e shquar të Grosmynshterit në Zyrih, në fillim të predikimit, zbuloi planin e tij të guximshëm: nuk do të lexonte më nga leksionet latine b që kleri i kishte recituar për shekuj me radhë. Përkundrazi, do të predikonte direkt nga Bibla, kapitull më kapitull, nga fillimi në fund. Në vend që të përdorte idetë e Etërve të Kishës për të shpjeguar Shkrimet, do të lejonte që Shkrimet të shpjegonin veten. Këtë do ta bënte duke përdorur fragmente më të qarta të Shkrimeve për të hedhur dritë mbi fragmente më të vështira.—2 Timoteut 3:16.

Sergio Azenha/Alamy Stock Photo

Kisha e Grosmynshterit në Zyrih

 Teksa predikonte, Cvingli nxirrte në dritë vlerën praktike të Biblës. Ai u mësonte njerëzve normat morale të Biblës, predikonte se ishte e gabuar të adhurohej nëna e Jezuit, Maria, t’u bëheshin lutje shenjtorëve, të shiteshin indulgjencat, si edhe dënonte imoralitetin e klerit. Si reaguan njerëzit? Pas predikimit të tij të parë, disa thanë: «Kurrë më parë s’e kemi dëgjuar një predikim të tillë!» Ja çfarë shkroi një historian për auditorin katolik të Cvinglit: «Ata që kishin braktisur shërbesat kishtare nga neveria për injorancën dhe jetën skandaloze të priftërinjve, tani janë kthyer në kishë.»

 Më 1522, kleri u orvat të përfshinte politikanët e Zyrihut për të ndaluar çdo praktikë që shkonte kundër doktrinave të kishës. Si pasojë, Cvinglin e akuzuan për herezi. Ai nuk pranoi të bënte kompromis me bindjet e tij, prandaj hoqi dorë nga roli si prift katolik.

Cvingli nuk dorëzohet

 Edhe pse Cvingli nuk ishte më prift, nuk e ndali predikimin dhe u përpoq t’ua mbushte mendjen njerëzve se bindjet e tij ishin të drejta. Ai kishte fituar popullaritet mes njerëzve, dhe kjo e ndihmoi të bëhej njeri me influencë mes politikanëve të Zyrihut. Cvingli shfrytëzoi influencën politike për të bërë reforma fetare në Zyrih. Për shembull, më 1523, ai i bindi autoritetet gjyqësore të Zyrihut të ndalonin çdo mësim fetar që nuk mund të vërtetohej me anë të Shkrimeve. Më 1524, ua mbushi mendjen ta shpallnin të paligjshme idhujtarinë. Magjistratët civilë, në bashkëpunim me predikuesit vendës dhe me miratimin e njerëzve, udhëhoqën një fushatë masive për të shkatërruar altarë, idhuj, shëmbëlltyra dhe relikte fetare. Një libër shpjegon: «Që nga koha e plaçkitjeve të vendeve të adhurimit nga vikingët, kjo ishte hera e parë që Kisha Perëndimore pësonte një shkatërrim të tillë të qëllimshëm.» (Zwingli—God’s Armed Prophet) Aty nga viti 1525, ai i kishte bindur autoritetet të kthenin në spitale disa prona të kishës dhe të lejonin murgjit e murgeshat të martoheshin. Gjithashtu propozoi që Mesha të zëvendësohej me një ceremoni të thjeshtë që bazohej te modeli i përshkruar në Bibël. (1 Korintasve 11:23-25) Historianët thonë se përpjekjet e Cvinglit bashkuan figura të shquara fetare e politike të Zyrihut dhe hodhën themelin për Reformën dhe për fenë e re protestante.

Bibla e Zyrihut, botim i vitit 1536, Selia Botërore e Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork

 Vepra më e rëndësishme e Cvinglit ishte përkthimi i Biblës. Gjatë viteve 20 të shekullit të 16-të, ai drejtoi një grup studiuesish për ta përkthyer Biblën duke përdorur një metodë të thjeshtë. Në fillim lexonin çdo varg nga hebraishtja dhe greqishtja origjinale, si edhe nga përkthime të respektuara të tilla, si Septuaginta greke dhe Vulgata latine. Pastaj diskutonin për kuptimin e vargut dhe hidhnin me shkrim përfundimet që kishin nxjerrë. Puna e tyre për të shpjeguar e për të përkthyer Fjalën e Perëndisë, solli si rezultat botimin njëvëllimësh të Biblës së Zyrihut, të vitit 1531.

 Cvingli mund të ketë qenë i sinqertë, por ishte edhe intolerant e agresiv. Për shembull, në vitin 1525, ai mori pjesë në gjyqin e anabaptistëve, të cilët nuk ishin dakord me bindjen e tij se foshnjat duhej të pagëzoheshin. Më vonë, kur gjykatat shpallën dënim me vdekje për këdo që nuk pranonte pagëzimin e foshnjave, ai nuk e kundërshtoi këtë vendim të ashpër. Veç kësaj, nxiti udhëheqësit politikë të përdornin forcën ushtarake për të përhapur reformën. Megjithatë, disa rajone që ishin përkrahës të flaktë të katolicizmit në Zvicër, u bënë rezistencë reformave të tij. Kjo çoi në luftë civile. Bashkë me një ushtri, Cvingli shkoi nga Zyrihu në fushën e betejës, ku mbeti i vrarë në moshën 47-vjeçare.

Trashëgimia e Cvinglit

 Pa diskutim, Huldrih Cvingli zë një vend të rëndësishëm në histori, ndonëse fama e tij u eklipsua nga Martin Luteri dhe Xhon Kalvini, reformatorë protestantë me influencë. Cvingli u shkëput nga katolicizmi romak në mënyrë më radikale se Luteri dhe përgatiti udhën për Kalvinin. Prandaj është quajtur Personi i Tretë i Reformës.

 Puna e Cvinglit pati efekte pozitive e negative. Për të përhapur pikëpamjet e tij, ai u përfshi shumë në politikë e në luftëra. Në këtë mënyrë, nuk ndoqi shembullin e Jezu Krishtit, i cili nuk pranoi të përfshihej në politikë dhe u mësoi dishepujve t’i donin armiqtë, jo t’i vrisnin.—Mateu 5:43, 44; Gjoni 6:14, 15.

 Sidoqoftë, Cvingli kujtohet si një studiues i zellshëm i Biblës, i vendosur për t’ua treguar edhe të tjerëve gjërat që mësonte. Ai zbuloi shumë të vërteta prej saj dhe i ndihmoi të tjerët të bënin po njësoj.

a Indulgjencat ishin letra që lëshoheshin nga udhëheqësit e kishës që gjoja pakësonin ose eliminonin ndëshkimin që do të vuanin njerëzit në purgator pas vdekjes.

b Një leksion është një libër që përmban vargje të përzgjedhura nga Bibla të cilat lexohen gjatë vitit.