SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Zyrat Rajonale të Përkthimit u sjellin dobi miliona vetave
1 MARS 2021
Më shumë se 60 për qind e skuadrave të përkthimit që punojnë në kohë të plotë, nuk shërbejnë në zyra dege, por në Zyra Rajonale Përkthimi (ZRP). Çfarë avantazhesh sjell kjo? Cilat pajisje u duhen përkthyesve për ta kryer me efektshmëri punën në një ZRP? Dhe si ndikon vendndodhja e skuadrës së përkthimit te cilësia e punës?
Një ZRP u jep mundësi përkthyesve të jetojnë atje ku gjuhën e flasin shumë njerëz. Kerina, që përkthen në gjermanishten e veriut, shpjegon: «Që kur jemi transferuar në ZRP-në në Kuautemok, Çiuaua, Meksikë, flasim gjithë kohës gjermanishten e veriut—me përkthyesit e tjerë, në shërbim, madje edhe kur dalim për pazar. Jemi plotësisht të rrethuar nga njerëz që flasin gjuhën tonë. Dëgjojmë shprehje idiomatike që nuk i kishim dëgjuar prej kohësh dhe përditësohemi vazhdimisht me fjalorin e njerëzve.»
Xhejmsi, i cili punon për skuadrën e përkthimit të gjuhës frafra në Ganë, pranon se ndonjëherë i mungon shoqëria me familjen Bethel në zyrën e degës. Megjithatë tregon: «E dua shumë punën në ZRP. Prekem thellë kur predikoj në gjuhën vendëse dhe kur shoh si reagojnë njerëzit ndaj lajmit të mirë.»
Çfarë marrin parasysh vëllezërit kur u duhet të zgjedhin vendin për një ZRP? Xhozefi, që bën pjesë në Repartin Botëror të Projektim-Ndërtimit në Uoruik, Nju-Jork, SHBA, thotë: «Një nga vështirësitë që hasim, është se në disa zona ka ndërprerje të energjisë elektrike a të ujit ose nuk ka Internetin e nevojshëm për të marrë materialet që duhen përkthyer. Prandaj, kur mendojmë për vendin e një ZRP-je, shqyrtojmë si mundësi disa nga vendet ku flitet gjuha.»
Në përgjithësi, alternativa më e shpejtë dhe më pak e kushtueshme është ta vendosim ZRP-në në një godinë ekzistuese, si për shembull, në një Sallë Asamblesh, Sallë Mbretërie ose shtëpi misionare ku përkthyesit mund të shkojnë e të punojnë, ndërkohë që jetojnë diku tjetër. Nëse nuk ekziston një alternativë e tillë, vëllezërit mund të marrin aprovimin për të blerë një hapësirë me apartamente dhe zyra, ku përkthyesit mund të jetojnë e të punojnë. Nëse ndryshojnë nevojat e skuadrës së përkthimit, këto godina fare kollaj mund të shiten, dhe të ardhurat mund të përdoren për projekte më të domosdoshme.
Të pajisur për të vazhduar punën
Gjatë vitit të shërbimit 2020, shpenzuam 13 milionë dollarë (amerikanë) për funksionimin e ZRP-ve. Skuadrat e përkthimit nëpër ZRP kanë nevojë për kompjuterë, programe software të specializuara, pajisje për regjistrime audio, lidhje Interneti dhe gjëra të tjera të domosdoshme. Zakonisht kostoja e pajisjeve kompjuterike për një përkthyes shkon diku te 750 dollarë. Në kompjuterë instalohen programe software të licensuara dhe Watchtower Translation System, një program që i ndihmon përkthyesit të organizojnë punën dhe të përdorin materialet që kanë për referim.
Përkthyesve u sigurohen edhe aparatura për regjistrimet audio, që u japin mundësi t’i regjistrojnë materialet në zyrën e tyre. Këto aparatura hynë shumë në punë kur filloi pandemia COVID-19, sepse përkthyesit mund t’i merrnin në shtëpi dhe të vazhdonin punën me regjistrimin e materialeve dhe të videove të përkthyera.
Shpesh, vëllezërit vendës ndihmojnë duke dhënë sugjerime për përkthimin dhe duke mirëmbajtur godinat e ZRP-ve. Kërstini, i cili shërben në ZRP-në e gjuhës afrikanse në Kejptaun, Afrika e Jugut, thotë: «Shumë lajmëtarë dhe pionierë të rregullt i përdorin talentet e tyre kur bashkëpunojnë me ZRP-në.»
Vëllezërit janë të lumtur për këtë privilegj. Një motër që ndihmon në ZRP thotë se puna atje është si «një fllad freskues». Disa vëllezër e motra vendëse dhurojnë edhe zërin e tyre për regjistrimet audio. Juana, përkthyese për gjuhën totonako në Verakruz, Meksikë, thotë: «Tani që jemi më afër qytezave ku flitet gjuha jonë, është më e thjeshtë të gjejmë vëllezër e motra për të regjistruar botimet audio dhe video.»
Por, a kanë kontribuar ZRP-të në përmirësimin e cilësisë së përkthimit? Miliona nga lexuesit tanë thonë se po. Sedriku, i cili përkthen për gjuhën kongoleze në Republikën Demokratike të Kongos, tregon: «Disa vëllezër e motra thoshin se më përpara i përkthenim botimet me ‘kongolezen e Kullës së Rojës’, sepse nuk përdornim gjuhën e njerëzve të thjeshtë. Kurse tani, thonë se botimet tona përkthehen në kongolezen moderne, siç flasin njerëzit në jetën e përditshme.»
Andili, që punon me skuadrën e gjuhës xhose në Afrikën e Jugut, ka hasur reagime të ngjashme. Ai pohon: «Shumë veta na thonë se kanë dalluar ndryshime në përkthim. Edhe fëmijët që më përpara e lexonin Kullën e Rojës në anglisht, tani e lexojnë në gjuhën xhose. U pëlqen sidomos natyrshmëria e botimit të rishikuar të Përkthimit Bota e Re.»
Të gjitha shpenzimet për të bërë gati e për të mirëmbajtur një ZRP, si edhe për të mbështetur personelin që punon aty, mbulohen nga dhurimet vullnetare për veprën mbarëbotërore, përfshirë edhe ato që bëhen në donate.isa4310.com.