SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Projekte ndërtimi të përfunduara me sukses para pandemisë
1 NËNTOR 2020
Qindra mijëra veta pagëzohen çdo vit, prandaj nevojiten gjithnjë e më shumë godina teokratike. Për këtë arsye, Repartet Vendëse të Projektim-Ndërtimit kishin planifikuar të ndërtonin ose të rinovonin mbi 2.700 vende adhurimi gjatë vitit të shërbimit 2020. a
Mjerisht, pandemia COVID-19 i pengoi këto plane. Për të mbrojtur vëllezërit e motrat dhe për të respektuar drejtimin e autoriteteve, Komiteti i Botimit i Trupit Udhëheqës ndërpreu shumicën e projekteve të ndërtimit anekënd botës. Megjithatë, gjatë vitit të shërbimit 2020, u ndërtuan ose u rinovuan më shumë se 1.700 vende adhurimi para se të shpërthente pandemia. Përveç kësaj, u përfunduan mbi 100 projekte të mëdha degësh. Ja si u ka sjellë dobi vëllezërve tanë përfundimi i dy prej këtyre projekteve.
Dega e Kamerunit. Dega e mëparshme që ndodhej në Dualë ishte tepër e vogël, e veç kësaj kishte nevojë për rinovime të mëdha. Komiteti i Botimit shqyrtoi mundësinë për të rinovuar degën, por kostoja e tejkalonte vlerën e godinave. Atëherë menduan opsionin për të ndërtuar një godinë të re ose për të blerë e rinovuar një strukturë ekzistuese. Por nuk u realizua asnjëra nga këto.
Ndërkohë, vëllezërit morën vesh se në veri të Dualës, qeveria planifikonte të ndërtonte një rrugë pranë një prej Sallave tona të Asambleve. Rruga do ta thjeshtonte udhëtimin për në atë zonë dhe do të siguronte shërbime publike, si ujë dhe elektricitet. Këto zhvillime plotësonin më së miri nevojat e degës. Kështu, Trupi Udhëheqës dha miratimin që të ndërtohej një degë e re në një pjesë të truallit të Sallës së Asambleve.
Për këtë projekt punuan Dëshmitarë dhe disa kontraktues me pagesë. Kjo pakësoi shpenzimet dhe kohëzgjatjen. Në fakt, ky projekt u realizua me mbi 2 milionë dollarë më pak shpenzime nga ç’pritej! Familja Bethel arriti të transferohej në godinat e reja pak para se të shpërthente COVID-19.
Sot bethelitët në Kamerun po gëzojnë kushte më të mira jetese e pune dhe e konsiderojnë degën e re si dhuratë nga Jehovai. Një çift tha: «Tani duam të punojmë më fort e të tregojmë se e çmojmë shumë këtë dhuratë.»
Zyra Rajonale e Përkthimit (ZRP) e gjuhës tokolabale, Meksikë. Për vite të tëra, skuadra e përkthimit për gjuhën tokolabale ka punuar në degën e Amerikës Qendrore që ndodhej pranë qytetit të Meksikos. Mirëpo, gjuha tokolabale flitet kryesisht në Altamirano dhe në Las Margaritas—qytete afro 1.000 kilometra larg! Si pasojë, përkthyesit e kishin të vështirë të mbeteshin të përditësuar me gjuhën, meqë zakonisht çdo gjuhë evoluon. Gjithashtu, dega mundohej shumë për të gjetur, nga zona aty pranë, motra e vëllezër të kualifikuar për të ndihmuar me përkthimet dhe me regjistrimet në gjuhë tokolabale.
Për këto arsye, Komiteti i Shkrimit i Trupit Udhëheqës dëshironte ta zhvendoste skuadrën e përkthimit në zonën ku flitet gjuha tokolabale. Ja pse dega vendosi të blinte dhe të rinovonte një ndërtesë. Kjo kushtonte më pak se të ndërtoje ose të merrje me qira disa zyra.
Një përkthyes shpjegon si ka nxjerrë dobi: «Në dhjetë vjet që kam punuar si përkthyes në degë, nuk kam takuar asnjë familje aty afër që të fliste gjuhën time. Tani zyra jonë ndodhet në zemër të territorit kur flitet gjuha tokolabale. Takoj njerëz që flasin këtë gjuhë çdo ditë. Kjo ma ka pasuruar fjalorin dhe ka përmirësuar cilësinë e punës sime.»
Projekte për vitin e shërbimit 2021
Për vitin e shërbimit 2021, është planifikuar të punohet në 75 ZRP dhe godina të shkollave teokratike, nëse e lejojnë rrethanat. Puna do të vazhdojë edhe për tetë projekte të mëdha degësh, përfshirë këtu projektin e ri të selisë botërore në Ramapo, Nju Jork, si edhe zhvendosjen e degëve të Argjentinës dhe të Italisë. Veç kësaj, nevojiten mbi 1.000 Salla të reja Mbretërie. Më shumë se 6.000 vende adhurimi për momentin janë jashtë funksionit e duhen zëvendësuar, dhe 4.000 Salla të tjera kanë nevojë për rinovim.
Si financohet gjithë kjo punë ndërtimi dhe rinovimi? Kësaj pyetjeje iu përgjigj vëllai Lázaro Gonxález, anëtar i Komitetit të Degës së Amerikës Qendrore, ndërsa fliste për projektin e Zyrës Rajonale të Përkthimit të gjuhës tokolabale: «Në territorin e degës sonë, kemi pak të ardhura. Prandaj, pa ndihmën e organizatës do të ishte e pamundur të ndërtonim zyra përkthimi për bashkëbesimtarët tanë që flasin gjuhë indigjene. Fondet që sigurojnë vëllezërit nga e gjithë bota kanë bërë të mundur që përkthyesit të jenë më afër komuniteteve ku fliten gjuhët e tyre. Falënderojmë nga zemra vëllazërinë mbarëbotërore për mbështetjen e tyre bujare.» Po, këto projekte ndërtimi realizohen falë dhuratave që jepni për veprën mbarëbotërore, shumë prej të cilave bëhen nëpërmjet donate.isa4310.com.
a Repartet Vendëse të Projektim-Ndërtimit planifikojnë dhe ndërtojnë Salla Mbretërie në territorin e degës së tyre. Reparti Botëror i Projektim-Ndërtimit, që ndodhet në selinë botërore, vendos përparësitë e projekteve të ndërtimit dhe pastaj koordinon punën.