NGA ARKIVAT TANË
Lajmi i mirë në transmetim
Të dielën në mbrëmje, më 24 shkurt 1924, filloi transmetimin për herë të parë stacioni i ri radiofonik i Studentëve të Biblës a, WBBR. Si ishte ai transmetim? Cilët e dëgjuan? Dhe si kanë vazhduar Dëshmitarët e Jehovait të përdorin teknologjinë më të fundit për të përhapur ‘lajmin e mirë për Mbretërinë në gjithë tokën e banuar’?—Mateu 24:14.
«Dhe kështu filluam»
Transmetimi i parë nisi në 8.30 të mbrëmjes dhe zgjati 2 orë. Programi u transmetua nga një studio e sapondërtuar në Stejtën-Ajlënd, Nju-Jork. Kryetekniku i zërit, vëlla Ralf Lefleri, sillte ndër mend se të gjithë në studio ishin tejet entuziastë, por edhe disi në ankth. «A do të arrijnë të na dëgjojnë?»—vriste mendjen ai. Pastaj shtoi: «Shtypa butonin e ndezjes, dhe kështu filluam, duke shpresuar për më të mirën.»
Prezantuesi i atij programi të parë historik ishte vëlla Viktor Shmidi, drejtuesi i stacionit radiofonik. Ai e nisi programin duke prezantuar këngëtarë e muzikantë të talentuar, të gjithë Studentë të Biblës. Në fillim, një solist luajti në piano muzikë klasike. Pastaj, Kora Uellmani këndoi «Nëntëdhjetë e nëntë», këngë e bazuar tek ilustrimi i Jezuit për delen e humbur. (Luka 15:4-7) Ndër performancat vijuese ishte edhe kënga «I penduari», kënduar nga Frederik Franci, e cila fliste për historinë e djalit të humbur ose plëngprishës.—Luka 15:11-25.
Xhozef Radhërfordi, i cili merrte drejtimin mes Studentëve të Biblës në atë kohë, mbajti një fjalim gjatë të cilit tha se stacioni radiofonik u kushtohej «interesave të Mbretërisë së Mesisë». Ai tha: «Meqë Perëndia ka lejuar shpikjen e radios në këtë kohë, me siguri është vullneti i tij që ta përdorim për t’u treguar njerëzve përmbushjen e profecive të Tij madhështore.»
«Nuk humba asnjë rrokje»
Atë transmetim të parë e ndoqën shumë dëgjues në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara. Një dëgjues nga mbi 320 kilometra larg, në Morisvill, Vermont, raportonte: «Me kënaqësi ju njoftoj se programi është dëgjuar mirë. . . . Sidomos zëri i Radhërfordit u dëgjua mjaft qartë. . . . Nuk humba asnjë rrokje.» Madje programin arriti ta ndiqte edhe një dëgjues në Montiçelo, Florida. Stacioni i ri radiofonik pati një sukses të jashtëzakonshëm, dhe letrat e falënderimit vinin pa pushim.
Stacioni radiofonik e transmetoi mesazhin e Mbretërisë për 33 vjet, b kryesisht për vendet në verilindje të Shteteve të Bashkuara. Por me raste, WBBR-ja lidhej me rrjetin e stacioneve të tjera radiofonike, duke bërë kështu të mundur që të dëgjohej nga miliona veta në Shtetet e Bashkuara, Kanada e në vende akoma më të largëta. Në fakt, Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 1975 raportonte: «Deri në vitin 1933, kur transmetimet e radios sonë arritën kulmin, kishim përdorur 408 stacione për ta çuar mesazhin në 6 kontinente dhe kishim transmetuar 23.783 fjalime të bazuara në Bibël. . . . Asokohe, dikush mund të luante butonin e radios dhe të kapte frekuencat e transmetimeve Watch Tower që vinin njëkohësisht nga stacione të ndryshme radiofonike, larg njëri-tjetrit. Kudo, njerëzit që përdornin radion, mund të dëgjonin fjalët e së vërtetës që i jepnin lavdi Perëndisë.»
Shërbimi shtëpi më shtëpi sjell më shumë rezultate se radioja
Kur Studentët e Biblës filluan të përdornin radion WBBR, në Shtetet e Bashkuara kishte mesatarisht 1.064 lajmëtarë të Mbretërisë. Transmetimet e radios e ndihmuan tej mase këtë grup relativisht të vogël. Mirëpo, aty nga viti 1957, në Shtetet e Bashkuara kishte mesatarisht 187.762 lajmëtarë të Mbretërisë dhe në mbarë botën, 653.273. Për më tepër, falë stërvitjes që sigurohej në mbledhjet e kongregacionit, ata vëllezër e motra të zellshëm po bëheshin gjithnjë e më të efektshëm në veprën shtëpi më shtëpi dhe në forma të tjera shërbimi.
Këto ndryshime pozitive i shtynë vëllezërit përgjegjës të shqyrtonin nëse transmetimet radiofonike ishin po aq të efektshme sa vizitat që u bëheshin njerëzve në shtëpitë e tyre. Cili ishte rezultati? U mor vendimi për të shitur WBBR-në, i vetmi stacion që Shoqata Watchtower kishte ende në pronësi dhe në përdorim. Stacioni u shit më 15 prill 1957. Një ditë para kësaj, gjatë një transmetimi special lamtumire, Nejthën Norin e pyetën pse po e shitnin stacionin radiofonik. Ai shpjegoi se rritja e numrit të Dëshmitarëve të Jehovait ishte kryesisht rezultat i veprës shtëpi më shtëpi. «Transmetimet e WBBR-së kanë ndihmuar jashtë mase shumë veta»,—tha ai. Më pas, shtoi: «Prapëseprapë, rritja në zonat ku transmetohej WBBR-ja, nuk ka qenë më e madhe se në vendet e tjera të botës.» Kështu, vëllezërit nxorën përfundimin se vepra shtëpi më shtëpi mund të sillte më tepër rezultate se radioja. Gjithsesi, ky nuk ishte fundi i transmetimeve tona. Dekada më vonë, transmetimet rifilluan, por në një formë tjetër.
Transmetimet sot
Më 6 tetor 2014, ndodhi një zhvillim emocionues në organizatën e Jehovait—filluan transmetimet e stacionit televiziv në internet, JW Broadcasting. Dëshmitarët e Jehovait dhe të tjerët ndjekin aty programet mujore nëpërmjet një shfletuesi interneti (browser), aplikacionit JW Library, pajisjeve për streaming ose një dekoderi satelitor. c Gjithsesi, në disa vende të botës, shërbëtorët e Jehovait përfitojnë ende nga stacionet konvencionale radiofonike dhe televizive. Si?
Vitet e fundit, organizata e Jehovait ka përdorur stacione radiofonike dhe televizive të siguruara nga kompani jo Dëshmitarësh për të transmetuar mbledhjet javore të kongregacionit, si edhe kongreset tona në disa zona ku nuk ka internet të qëndrueshëm. Këto transmetime i kanë ndjekur edhe një numër i madh njerëzish që s’janë Dëshmitarë, ndër ta edhe shumë të interesuar. Për shembull, mes viteve 2021 dhe 2022, drejtues të disa stacioneve radiofonike i raportuan zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Afrikën Lindore se shumë njerëz që s’janë Dëshmitarë, kanë shprehur vlerësim për mbledhjet tona. Madje, shumë dëgjues në Kenia, në Sudanin e Jugut dhe në Tanzani kanë kërkuar të studiojnë Biblën.
Gjithsesi, metodat kryesore që përdorin Dëshmitarët e Jehovait për të përhapur mesazhin e Mbretërisë në mbarë botën janë vepra shtëpi më shtëpi, stendat e literaturës dhe siti jw.org. Falë sitit tonë, të interesuarit fare kollaj mund të lexojnë vetë Biblën dhe botimet e bazuara në të, në mbi 1.080 gjuhë, falas. Gjithashtu mund të gjejnë përgjigje për pyetje rreth Biblës, si edhe vendet ku mbajmë mbledhjet tona. Si rezultat i këtyre përpjekjeve dhe iniciativave, Dëshmitarët e Jehovait e kanë bërë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë më të aksesueshëm se kurrë më parë në historinë e njerëzimit. Ky lajm po përhapet vërtet «në gjithë tokën e banuar», tamam siç parathuhej në Bibël.—Mateu 24:14.
a Emrin Dëshmitarë të Jehovait, Studentët e Biblës e morën më 1931.
b Për njëfarë kohe, Dëshmitarët e Jehovait kishin stacione radiofonike edhe në shtete të tjera, si në Australi dhe Kanada.
c Shih artikullin «Një kanal satelitor JW arrin aty ku nuk arrin dot interneti».