DARËLL SHARP | JETËSHKRIM
Perëndia na dha forcë që të mos sprapseshim
«As muajin s’ka për të mbyllur!» Kështu thanë disa vëllezër në kongregacionin tim kur vendosa të shërbeja si pionier ndihmës në vitin 1956. Isha 16 vjeç dhe isha pagëzuar 4 vjet më parë, ngaqë më kishte nxitur një vëlla me të cilin më hahej muhabeti. Në atë kohë pleqtë nuk shqyrtonin nëse një person kualifikohej për t’u pagëzuar.
Vëllezërit e kishin njëfarë të drejte që dyshonin nëse do të vazhdoja si pionier. Nuk e kisha mendjen te shërbimi i Jehovait. S’më pëlqente shërbimi në fushë dhe madje lutesha që të dielave të binte shi që të mos dilja në predikim. Edhe kur dilja, vetëm sa shpërndaja revista; s’kisha bërë kurrë një prezantim duke përdorur Biblën. Mamaja ime e dashur më premtonte se do të më jepte diçka po të bëja leximin e Biblës në kongregacion. S’e kisha hiç me qejf të studioja dhe s’kisha asnjë synim në shërbim të Jehovait.
Atë verë, në Kardif, Uells, u mbajt një asamble krahinore (tani quhet kongres rajonal). Aty mori kthesë edhe jeta ime. Një nga oratorët bëri disa pyetje që më vunë në mendime. Ai e pyeti auditorin: «A je i kushtuar dhe i pagëzuar?» «Po»,—mendova. «A i ke premtuar Jehovait se do t’i shërbesh me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde?» «Po.» «A ke ndonjë problem shëndetësor ose përgjegjësi familjare që të pengojnë të jesh pionier?» «Jo.» «A ka ndonjë arsye pse s’mund të shërbesh si pionier?» «Jo.» Pastaj vazhdoi: «Nëse iu përgjigje ‘jo’ pyetjes së fundit, atëherë pse nuk je akoma pionier?»
Në atë moment sikur m’u hoq një vel nga sytë. Mendova: «Po e çoj jetën dëm. Nuk po e mbaj premtimin që bëra kur u kushtova. Nuk po i shërbej Jehovait me gjithë shpirt.» Arsyetova se, nëse prisja që Jehovai të mbante premtimet e tij, edhe unë duhet ta mbaja premtimin që i kisha bërë. Kështu që në tetor 1956 fillova si pionier ndihmës.
Vitin pasues nisa të shërbeja si pionier i rregullt dhe u transferova në një kongregacion me 19 lajmëtarë. Që kur vura këmbë atje, më caktonin fjalime çdo javë. Me ndihmën e vëllezërve të duruar, përmirësova goxha si në përmbajtjen e fjalimeve edhe në mënyrën si i prezantoja. Dy vite më vonë, më 1959, u emërova si pionier special dhe u caktova në Aberdin, në skajin më verior të Skocisë. Pas ca muajsh, më ftuan të shërbeja në Bethelin e Londrës. Çfarë privilegji ishte të punoja në shtypshkronjë të 7 vitet që ndenja në Bethel.
Më pëlqente jeta e Bethelit, por brenda më vlonte dëshira për shërbimin special në fushë. Isha i ri, plot energji dhe gati që Jehovai të më dërgonte kudo. Prandaj në prill 1965 bëra kërkesën për Shkollën e Galadit që të merrja stërvitje për shërbimin misionar.
Po atë vit bashkë me shokun e dhomës vendosëm të shkonim në Berlin, Gjermani. Donim të ndiqnim një kongres dhe të shihnim Murin e Berlinit që ishte ndërtuar nga pak vite.
Një nga ditët e kongresit dolëm në predikim dhe më caktuan me Suzana Bendrokun. U martuam në 1966-n dhe 2 vjet më vonë na ftuan të ndiqnim klasën e 47-të të Galadit. Ishte një privilegj i papërshkrueshëm! Pesë muajt e shkollës fluturuan sa hap e mbyll sytë. Na caktuan në Zaire, tani Republika Demokratike e Kongos. Sikur na ra tavani mbi kokë! Dinim shumë pak për këtë vend. Ishim në ankth, por nuk i thamë jo caktimit dhe e lamë veten në dorë të Jehovait.
Pas orësh të tëra nëpër aeroporte dhe avionë, mbërritëm në Koluezi, një qytezë minatorësh. Po vritnim mendjen si vallë s’kishte dalë asnjë vëlla e motër për të na pritur. Më vonë mësuam se telegrami që njoftonte vëllezërit për ardhjen tonë kishte mbërritur 2 ditë pas nesh. Në aeroport një oficer afrohet e na flet diçka në frëngjisht. S’ia kishim haberin ç’po na thoshte. Vetëm kur gruaja që ishte para nesh, kthehet dhe thotë: «Jeni të arrestuar.»
Oficeri që na arrestoi, detyroi një burrë që të na merrte në makinën e tij. Ishte një makinë e vjetër sportive që kishte vetëm 2 vende. Me të keq u ngjeshëm të katërt brenda: oficeri, shoferi, unë dhe Suzana. Dukej si skenë nga ndonjë komedi: tundeshim e shkundeshim në rrugën plot gropa, kurse kofanoja e makinës kishte hapur gojën si peshk për të mbajtur valixhet tona.
Udhëtuam drejt shtëpisë misionare. Nuk e dinim adresën, ama oficeri e dinte. Në shtëpi s’kishte asnjeri dhe portat ishin mbyllur. Të gjithë misionarët kishin ikur ose në kongrese ndërkombëtare ose me pushime. Po rrinim nën diellin përvëlues dhe mendonim si do t’i vente halli kësaj pune. Në fund erdhi një vëlla vendës. Sapo na pa, i qeshën sytë. Çfarë lehtësimi! Ai e njihte oficerin, që me sa duket priste t’i jepnim pará. Vëllait iu desh ca që ta bindte oficerin të na linte të lirë, i cili më në fund u largua dhe ne hymë në shtëpi.
Nuk ishte koha të sprapseshim
Shpejt kuptuam se kishim ardhur mes një populli të gëzuar e të dashur që çfarë s’kishin hequr. Mjerisht, trazirat dhe rebelimi që kishin pllakosur 10 vitet e fundit, e kishin mbushur vendin plot dhunë. Pastaj në vitin 1971, Dëshmitarëve të Jehovait iu mohua njohja zyrtare që gëzonin më parë. Po vritnim mendjen si do t’ia bënim.
Nuk ishte koha të sprapseshim e të frikësoheshim. Në fakt, pjesa më e madhe e vëllezërve qëndruan të patundur, pavarësisht nga presioni i jashtëzakonshëm që të bënin kompromis me asnjanësinë e krishterë duke mbajtur tesera dhe stema partie. Po të mos e vije stemën e partisë, përjashtoheshe nga të gjitha shërbimet qeveritare si dhe bëheshe objekt ngacmimi i ushtrisë dhe policisë. Vëllezërit i hoqën nga puna kurse fëmijët i përjashtuan nga shkolla. Me qindra vëllezër u burgosën. Ishin kohë të zymta, e megjithatë Dëshmitarët vazhduan të predikonin lajmin e mirë pa iu trembur syri.
Kishim nevojë për qëndrueshmëri
Gjatë atyre viteve, unë dhe Suzana e kaluam shumicën e kohës duke udhëtuar në zona rurale, në veprën qarkore dhe krahinore. Jeta në fshat na vuri përballë sfidave të vështira e të paprovuara më parë. Shtëpitë prej kashte ishin kaq të vogla sa mezi shtrinim këmbët. Nuk numërohet sa herë kam përplasur kokën te shtalkat e ulëta të dyerve. Për t’u larë, merrnim ujë nëpër lumenj e përrenj. Natën lexonim me qiri kurse për të gatuar përdornim qymyr. Por, tekefundit, për ne kjo ishte vërtet jeta misionare. Për këtë kishim ardhur dhe ndiheshim si në front të aktiviteteve teokratike.
Jetesa me Dëshmitarë vendës na mësoi të çmonim gjëra që mund të merren kollaj për të mirëqena, si ushqimi, uji, veshja dhe strehimi. (1 Timoteut 6:8) Çdo gjë tjetër është ekstra. Ende e ruajmë në kujtesë këtë të vërtetë të thjeshtë e të rëndësishme.
Edhe pse nuk hasëm sprova si të apostullit Pavël, me raste, udhëtimet na sprovuan besimin dhe motivet. Na u desh të udhëtonim për në vende që ose s’kishte fare rrugë, ose ishin copë-copë. Nëpër rrugë shkëmbore, makina tronditej tej mase. Herë të tjera zhytej e ngecte në rërë, kurse gjatë stinës së shirave ngecte në baltën që ngjitej si mastiç. Një herë, udhëtuam tërë ditën, po s’bëmë dot më shumë se 70 kilometra dhe na u desh ta shtynim makinën 12 herë që ta nxirrnim nga rëra.
Por kurrë s’jemi ndier më afër Jehovait se kur shërbenim në rrethana të vështira në zona rurale. Mësuam se, me Jehovain në krah, mund të tregojmë qëndrueshmëri me gëzim edhe kur s’kemi gjë në dorë për të ndryshuar një situatë sfiduese. Suzana nuk është tipi i aventurave, ama nuk u qa kurrë gjatë gjithë sprovave e peripecive që kaluam. Megjithatë, në kujtimet tona ato mbetën kohë të gëzuara e shpërblyese. Dhe mësuam goxha nga ato që përjetuam.
Gjatë viteve që shërbyem në Zaire, më arrestuan disa herë. Një herë më akuzuan padrejtësisht se merresha me kontrabandë diamantesh. Të themi të drejtën ishim në ankth, ama i thamë vetes se, nëse Jehovai dëshironte të vazhdonim shërbimin, do të na ndihmonte patjetër. Dhe ashtu bëri.
Nuk ndalemi
Më 1981 na ftuan të shërbenim në zyrën e degës në Kinshasë. Prej një viti kishim rifituar njohjen ligjore për të vazhduar veprën. Vëllezërit blenë një tokë me qëllim që të ndërtonim një zyrë dege më të madhe, kur papritur e pakujtuar, në mars të 1986-s presidenti i vendit firmosi një dekret që ndalonte veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Punimet u ndërprenë, dhe s’kaloi shumë e pjesa më e madhe e misionarëve u larguan nga vendi.
Ne ia dolëm të qëndronim edhe ca. Bëmë tërë sa mundëm që të vazhdonim predikimin, megjithëse e dinim se kishte sy ngado që na vëzhgonin. Edhe pse bënim kujdes, më arrestuan ndërsa drejtoja një studim. Më futën në një dhomë të madhe plot me të burgosur të tjerë, që ngjante me një burg të nëndheshëm. Ishte nxehtë, errët, kundërmonte erë dhe mungonte ajri; ajo pak dritë dhe ajrim që kishte vinte nga një e çarë e vogël lart në mur. Disa të burgosur më kapën dhe më çuan te një i burgosur tjetër që e mbante veten si kapo. Ai më urdhëroi: «Këndo himnin tonë kombëtar!» «Nuk e di»,—i thashë. «Mirë, këndo himnin tënd kombëtar!» «As atë nuk e di»,—iu përgjigjja. Pastaj më detyroi të qëndroja me fytyrë nga muri për 45 minuta. Në fund vëllezërit vendës negociuan që të më lironin.
Po e kuptonim se gjërat s’kishin për t’u përmirësuar, dhe në fakt s’kaloi shumë dhe u caktuam në Zambie. Kur kaluam kufirin, ndjenjat e trishtimit na ishin përzier me lehtësimin. Na vinin në mendje rreth 18 vitet që kaluam në caktim me misionarë të tjerë besnikë dhe vëllezër e motra vendës. Edhe pse me raste jeta ishte stresuese, ndiheshim të bekuar. E dinim se Jehovai s’na e kishte lëshuar dorën për asnjë çast. Kishim mësuar gjuhën suahili, frënge dhe Suzana fliste edhe pak lingale. Shijuam një shërbim të suksesshëm, duke ndihmuar më tepër se 130 veta të përparonin deri në pagëzim. Ishim tejet të kënaqur që kishim bërë pjesën tonë që vepra të përparonte më tej. Dhe sa e mrekullueshme ishte rritja që pasoi! Në vitin 1993 Gjykata e Lartë e anuloi ndalimin që ishte vendosur më 1986. Tani në Kongo ka më tepër se 240.000 lajmëtarë të Mbretërisë.
Gjatë kohës që kemi shërbyer në Zambie kemi parë ndërtimin e një dege të re dhe zgjerimin e saj të mëtejshëm. Që kur erdhëm në vitin 1987 numri i lajmëtarëve aktivë në vend është rritur më shumë se trefish.
Do të thoni ju se çfarë ndodhi me atë vëlla të ri që dukej se as muajin s’kishte për të mbyllur në shërbimin e plotkohor? Me bekimin e Jehovait dhe me mbështetjen e gruas sime të shtrenjtë, Suzanës, kam kaluar plot 65 vite të mrekullueshme në shërbimin e plotkohor, duke provuar e shijuar sa i mirë është Jehovai!—Psalmi 34:8.
E dimë se nuk jemi të veçantë; thjesht jemi përpjekur me mish e me shpirt të qëndrojmë besnikë duke mbajtur fjalën që i dhamë Jehovait kur u kushtuam. Besojmë se Jehovai do të vazhdojë të na ndihmojë që ‘të mos sprapsemi’ kurrë dhe të forcojmë besimin që ‘shpëton jetë’.—Hebrenjve 10:39.
Shihni videon Darëll dhe Suzana Sharp: Premtuam t’i shërbenim Jehovait me gjithë shpirt.