Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ELFRIDA URBAN | JETËSHKRIM

Një jetë shpërblyese në shërbimin misionar

Një jetë shpërblyese në shërbimin misionar

Pata një fëmijëri të vështirë. Linda në Çekosllovaki, më 11 dhjetor të vitit 1939, vetëm tre muaj pasi shpërtheu Lufta II Botërore. Për shkak të disa ndërlikimeve gjatë lindjes sime, mamaja vdiq dy javë më vonë. Pak më herët, babai ishte transferuar në Gjermani për punë. Sa mirë që prindërit e mamasë më morën në shtëpinë e tyre. Në atë kohë, ata po rritnin tri motrat e vogla të mamasë.

Me gjyshërit e mi

 Lufta përfundoi në vitin 1945, por jeta pas saj ishte ende e vështirë. Ngaqë ishim gjermanë, na dëbuan nga Çekosllovakia dhe na dërguan në Gjermani, ku qytetet ishin kthyer në gërmadha dhe njerëzit ishin në skamje. Ndonjëherë, tezeve u duhej të prisnin në radhë gjatë gjithë natës për të marrë pak ushqim. Në raste të tjera, shkonim në pyll për të mbledhur manaferra dhe kërpudha, të cilat i këmbenim me bukë. Ushqimi ishte aq i paktë, sa kafshët u zhdukën ngaqë njerëzit i vidhnin për t’u ushqyer. Shpesh flinim pa ngrënë.

Hera e parë që dëgjuam për të vërtetën

 Edhe pse gjyshërit ishin katolikë, ne nuk kishim një Bibël. Prifti nuk pranoi t’i shiste një Bibël gjyshit dhe thoshte se mjaftonte që anëtarët e kishës të dëgjonin meshën. Gjyshi kishte shumë pyetje për Perëndinë, për të cilat nuk mori përgjigje.

 Isha shtatë vjeç kur Dëshmitarët e Jehovait na erdhën në shtëpi. Duke përdorur Biblën, ata iu përgjigjën pyetjeve që kishte gjyshi për Trinitetin, ferrin e zjarrtë dhe gjendjen e të vdekurve. Gjyshi mbeti i kënaqur me ato përgjigje të qarta nga Bibla. Ai u bind se kishte gjetur të vërtetën. Kështu e gjithë familja filloi të studionte Biblën rregullisht me një çift Dëshmitarësh.

Vura synime në jetë

 Dashuria për Jehovain hodhi rrënjë në zemrën time që kur isha e vogël. Më pëlqente të lexoja artikuj për misionarët që i shërbenin Jehovait në vende të largëta. Pyesja veten se si mund të ishte jeta e tyre dhe se çfarë ndienin kur u predikonin njerëzve që s’kishin dëgjuar kurrë për emrin e Jehovait.

Pak para se të vendosja synimin për t’u bërë misionare

 Në moshën 12-vjeçare vendosa se doja të bëhesha misionare dhe iu futa punës që ta arrija atë synim. Së pari, u përpoqa fort të bëhesha një lajmëtare e zellshme. Më vonë, më 12 dhjetor të vitit 1954, u pagëzova dhe me kalimin e kohës u bëra pioniere. Dalëngadalë po e arrija synimin.

 U përpoqa fort të mësoja anglishten, ngaqë do të më duhej në Shkollën e Galadit. Mendova ta praktikoja me ushtarët amerikanë që ishin në Gjermani në atë kohë. Një ditë iu afrova një ushtari dhe i thashë: «Unë jam Krishti.» Ai më pa njëherë dhe më tha me mirësjellje: «Besoj se doje të thoshe ‘Unë jam e krishterë.’» Me sa duket s’isha aq e zonja në anglisht sa mendoja.

 Kur isha në fillim të të njëzetave u transferova në Angli, ku paradite punoja si dado në një familje Dëshmitarësh dhe pasditeve predikoja shtëpi më shtëpi. Kjo më dha mundësinë të praktikoja anglishten. Pas një viti në Angli, e kisha përmirësuar goxha gjuhën.

 Më pas u ktheva në Gjermani dhe në tetor të vitit 1966, mora ftesën për të shërbyer si pioniere speciale në Mekërnish. Por, njerëzit atje ishin të ftohtë ndaj mesazhit të Biblës, ashtu siç ishte edhe klima. Nuk na ftonin asnjëherë brenda në shtëpi, as kur temperaturat binin nën zero. Shpesh i përgjërohesha Jehovait në lutje: «Të lutem, nëse një ditë më lejon të shërbej si misionare, më cakto në një vend të ngrohtë.»

Arritja e synimit

 Pasi shërbeva si pioniere speciale për pak muaj, Jehovai ma plotësoi dëshirën e zemrës. Mora ftesën për të ndjekur klasën e 44-t të Shkollës së Galadit dhe u diplomova më 10 shtator, 1967. Dhe ku më caktuan? Në një vend të bukur tropikal në Amerikën Qendrore, në Nikaragua. Misionarët që ishin tashmë atje na pritën krahëhapur, si mua edhe tri shoqet e mia të shërbimit. U ndjeva si apostulli Pavël, i cili «falënderoi Perëndinë dhe mori zemër» kur vëllezërit shkuan për ta takuar.—Veprat 28:15.

Në Shkollën e Galadit (unë jam në të majtë), bashkë me shokët e shkollës, Frensis dhe Margareta Shipli

 Më caktuan në qytetin e qetë të Leonit, ku i vura synim vetes të mësoja spanjisht sa më shpejt të ishte e mundur. Gjithsesi, edhe pse e studiova 11 orë në ditë për dy muaj rresht, e pata të vështirë ta mësoja.

 Më kujtohet që një ditë, e zonja e shtëpisë më ofroi një fresco, siç quhet lëngu i frutave në Nikaragua. Mendoja se i kisha thënë që doja «ujë të filtruar». Por, ajo më pa me habi. Ca ditë më vonë, kuptova se me spanjishten time copë-copë, i kisha thënë se mund të pija vetëm «ujë të shenjtë». Sa mirë që spanjishtja ime u përmirësua me kalimin e kohës!

Me Margaritën, shoqen time misionare prej 17 vjetësh

 Shpesh drejtoja studime të Biblës me familje të tëra. Në Leon ndihesha e sigurt, ndaj kënaqesha duke drejtuar studime në mbrëmje, ndonjëherë deri në orën 10. Në qytet, i njihja gati të gjithë me emër. Rrugës për në shtëpi, përshëndetja dhe flisja me fqinjët miqësorë që uleshin jashtë në karrige lëkundëse dhe shijonin flladin e mbrëmjes.

 Në Leon ndihmova disa persona të merrnin të vërtetën. Një prej tyre ishte Nubia, mamaja e tetë djemve të vegjël. Studimin e vazhduam derisa më caktuan në Managua, në vitin 1976. Nuk arrita të komunikoja me Nubian dhe fëmijët e saj për 18 vjet, derisa u ktheva në Leon për të ndjekur një kongres. Gjatë pushimit, e gjeta veten të rrethuar nga një grup djemsh të rritur; ishin fëmijët e Nubias. Sa u lumturova kur pashë se Nubia ia kishte dalë t’i rriste djemtë në të vërtetën!

Shërbimi misionar në kohë të vështira

 Në fund të viteve 70, në Nikaragua nisën shumë trazira politike e shoqërore. Ne vazhduam të jepnim më të mirën në shërbim. Ishim caktuar të predikonim në jug të kryeqytetit, në Masaja, dhe atje hasnim shpesh protestues të armatosur. Një mbrëmje, teksa ishim në mbledhje në Sallën e Mbretërisë, na u desh të shtriheshim përtokë, ngaqë nisi një shkëmbim zjarri mes forcave Sandiniste dhe trupave ushtarake. a

 Një ditë tjetër, teksa isha në shërbim, pashë një Sandinist të maskuar që po i shtinte një ushtari. Kur u përpoqa të ikja, erdhën disa burra të tjerë të maskuar. U futa me vrap në një rrugicë, por as atje s’gjeta shpëtim. Helikopterët e qeverisë filluan të gjuanin me breshëri. Papritur, një burrë hapi derën e shtëpisë dhe më tërhoqi brenda. E kuptova menjëherë se ishte Jehovai që më shpëtoi.

Dëbimi nga Nikaragua

 Shërbeva në Masaja deri më 20 mars të vitit 1982, një ditë që s’do ta harroj kurrë. Herët në mëngjes, unë dhe pesë misionarët e tjerë po bëheshim gati për të ngrënë, kur papritur pamë në oborr një grup ushtarësh Sandinistë me mitralozë. Ata u futën me forcë në dhomën e ngrënies, dhe njëri prej tyre na tha prerazi: «Keni një orë kohë që të bëni gati nga një valixhe secili dhe të vini me ne.»

 Ushtarët na çuan në një fermë, ku na mbajtën për disa orë. Më pas, katër prej nesh na hipën në një autobus të vogël dhe na çuan në kufirin e Kosta-Rikës. Kështu na përzunë nga vendi. Si përfundim, u dëbuan gjithsej 21 misionarë.

 Vëllezërit në Kosta-Rikë na strehuan, dhe të nesërmen shkuam te zyra e degës në San-Hoze. Nuk qëndruam gjatë atje. Rreth dhjetë ditë më vonë, tetë prej nesh u nisëm për te caktimi i ri si misionarë në Honduras.

Shërbimi në Honduras

 Në Honduras, u caktova në Tegusigalpa. Shërbeva për 33 vjet në atë qytet dhe pashë sesi numri i kongregacioneve shkoi nga një në tetë. Mjerisht, përgjatë viteve krimi u rrit ndjeshëm në Tegusigalpa. Ndodhnin shpesh vjedhje, dhe mua më grabitën disa herë. Shumë anëtarë bandash më kërkonin para, ose «taksë lufte» siç e quanin ata. Por unë u thosha: «Kam diçka më me vlerë se paratë.» Më pas u jepja një fletushkë ose revistë. Gjithmonë më linin të ikja.

 Shumica e njerëzve në Tegusigalpa ishin paqësorë dhe të sjellshëm, dhe unë ndihmova disa prej tyre të merrnin të vërtetën. Për shembull, më kujtohet Beti, një studente që dukej se po përparonte, por që një ditë më tha se do të bëhej pjesë e një kishe evangjeliste. U zhgënjeva shumë, por dy vjet më vonë, Beti e la kishën dhe rifilloi studimin e Biblës me mua. Pse u kthye? Betit i mungonte dashuria e vërtetë që kishte ndier në kongregacion. (Gjoni 13:34, 35) Ajo më tha: «Ju i mikpritni me ngrohtësi të gjithë në mbledhje, qofshin të pasur a të varfër. Jeni ndryshe nga të tjerët.» Me kalimin e kohës, Beti u pagëzua.

 Shtëpia misionare në Tegusigalpa u mbyll në 2014-n, dhe pas kësaj u caktova në Panama. Tani jetoj në një shtëpi misionare bashkë me katër të tjerë, që shërbejnë si misionarë prej shumë kohësh.

Arritja e synimeve në shërbim sjell lumturi të vërtetë

 Kam shërbyer si misionare për rreth 55 vjet. Kohët e fundit, m’u desh ta ngadalësoja ritmin për shkak të problemeve shëndetësore. Megjithatë, Jehovai më ka dhënë forcë të vazhdoj t’i mësoj të tjerët për të.

 A mund të kisha ndjekur synime të tjera në jetë? Patjetër që po. Por nuk do t’i kisha përjetuar gjithë këto bekime. Kam ndihmuar më shumë se 50 veta të marrin të vërtetën dhe ata janë për mua si bijat e bijtë e mi. Kam edhe shumë miq. Përveç kësaj «familjeje të madhe», gëzoj edhe mbështetjen e dashur të teze Stefit, që jeton në Gjermani.

 Edhe pse nuk u martova, s’jam ndier kurrë vetëm. Jehovai ka qenë gjithnjë me mua. Gjithashtu kam njohur miq të mrekullueshëm, si Margarita Fosteri, që e kam pasur shoqe misionare për 17 vjet. Së bashku kemi kaluar shumë momente të bukura dhe e kemi mbajtur miqësinë të fortë gjer më sot.—Proverbat 18:24.

 Ajo që më jep më shumë gëzim është fakti që e kam përdorur jetën në mënyrën më të mirë të mundshme; duke i shërbyer Jehovait plotësisht. Përveçse plotësova ëndrrën e fëmijërisë, pata edhe shumë eksperienca të mrekullueshme. Kam provuar lumturinë e vërtetë dhe mezi pres t’i shërbej Jehovait në përjetësi.

a Fronti Sandinist i Çlirimit Kombëtar u bë i famshëm në Nikaragua në fund të viteve 70 dhe me kalimin e kohës hoqi nga pushteti familjen që kishte sunduar mbi ta për më shumë se 40 vjet.