Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PIKËPAMJA E BIBLËS

Lufta

Lufta

Në kohët e lashta izraelitët luftonin në emër të Perëndisë së tyre, Jehovait. A do të thotë kjo se Zoti i miraton luftërat e sotme?

Pse luftonte Izraeli i lashtë?

ÇFARË THONË DISA

 

Izraelitët adhuronin një perëndi lufte gjakatar.

ÇFARË THOTË BIBLA

 

Kombet që mposhti Izraeli, ishin shthurur komplet, duke u zhytur plotësisht në dhunë dhe në praktika të degjeneruara, si marrëdhënie seksuale me kafshët, incest dhe flijim fëmijësh. Pasi u la kohë për shekuj me radhë që të ndryshonin rrugë, Zoti tha: «Me tërë këto janë ndotur kombet që po përzë para jush.»​—Levitiku 18:21-25; Jeremia 7:31.

«Jehovai, Perëndia yt, po i përzë këto kombe para teje nga ligësia e tyre.»​—Ligji i përtërirë 9:5.

A mban anë Zoti në luftërat e sotme?

MBASE KE VËNË RE

 

Në shumë konflikte, krerët fetarë të të dy palëve pohojnë se Zoti mban anën e tyre. Libri The Causes of War thotë: «Feja gjithmonë ka pasur gisht në çdo luftë përgjatë historisë.»

ÇFARË THOTË BIBLA

 

Të krishterëve nuk u lejohet të luftojnë kundër armiqve. Apostulli Pavël u shkroi të bashkëkrishterëve: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë. Mos u hakmerrni për veten.»​—Romakëve 12:18, 19.

Në vend që t’i udhëzonte dishepujt të shkonin në luftë, Jezui u tha: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin, që të jeni bij të Atit tuaj që është në qiej.» (Mateu 5:44, 45) Të krishterët duhet të mbeten asnjanës, ‘të mos jenë pjesë e botës’, edhe kur vendet ku jetojnë, përfshihen në luftë. (Gjoni 15:19) Ndaj, si mund të mbajë anë Zoti në konfliktet e dhunshme kur dëshiron që adhuruesit e tij nga të gjitha kombet të duan armiqtë dhe të mbeten të ndarë nga bota?

«Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është nga kjo botë.»​—Gjoni 18:36.

A do të marrë fund ndonjëherë lufta?

ÇFARË THONË DISA

 

Lufta është e pashmangshme. Libri War and Power in the 21st Century thotë: «Lufta ka të ardhme. Ky shekull nuk ‘rrezikon’ të ketë paqe të përhershme universale.»

ÇFARË THOTË BIBLA

 

Luftërat do të marrin fund kur askush të mos dojë të luftojë. Mbretëria e Perëndisë​—një qeveri reale në qiell—​së shpejti do të zhdukë çdo armë nga planeti dhe do t’i mësojë njerëzit të jenë paqësorë. Bibla na siguron se Zoti «do t’i ndreqë gjërat për kombe të fuqishme e të largëta. Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë».​—Mikea 4:3.

Bibla mëson se nën qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë s’do të ketë më qeveri që luftojnë për interesat e tyre, as politika të padrejta që i detyrojnë qytetarët të ngrenë krye dhe as paragjykime që provokojnë përçarje etnike. Si rezultat, lufta do të zhduket. Perëndia premton: «Askush nuk do të bëjë asnjë dëm dhe nuk do të prishë asgjë, sepse toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.»​—Isaia 11:9.

«Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.»​—Psalmi 46:9.