Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

A ka ekzistuar vërtet Jezui?

A ka ekzistuar vërtet Jezui?

AI NUK ishte as i pasur e as i pushtetshëm. Madje nuk kishte as një shtëpi të vetën. E prapëseprapë, mësimet e tij kanë ndikuar në jetën e miliona njerëzve. Por, a ka ekzistuar vërtet Jezu Krishti? Çfarë thonë disa figura të shquara të lashtësisë e të ditëve tona?

  • Majkëll Grenti, historian dhe ekspert i qytetërimit klasik të lashtësisë, vërejti: «Nëse e studiojmë Besëlidhjen e Re siç duhet, duke zbatuar të njëjtat kritere që duhet të zbatojmë edhe për shkrime të tjera historike të lashtësisë, nuk mund ta mohojmë ekzistencën e Jezuit, ashtu si nuk mund të mohojmë një sërë personazhesh pagane, vërtetësia historike e të cilave nuk vihet kurrë në dyshim.»

  • Rudolf Bultmani, profesor i studimeve për Dhiatën e Re, pohoi: «Dyshimi nëse Jezui ka ekzistuar vërtet është i pathemeltë dhe as që ia vlen të merret në konsideratë. Asnjë njeri me arsye nuk mund të vërë në dyshim se Jezui ishte themeluesi i lëvizjes historike, faza e parë dhe e spikatshme e së cilës përfaqësohet nga komuniteti më i vjetër palestinez [i të krishterëve].»

  • Uill Duranti, historian, shkrimtar dhe filozof, shkroi: «Që disa njerëz të thjeshtë [shkrimtarët e ungjijve] të kenë sajuar brenda një brezi një personalitet kaq të fuqishëm dhe tërheqës, një etikë kaq të lartë dhe një vizion kaq frymëzues të vëllazërisë njerëzore, do të ishte një mrekulli shumë më tepër e pabesueshme nga të gjitha ato të regjistruara nëpër ungjij.»

  • Albert Ajnshtajni, një fizikan jude i lindur në Gjermani, pohoi: «Megjithëse vetë jam hebre, më ka mahnitur figura e shkëlqyer e nazareasit.» Kur e pyetën nëse e konsideronte Jezuin personazh historik, ai u përgjigj: «Pa diskutim! Kush lexon ungjijtë, s’ka si të mos e ndiejë praninë e mirëfilltë të Jezuit. Personaliteti i tij pulson në çdo fjalë. Mitet nuk janë kaq të gjalla.»

    «Kush lexon ungjijtë, s’ka si të mos e ndiejë praninë e mirëfilltë të Jezuit.»​—Albert Ajnshtajni

ÇFARË ZBULON HISTORIA?

Dokumentimin më të hollësishëm të jetës dhe të shërbimit të Jezuit e gjejmë në tregimet biblike të njohura si ungjijtë​—Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni—​që kanë marrë emrat e shkrimtarëve të tyre. Jezuin e përmendin edhe disa burime të hershme jo të krishtere.

  • TACITI

    (Rreth viteve 56-120 të e.s.) Ai konsiderohet si një prej historianëve më të mëdhenj të Romës së lashtë. Vepra e tij Analet flet për Perandorinë Romake të viteve 14-68 të e.s. (Jezui vdiq më 33 të e.s.) Taciti tha se, kur një zjarr i madh shkatërroi Romën në vitin 64 të e.s., përgjegjës u konsiderua perandori Neron. Por, Taciti shkroi se «për të shuar zërat», Neroni akuzoi të krishterët. Pastaj, Taciti tha: «Krishti, themeluesi i emrit [i krishterë] ishte dënuar me vdekje gjatë mbretërimit të Tiberit, nga guvernator Ponc Pilati.»​—Analet, XV, 44.

  • SUETONI

    (Rreth vitit 69-pas vitit 122 të e.s.) Në librin e tij Jeta e Cezarëve, ky historian romak regjistroi ngjarje që ndodhën gjatë mbretërimit të 11 perandorëve të parë romakë. Te pjesa për Klaudin flitet për trazirat mes judenjve në Romë që, me sa duket, u shkaktuan nga debatet rreth Jezuit. (Veprat 18:2) Suetoni shkroi: «Përderisa judenjtë krijonin vazhdimisht trazira, të provokuar nga Krishti [‘Krestus’ në tekstin në latinisht], ai [Klaudi] i dëboi nga Roma.» (The Deified Claudius, XXV, 4) Edhe pse gabimisht akuzoi Jezuin se shkaktoi trazira, Suetoni nuk dyshoi në ekzistencën e tij.

  • PLINI I RIU

    (Rreth viteve 61-113 të e.s.) Ky autor romak dhe administrator në Bitini (Turqia e sotme) i shkroi perandorit romak, Trajanit, se si të vepronte me të krishterët në atë provincë. Plini tha se u përpoq t’i detyronte të krishterët të mohonin besimin, duke ekzekutuar këdo që nuk pranonte. Ai shpjegoi: «Ata që . . . përsëritën pas meje një lutje për perënditë [pagane], që e adhuruan imazhin tënd duke paraqitur verë dhe temjan të bardhë . . . dhe që në fund mallkuan Krishtin, . . . m’u duk me vend t’i lija të lirë.»​—Letrat e Plinit, Libri X, XCVI.

  • JOZEF FLAVI

    (Rreth viteve 37-100 të e.s.) Ky prift dhe historian jude pohon se Hanai, kryeprift jude i cili ndikonte vazhdimisht te politika, «mblodhi gjykatësit e Sinedrit [gjykata e lartë judaike] dhe nxori para tyre një burrë me emrin Jakov, vëllanë e Jezuit që quhej Krishti».​—Antikitete judaike, XX, 200.

  • TALMUDI

    Kjo përmbledhje e shkrimeve të rabinëve judenj, që daton nga shekulli i tretë deri në të gjashtë të erës sonë, tregon se edhe armiqtë e Jezuit e pranuan ekzistencën e tij. Një fragment thotë se gjatë «Pashkës u var Jeshu [Jezui] nazareasi» dhe kjo është e saktë nga ana historike. (Talmudi babilonas, Sanhedrin 43a, Kodiku i Mynihut; shih Gjonin 19:14-16.) Një tjetër pohon: «Mos paçim kurrë ndonjë bir a nxënës që turpëron veten në publik si nazareasi», emërtim që shpesh përdorej për Jezuin.​—Talmudi babilonas, Berakoth 17b, shënimi, Kodiku i Mynihut; shih Lukën 18:37.

PROVA NGA BIBLA

Ungjijtë paraqesin një tablo të plotë të jetës e të shërbimit të Jezuit, përfshirë detaje specifike për njerëz, vende dhe periudha, që janë veçori dalluese të historisë autentike. Një shembull gjendet te Luka 3:1, 2, i cili na ndihmon të përcaktojmë datën e saktë kur filloi predikimin një burrë i quajtur Gjon Pagëzori, pararendës i Jezuit.

«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.»​—2 Timoteut 3:16

Luka shkroi: «Vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte guvernator i Judesë dhe Herodi ishte qeveritar i krahinës së Galilesë, ndërsa Filipi, vëllai i tij, ishte qeveritar i krahinës së vendit të Ituresë dhe Trakonitidës, dhe Lisania ishte qeveritar i krahinës së Abilenës, në ditët e Hanait, kreut të priftërinjve, dhe të Kajafës, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarisë, në shkretëtirë.» Kjo listë e saktë dhe e hollësishme na ndihmon të përcaktojmë se «fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit» në vitin 29 të e.s.

Të shtatë personazhet publike që përmend Luka, janë shumë të njohura nga historianët. E megjithatë, për njëfarë kohe disa kritikë vunë në pikëpyetje ekzistencën e Ponc Pilatit dhe të Lisanisë, por u nxituan. Në mbishkrime të lashta që janë zbuluar, gjenden emrat e këtyre dy zyrtarëve, duke mbështetur kështu saktësinë e fjalëve të Lukës. *

PSE KA RËNDËSI?

Jezui i mësoi njerëzit për Mbretërinë e Perëndisë, një qeveri botërore

Çështja e ekzistencës së Jezuit është e rëndësishme sepse mësimet e tij janë me vlerë. Për shembull, Jezui i mësoi njerëzit si të kishin një jetë të lumtur e plot kuptim. * Gjithashtu, ai premtoi një kohë kur njerëzimi do të jetojë në paqe të vërtetë e siguri, i bashkuar nën një qeveri të vetme botërore të quajtur ‘mbretëria e Perëndisë’.​—Luka 4:43.

Emërtimi ‘mbretëria e Perëndisë’ është i përshtatshëm, sepse me anë të kësaj qeverie botërore Zoti do të qeverisë tokën. (Zbulesa 11:15) Jezui e bëri të qartë këtë kur tha në lutjen model: «Ati ynë që je në qiej, . . . ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt . . . në tokë.» (Mateu 6:9, 10) Çfarë do të sjellë për njerëzimin kjo Mbretëri? Shqyrto këto premtime:

  • Luftërat dhe konfliktet civile do të marrin fund.​Psalmi 46:8-11.

  • Ligësia, përfshirë lakminë dhe korrupsionin, do të zhduken përgjithmonë, bashkë me njerëzit e paperëndishëm.​Psalmi 37:10, 11.

  • Nënshtetasit e Mbretërisë do të kënaqen me punë domethënëse e produktive.​Isaia 65:21, 22.

  • Toka do të rigjenerohet plotësisht nga gjendja e mjerueshme ku ndodhet tani e do të japë prodhime me bollëk.​Psalmi 72:16; Isaia 11:9.

Për disa njerëz këto premtime janë ëndrra me sy hapur. Por, a nuk është ëndërr me sy hapur të besosh te përpjekjet njerëzore? Mendo: pavarësisht nga përparimi i jashtëzakonshëm në arsim, shkencë dhe teknologji, sot miliona veta ndiejnë ankth e pasiguri për të nesërmen. Dhe përditë shohim dëshmi të padrejtësive të mëdha ekonomike, politike dhe fetare, si edhe lakmi e korrupsion. Po, realiteti tregon se qeverisja njerëzore ka dështuar.​—Eklisiastiu 8:9.

Çështja e ekzistencës së Jezuit, të paktën meriton të shqyrtohet. * Siç pohon 2 Korintasve 1:19, 20: «Pavarësisht se sa shumë janë premtimet e Perëndisë, ato janë bërë ‘po’ me anë të [Krishtit].»

^ par. 23 Është gjetur një mbishkrim që mban emrin e një tetrarku, ose ‘qeveritari krahine’, të quajtur Lisania. (Luka 3:1) Ai qeverisi në krahinën e Abilenës tamam në kohën që përmendi Luka.

^ par. 25 Një shembull i shkëlqyer i mësimeve të Jezuit gjendet te Mateu, kapitujt 5 deri 7, që shpesh njihen si Predikimi në Mal.

^ par. 32 Për më shumë informacion për Jezuin e mësimet e tij, shko te www.isa4310.com dhe shih MËSIME BIBLIKE > PËRGJIGJE PËR PYETJE BIBLIKE.