A ËSHTË PROJEKTUAR?
Bluja e shndritshme e Pollia condensata
KOKRRA e vogël e bimës Pollia condensata, e cila gjendet në mbarë Afrikën, ka ngjyrën blu më të ndezur që është parë ndonjëherë te një bimë. Megjithatë, ajo nuk ka asnjë pigment blu. Ku qëndron sekreti i kësaj ngjyre vezulluese?
Shqyrto faktet: Muret qelizore në lëkurën e saj përbëhen nga fijëza të thurura që renditen si fijet e shkrepëses. Këto fijëza formojnë shtresa, të cilat, kur vendosen mbi njëra-tjetrën, krijojnë njëfarë këndi dhe si përfundim ndërtojnë një strukturë në formë spirale. Vetë fijëzat nuk kanë ngjyrë blu. Ngjyra krijohet nga mënyra si vendosen fijëzat. Kështu, çelësi për këtë ngjyrë vezulluese, një ngjyrë e ylbertë me shkëlqim të metaltë, gjendet te struktura, jo te pigmenti. Shumica e qelizave duken blu. Por, në kënde të ndryshme, disa duken jeshile, rozë ose të verdha, për shkak të shtresave me trashësi të ndryshme. Për më tepër, kur i shohim me kujdes, ngjyrat nuk janë të njëtrajtshme, por duken të përbëra nga pikselë, si ngjyrat e ekranit të kompjuterit.
Meqenëse këto kokrra nuk kanë asnjë pigment, e ruajnë ngjyrën edhe pasi bien nga bima. Në fakt, disa kokrra të mbledhura mbi një shekull më parë, janë aq të shndritshme, sa duken si të sapokëputura. Sipas studiuesve, edhe pse këto kokrra nuk kanë tul të ngrënshëm, por vetëm fara, u dërgojnë zogjve përreth një sinjal të parezistueshëm.
Shkencëtarët mendojnë se ngjyra pa pigment e kësaj kokrre mund të frymëzojë prodhimin e produkteve të ndryshme, nga bojërat që nuk zbehen, deri te letrat që nuk mund të falsifikohen.
Si mendon? A erdhi me evolucion ngjyra vezulluese e kokrrës së bimës Pollia? Apo është projektuar?