PIKËPAMJA E BIBLËS
Kryqi
Shumë mendojnë se kryqi është simbol i krishterimit. Sidoqoftë, vetëm disa prej tyre besojnë se duhet mbajtur në trup ose në shtëpi a kisha.
A vdiq në kryq Jezui?
ÇFARË THONË DISA:
Romakët e ekzekutuan Jezuin duke e varur në një kryq të bërë me dy copa druri.
ÇFARË THOTË BIBLA:
Jezuin e ekzekutuan «duke e varur në dru». (Veprat 5:30, Diodati i Ri) Të dyja fjalët që përdorën shkrimtarët e Biblës për të përshkruar mjetin në të cilin vdiq Jezui, të lënë të kuptosh një pjesë druri, jo dy. Sipas librit Crucifixion in Antiquity, fjala greke staurós «në kuptimin e gjerë . . . do të thotë hu. Nuk është ekuivalent i ‘kryqit’». Fjala ksílon, e përdorur te Veprat 5:30, është «thjesht një hu ose shtyllë vertikale ku romakët gozhdonin ata që ishin për t’u ekzekutuar». *
Gjithashtu, Bibla e lidh mënyrën si u ekzekutua Jezui me një ligj të lashtë izraelit. Ligji thoshte hapur: «Nëse te një njeri gjendet një mëkat që meriton dënim me vdekje, dhe ai vritet e ti e var në shtyllë, . . . ai që varet në shtyllë është i mallkuar nga Perëndia.» (Ligji i përtërirë 21:22, 23) Duke iu referuar këtij ligji, apostulli i krishterë Pavël shkroi se Jezui u bë «mallkim në vendin tonë, sepse është shkruar: ‘I mallkuar është çdo njeri i varur në shtyllë [ksílon]!’» (Galatasve 3:13) Pra, Pavli tregoi se Jezui vdiq në një shtyllë, domethënë në një copë druri të vetme.
«Ata e vranë, duke e varur në një dru.»
—Veprat 10:39, Dio.
A e përdorën dishepujt e Jezuit kryqin që të adhuronin Zotin ose si simbol të krishterimit?
ÇFARË THOTË BIBLA:
Bibla nuk thotë askund se të krishterët e hershëm e përdorën kryqin si simbol fetar. Përkundrazi, kryqin e përdorën romakët e asaj kohe si simbol të zotave të tyre. Më vonë, rreth 300 vjet pas vdekjes së Jezuit, perandori romak Kostandin e bëri kryqin stemë të ushtrive të tij dhe, pas kësaj, kryqi u bë pjesë e kishës së «krishterë».
Meqë paganët e përdornin kryqin për të adhuruar zotat e tyre, a do ta përdornin edhe dishepujt e Jezuit kur të adhuronin Perëndinë e vërtetë? Aspak! Të krishterët e dinin se Perëndia nuk e kishte miratuar prej kohësh përdorimin e ‘formës së ndonjë simboli’ në adhurim dhe se ‘duhej të iknin nga idhujtaria’. (Ligji i përtërirë 4:15-19; 1 Korintasve 10:14) «Perëndia është Frymë», i padukshëm për sytë njerëzorë, prandaj të krishterët e hershëm nuk përdornin objekte dhe simbole të dukshme që të lidheshin më ngushtë me Të. Në vend të kësaj e adhuronin «me frymë», domethënë të drejtuar nga fryma e tij e shenjtë e padukshme, dhe me «të vërtetë», pra, në harmoni me vullnetin e Zotit, siç tregohet në Shkrime.
«Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë.»
—Gjoni 4:23.
Si duhet ta tregojnë të krishterët respektin për Jezu Krishtin?
ÇFARË THONË DISA:
«Ishte më se e natyrshme dhe logjike që mjeti i shpëtimit të bëhej objekt i veçantë respekti dhe nderimi. . . . Ai që adhuron shëmbëlltyrën, adhuron personin që përfaqëson ajo.»
ÇFARË THOTË BIBLA:
Të krishterët i janë borxhlinj Jezuit, pasi vdekja e tij u hapi rrugë që t’u falen mëkatet, t’i afrohen Zotit dhe të marrin jetën e përhershme. (Gjoni 3:16; Hebrenjve 10:19-22) Nuk u kërkohet të tregojnë respekt për këtë dhuratë duke mbajtur simbolin e vdekjes së Jezuit ose thjesht duke pohuar se besojnë tek ai. Në fund të fundit, «besimi, nëse nuk ka vepra, është i vdekur». (Jakovi 2:17) Të krishterët duhet ta tregojnë me vepra besimin te Jezui. Si?
Bibla thotë: «Dashuria që ka Krishti, na detyron, sepse kemi gjykuar që një njeri i vetëm vdiq për të gjithë. . . . Ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit.» (2 Korintasve 5:14, 15) Akti i jashtëzakonshëm i dashurisë së Krishtit i detyron të krishterët të ndryshojnë mënyrën e jetesës që të ndjekin shembullin e tij. Kështu e nderojnë në një mënyrë shumë më domethënëse sesa duke përdorur një simbol fetar.
«Vullneti i Atit tim është ky: kushdo që e sheh Birin dhe tregon besim tek ai, të ketë jetë të përhershme.»
—Gjoni 6:40.
^ par. 8 Marrë nga A Critical Lexicon and Concordance to the English and Greek New Testament, botimi i 11-të, faqet 818-819, nga Etelbert Bullingeri.