Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësime që japin shpresë

Mësime që japin shpresë

Perëndia ka premtuar që, së shpejti, do të shikojmë ndryshime emocionuese në tokë. Ai do të zhdukë vuajtjet dhe do t’u japë jetë të lumtur njerëzve. (Psalmi 37:11) Pse mund ta besojmë këtë premtim? Sepse «Perëndia nuk është njeri që të gënjejë». (Numrat 23:19) Shqyrto disa nga gjërat e mira që do të bëjë Krijuesi.

Perëndia do t’i eliminojë të ligjtë

«Të ligjtë mbijnë si bari i keq dhe ata që bëjnë veç keq lulëzojnë, vetëm që të shfarosen një herë e mirë.»—PSALMI 92:7.

Siç mësuam në artikullin e mëparshëm, ligësia vazhdon të rritet. Kjo nuk duhet të na habisë. Në fund të fundit ishte parathënë në Bibël, te 2 Timoteut 3:1-5, se gjatë ‘ditëve të fundit’ njerëzit do të ishin si mos më keq. Ditët e fundit të çfarë? Të kësaj bote me njerëz që nuk duan t’i binden Zotit. Shpejt Perëndia do t’i shkatërrojë ata që refuzojnë të ndryshojnë rrugë. Pastaj në tokë do të jetojnë vetëm njerëzit e mirë, ata që i binden Zotit. «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29.

Perëndia do ta asgjësojë Satanain

«Perëndia që jep paqe, do ta dërrmojë Satanain.»—ROMAKËVE 16:20.

Me t’u fshirë e keqja nga faqja e tokës, bashkë me Satanain dhe demonët, më në fund do të triumfojë paqja. Krijuesi ynë premton: «Askush nuk do [të të] trembë.»—Mikea 4:4.

Perëndia do të zhdukë sëmundjet dhe vdekjen

«[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje.»—ZBULESA 21:4.

Vuajtjet dhe sëmundjet do të marrin fund, sepse Zoti do të zhbëjë gjithë dëmin e shkaktuar nga Satanai, Adami, Eva dhe nga papërsosmëria jonë. Si rezultat, edhe ‘vdekje nuk do të ketë më’. Njerëzit që e duan dhe i binden Krijuesit, do të jetojnë në përjetësi. Po ku do të jetojnë?

Krijuesi do ta bëjë tokën parajsë

«Shkretëtira dhe vendet e thata do të ngazëllojnë. Rrafshina e shkretë do të gëzojë dhe do të lulëzojë si shafrani.»—ISAIA 35:1.

Kur Zoti t’i shkatërrojë të ligjtë, toka do të bëhet parajsë. Ajo do të jetë plot me parqe e kopshte mahnitëse dhe do të japë prodhim me bollëk. (Psalmi 72:16) Oqeanet, liqenet dhe lumenjtë do të jenë të pastër e plot jetë. Madje, me shumë mundësi fjala «ndotje» do të zhduket nga fjalori ynë! Njerëzit do të jetojnë në shtëpi që i kanë ndërtuar me duart e tyre. Kurrë më nuk do të ketë asnjë të pastrehë, të uritur a të varfër.—Isaia 65:21, 22.

Perëndia do të kthejë në jetë të vdekurit

«Do të ketë një ringjallje të të vdekurve.»—VEPRAT 24:15, Diodati i Ri i Rishikuar.

A dëshiron t’i takosh përsëri njerëzit e dashur që të kanë vdekur? Perëndia i plotfuqishëm do t’i kthejë sërish në jetë, pra do t’i ringjallë në tokën parajsore. Ti do t’i njohësh ata, dhe ata do të të njohin ty. Imagjino ç’gëzim për ty e për ata! Pse mund të jemi të sigurt për këtë? Sepse në Bibël ka shembuj me të rritur e fëmijë që erdhën sërish në jetë dhe u bashkuan me familjarët e tyre. Për më tepër, Jezui shpesh i ringjalli të vdekurit në prani të shumë njerëzve.—Luka 8:49-56; Gjoni 11:11-14, 38-44.