Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Aftësia e sepjes për të ndryshuar ngjyrë

Aftësia e sepjes për të ndryshuar ngjyrë

SEPJA mund të ndryshojë ngjyrë dhe të kamuflohet, duke u bërë thuajse e padukshme për syrin e njeriut. Sipas një raporti, sepja «njihet për aftësinë që ka trupi i saj të marrë forma të ndryshme dhe këtë mund ta bëjë pothuajse në çast». Si e arrin këtë?

Shqyrto faktet: Sepja ndryshon ngjyrë duke përdorur kromatoforin, një lloj qelize e veçantë që gjendet nën lëkurë. Kromatoforet përmbajnë qeska që janë plot pigment ngjyrues dhe që rrethohen nga muskuj të veckël. Kur sepja duhet të kamuflohet, truri dërgon një sinjal që të tkurrë muskujt përreth qeskave. Më pas, qeskat dhe pigmenti brenda zgjerohen dhe sepja ndryshon menjëherë ngjyrë e formë. Sepja mund ta përdorë këtë aftësi jo vetëm për t’u kamufluar, por edhe për t’u bërë përshtypje partnerëve të mundshëm e ndoshta për të komunikuar.

Inxhinierët në Universitetin e Bristolit, Angli, ndërtuan një lëkurë sepjeje artificiale. Ata vendosën disqe gome të zezë midis pajisjeve të vogla që funksionojnë si muskujt e sepjes. Kur studiuesit vunë elektricitet te lëkura, pajisjet ngjeshën dhe zgjeruan disqet e zeza, duke e errësuar dhe ndryshuar ngjyrën e lëkurës artificiale.

Inxhinieri Xhonatan Rositer thotë për muskujt e sepjes se janë «struktura të buta që natyra i ka bërë me shumë aftësi». Falë studimeve rreth tyre, mund të krijohen veshje që ndryshojnë ngjyrë në një fraksion të sekondës. Rositeri thotë se njerëzit mund të veshin rroba të frymëzuara nga sepja që të kamuflohen ose thjesht për modë.

Si mendon? A erdhi me evolucion aftësia e sepjes për të ndryshuar ngjyrë? Apo është projektuar?