Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PIKËPAMJA E BIBLËS

Qielli

Qielli

Për qiellin janë bërë spekulime nga më të çuditshmet dhe debate të zjarrta. Mirëpo, ajo që mëson Bibla për të, është krejt ndryshe nga çfarë u është mësuar shumë njerëzve.

Çfarë është qielli?

ÇFARË THONË DISA:

Ka bindje të ndryshme për qiellin dhe për qëllimin e tij. Ja disa shembuj.

  • Shumë që quhen të krishterë do të ishin dakord me New Catholic Encyclopedia që e quan qiellin «shtëpia e fundit e të bekuarve që vdesin në Zotërinë».

  • Sipas rabinit Benxon Kravic, judaizmi përqendrohet më tepër te jeta e tanishme sesa tek ajo pas vdekjes. Por, ai hedh idenë se «në qiell shpirti përjeton kënaqësinë më të madhe që mund të ekzistojë, një perceptim dhe një ndjesi afrimiteti me Zotin më të madhe se më parë». Megjithatë Kravic pranon se, «ndonëse judaizmi beson te qielli, në Torë flitet fare pak për të».

  • Hinduistët dhe budistët besojnë se ka shumë nivele në qiell. Sipas tyre, ai është një ndalesë e përkohshme pas së cilës një person ose rilind në tokë, ose kalon në Nirvanë—gjendje më e lartë se qielli.

  • Disa hedhin poshtë çdo koncept fetar për qiellin dhe thonë se të gjitha këto janë gjepura kalamajsh.

Për qiellin janë bërë spekulime të shumta

ÇFARË MËSON BIBLA:

Në Bibël, fjala «qiell» nuk ka vetëm një kuptim. Ja disa shembuj.

  • Zanafilla 1:20 përshkruan krijimin e zogjve që «fluturojnë mbi tokë, në hapësirën e qiejve». Në këtë rast, fjala ‘qiej’ i referohet atmosferës, qiellit që mund të vëzhgohet.

  • Isaia 13:10 përmend «yjet dhe yjësitë . . . që janë në qiej», pra atë që do ta quanim hapësirë kozmike.

  • Bibla flet për ‘qiejt, vendin ku banon’ Perëndia dhe thotë se ka ‘engjëj në qiell’. (1 Mbretërve 8:30; Mateu 18:10) Vër re se fjalët «qiejt» dhe «qiell» nuk janë thjesht metafora, por përshkruajnë një vendbanim të mirëfilltë. *

«Shiko nga qielli, nga banesa jote shumë e lartë, e shenjtë dhe e bukur.»Isaia 63:15.

A shkojnë të gjithë njerëzit e mirë në qiell pas vdekjes?

Bibla nuk mëson se toka është thjesht një shtëpi e përkohshme ku na pret vdekja e më pas jeta në qiell. Bibla e bën të qartë se vdekja nuk ishte aspak pjesë e qëllimit që kishte në fillim Zoti për njerëzit. Mendo pak:

  • Perëndia i tha çiftit të parë njerëzor: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën.» (Zanafilla 1:28) Toka duhej të ishte shtëpia e përhershme e njeriut, ku mund të jetonte përgjithmonë. Burri dhe gruaja e parë do të vdisnin vetëm nëse nuk do t’i bindeshin Perëndisë. Mjerisht, ata zgjodhën të mos bindeshin.Zanafilla 2:17; 3:6.

  • Mosbindja e njeriut të parë solli vdekjen jo vetëm për të e për gruan e tij, por edhe për pasardhësit e tyre. (Romakëve 5:12) A mbeti pa shpresë njerëzimi për faj të tyre?

  • Bibla thotë se «sipas premtimit [të Perëndisë], ne presim qiej të rinj e një tokë të re». * (2 Pjetrit 3:13) Me anë të Mbretërisë së tij, Zoti do ta rikthejë tokën në gjendjen që kishte ndër mend, dhe «nuk do të ketë më vdekje». (Zbulesa 21:3, 4) Këtu po flitet për jetën në qiell apo në tokë? Kur thuhet «nuk do të ketë më» diçka, nënkupton se ajo duhet të ketë ekzistuar më parë. Mirëpo, vdekja nuk ka ekzistuar kurrë në qiell. Logjikisht, ky varg flet për atë që do të ndodhë në tokë, ku Perëndia kishte si qëllim të jetonim dhe ku mezi presim të jemi bashkë me njerëzit tanë të dashur. Gjithashtu, Bibla tregon se të vdekurit do të rikthehen në jetë dhe do të bashkohen përsëri me njerëzit e tyre të dashur.Gjoni 5:28, 29.

Shumë veta janë emocionuar kur kanë mësuar atë që thotë Bibla për qiellin. Për shembull, Xhorxhi, një ish-katolik, pohon: «Mora zemër kur mësova nga Bibla se mund të jetoj përgjithmonë në tokë. Kjo kishte më shumë kuptim se të shkoja në qiell.» *

«Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.»Psalmi 115:16.

^ par. 13 Sigurisht, Zoti ka një trup të padukshëm, jo trup fizik. (Gjoni 4:24) Prandaj, vendbanimi i tij duhet të jetë i padukshëm, veçmas universit tonë fizik.

^ par. 19 Shprehja ‘tokë e re’ nuk nënkupton një planet të mirëfilltë të ri, përkundrazi është një shprehje simbolike që i referohet një shoqërie njerëzore në tokë që ka miratimin e Perëndisë.Psalmi 66:4.

^ par. 20 Bibla mëson se nën Mbretërinë e Perëndisë, vetëm një numër i kufizuar njerëzish, 144.000 veta, zgjidhen për të mbretëruar në qiell me Jezuin.1 Pjetrit 1:3, 4; Zbulesa 14:1.