TEMA KRYESORE | A SJELL NDONJË TË MIRË LUTJA?
Lutja—Ç’të mirë të sjell?
Para se të nisësh diçka të re, natyrshëm mund të mendosh: «Ç’fitoj nga kjo?» Por, a është egoiste të mendojmë kështu për lutjen? Jo medoemos. Është normale të pyesim nëse lutja sjell ndonjë të mirë. Edhe njeriu i mirë Job dikur pyeti: «Po ta thërrisja [Zotin], a do të më përgjigjej?»
Në artikujt paraardhës pamë prova se lutja është shumë më tepër se një zakon fetar ose një lloj terapie mendore. Sigurisht që Perëndia i vërtetë i dëgjon lutjet. Nëse lutemi në mënyrën e duhur dhe për gjërat e duhura, ai do të na kushtojë vëmendje. Ç’është e vërteta, ai na nxit t’i afrohemi. (Jakovi 4:8) Prandaj, çfarë mund të presim nëse e bëjmë lutjen pjesë të jetës? Le të shohim disa dobi të saj.
Paqe mendore
A të pushton ankthi kur të mbytin problemet e vështirësitë në jetë? Bibla na nxit që në momente të tilla ‘të lutemi pa pushim’ dhe ‘t’ia bëjmë të njohura Perëndisë kërkesat tona’. (1 Selanikasve 5:17; Filipianëve 4:6) Ajo na siguron se po të lutemi, «paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë [tona] mendore». (Filipianëve 4:7) Kur ia zbrazim merakun Atit tonë qiellor, provojmë qetësi shpirtërore në njëfarë mase. Në fakt ai na jep zemër që ta bëjmë këtë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.»
«Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.»
Këtë paqe e kanë përjetuar shumë e shumë njerëz anembanë botës. Hi Rana nga Koreja e Jugut thotë: «Sado që kam probleme të mëdha, me t’u
lutur për to ndiej se më është hequr një barrë e madhe dhe ndihem më e fortë.» Sesilia, që jeton në Filipine, tregon: «Si nënë merakosem jashtë mase për vajzat dhe mamanë, e cila tani nuk arrin të më njohë më. Por, falë lutjes, i bëj gjërat e përditshme pa u shqetësuar tepër. E di se Jehovai do të më ndihmojë të kujdesem për to.»Lehtësim dhe forcë kur hasim sprova
Mbase je në stres të madh, madje në rrethana tragjike a kërcënuese për jetën. Nëse i lutesh ‘Perëndisë së çdo ngushëllimi’, mund të ndihesh tejet i lehtësuar. Bibla thotë se ai «na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona». (2 Korintasve 1:3, 4) Për shembull, në një rast kur Jezui ishte jashtë mase i shqetësuar, «ra në gjunjë dhe filloi të lutej». Cili ishte rezultati? «Iu shfaq një engjëll nga qielli dhe e forcoi.» (Luka 22:41, 43) Një njeri tjetër besnik, Neheminë, e kërcënuan njerëz të ligj, që u përpoqën ta pengonin të përmbushte caktimin e Perëndisë. Ai u lut: «Tani, o Perëndi më forco!» Ngjarjet vijuese tregojnë se Perëndia e ndihmoi vërtet të mposhtte frikën dhe t’ia dilte mbanë. (Nehemia 6:9-16) Rexhinaldi, që jeton në Ganë, na tregon si ndihet për lutjen: «Kur lutem, sidomos kur jam i mbytur në halle, e ndiej se po flas me dikë që mund të më ndihmojë dhe që më siguron se s’ka pse të kem frikë.» Po, Perëndia na lehtëson kur i lutemi.
Mençuri nga Zoti
Disa nga vendimet tona mund të kenë ndikim të përhershëm te ne dhe te njerëzit tanë të dashur. Si mund të marrim vendime të mençura? Bibla thotë: «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri [sidomos përballë sprovave], le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i qortuar, e do t’i jepet.» (Jakovi 1:5) Nëse lutemi për mençuri, Zoti mund të na drejtojë me frymën e shenjtë që të marrim vendime të mençura. Mund të lutemi specifikisht që të kemi frymën e shenjtë, sepse Jezui na siguroi se «Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!»
Edhe Jezui ndjeu nevojën që t’i kërkonte ndihmë Atit të tij për të marrë vendime të rëndësishme. Bibla tregon se, kur ai donte të zgjidhte 12 apostujt, «kaloi gjithë natën duke iu lutur Perëndisë».
Ashtu si Jezui, mjaft veta sot kanë marrë zemër kur kanë parë si u është përgjigjur Zoti kërkesave të tyre për të marrë vendime të mençura. Rexhina, që jeton në Filipine, na tregon për disa probleme të sajat, si mbështetja e familjes ekonomikisht pas vdekjes së burrit, humbja e punës dhe sfidat e rritjes së fëmijëve. Çfarë e ka ndihmuar të marrë vendime të mençura? Ajo thotë: «Mbështetem te Jehovai me anë të lutjes.» Kuabeni, që jeton në Ganë, shpjegon pse kërkoi ndihmën e Zotit: «Humba një punë me rrogë të mirë në ndërtim.» Ai thotë çfarë bënte teksa shqyrtonte mundësitë: «I lutesha vazhdimisht Jehovait që të më drejtonte të merrja vendimin e duhur.» Pastaj shton: «Jam shumë i bindur se Jehovai më ndihmoi të zgjidhja një karrierë falë së cilës plotësoj si nevojat fizike, ashtu edhe nevojën për të mësuar për Perëndinë.» Edhe ti mund të ndiesh drejtimin e Zotit duke u lutur për çështje që mund të ndikojnë te marrëdhënia jote me të.
Kemi përmendur vetëm disa gjëra të mira që mund të të sjellë lutja. (Për më shumë shembuj, shih kutinë « Dobitë e lutjes».) Por, që t’i provosh këto dobi, së pari duhet të njohësh Perëndinë dhe vullnetin e tij. Nëse e dëshiron këtë, të nxitim t’u kërkosh Dëshmitarëve të Jehovait që të të ndihmojnë të studiosh Biblën. * Ky mund të jetë hapi yt i parë për t’iu afruar ‘Dëgjuesit të lutjes’.
^ par. 14 Për më shumë informacion, kontakto Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde ose vizito faqen tonë të Internetit www.isa4310.com.