TEMA KRYESORE | KUSH JANË DËSHMITARËT E JEHOVAIT?
Si financohet vepra jonë e predikimit?
Çdo vit shtypim e shpërndajmë qindra milionë Bibla dhe botime biblike. Ndërtojmë e administrojmë zyra dege dhe shtypshkronja anembanë botës. Dhjetëra mijë kongregacione mblidhen në vende adhurimi të thjeshta, e megjithatë të këndshme, që i quajmë Salla Mbretërie. Nga vijnë gjithë këto para?
Aktiviteti ynë mbështetet tërësisht nga kontributet vullnetare. (2 Korintasve 9:7) Në vitin 1879, numri i dytë i kësaj reviste pohonte: «Kemi bindjen se ‘Kulla e Rojës e Sionit’ [siç quhej në atë kohë kjo revistë] ka mbështetjen e JEHOVAIT dhe, përderisa është kështu, as do të kërkojë e as do të lypë mbështetjen e njerëzve.» Të njëjtën bindje kemi edhe sot.
Kontributet i dërgohen drejtpërdrejt një prej zyrave të degëve ose hidhen në një kuti kontributesh që e gjen në çdo Sallë Mbretërie. Por nuk kërkojmë kurrë të dhjetën, nuk mbledhim para dhe nuk vëmë një çmim për shërbimet dhe botimet tona. Nuk paguhemi për predikimin, për mësimdhënien në kongregacione ose për ndërtimin e vendeve të adhurimit. Tekefundit, Jezui tha: «Falas morët, falas jepni.» (Mateu 10:8) Të gjithë ata që shërbejnë në zyrat e degëve tona dhe në selinë botërore, përfshirë anëtarët e Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, janë pjesëtarë të një urdhri fetar që nuk paguhen.
«Si me të gjitha aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait, edhe fondet e tyre fetare jepen vullnetarisht dhe kushdo vendos vetë sa shumë dhe sa shpesh do të kontribuojë për fenë.»
Fondet e dhuruara përdoren edhe për të ndihmuar në rast katastrofash. Të krishterët e hershëm u vinin me kënaqësi në ndihmë atyre që gjendeshin në vështirësi. (Romakëve 15:26) Edhe sot ndihmojmë të prekurit nga katastrofat duke u rindërtuar shtëpitë, vendet e adhurimit dhe duke u siguruar ushqim, veshje e ilaçe.