Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | SI TA PËRBALLOSH ANKTHIN?

Ankthi për familjen

Ankthi për familjen

Zhaneta tregon: «Pak pasi më vdiq babai, burri më tha se ishte lidhur me një grua tjetër. Pa kaluar shumë kohë, mori rrobat dhe iku nga shtëpia, pa njoftuar e pa thënë as mirupafshim.» Ajo gjeti punë, por rroga nuk i mjaftonte as për të paguar shtëpinë. Dhe problemet nuk ishin vetëm financiare. Zhaneta kujton: «Më mbyste ankthi për përgjegjësitë e reja që binin vetëm mbi mua. Ndihesha në faj që nuk mund t’u siguroja fëmijëve aq gjëra sa prindërit e tjerë. Madje akoma vras mendjen se çfarë mendojnë të tjerët për mua e për fëmijët. Mos mendojnë se nuk bëra aq sa duhej për ta shpëtuar martesën?»

Zhaneta

Lutjet e ndihmojnë Zhanetën të ruajë qetësinë dhe miqësinë e fortë me Perëndinë. Ajo tregon: «Natën e kam më të vështirë sepse çdo gjë bie në qetësi dhe më vërshojnë lloj-lloj mendimesh të ankthshme. Lutjet dhe leximi i Biblës më ndihmojnë të fle. Një nga shkrimet e mia të preferuara është Filipianëve 4:6, 7: ‘Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore.’ Kam kaluar net të tëra me lutje e përgjërime dhe kam ndier paqen e Perëndisë.»

Fjalët e Jezuit gjatë Predikimit në Mal japin siguri për çdo lloj ankthi: «Ati juaj, e di se për ç’gjëra keni nevojë, madje përpara se t’ia kërkoni.» (Mateu 6:8) Gjithsesi duhet t’ia kërkojmë. Lutja është mënyra kryesore si ‘mund t’i afrohemi Perëndisë’ dhe si rrjedhojë ‘Ai do të na afrohet’.Jakovi 4:8.

Po, lutja nuk është vetëm një mënyrë për t’u lehtësuar sepse ke shprehur ankthin. Jehovai, ‘Dëgjuesi i lutjes’, vepron në dobi të të gjithë atyre që e kërkojnë me besim. (Psalmi 65:2) Ja pse Jezui i mësoi dishepujt «të luteshin gjithnjë e të mos dorëzoheshin». (Luka 18:1) Duhet të vazhdojmë të kërkojmë drejtimin dhe ndihmën e Perëndisë, të bindur se besimi ynë do të shpërblehet. Të mos dyshojmë kurrë te dëshira dhe tek aftësia e tij për të vepruar. Kur ‘lutemi pa pushim’, tregojmë se kemi besim të vërtetë.1 Selanikasve 5:17.

Ç’DO TË THOTË TË KESH BESIM

Por ç’do të thotë të kesh besim? Besimi përfshin ‘të marrim njohuri’ për vetë Perëndinë. (Gjoni 17:3) Këtë e bëjmë duke përvetësuar mendimet e Perëndisë përmes faqeve të Biblës. Mësojmë se ai sheh çfarë kalon secili prej nesh dhe do që të na ndihmojë. Mirëpo, të kesh besim të vërtetë nuk do të thotë thjesht të dish diçka për Perëndinë, por të kesh një lidhje miqësore plot respekt me të. Si me çdo miqësi, kjo lidhje nuk krijohet brenda natës. Besimi «rritet» ndërsa mësojmë për të, ndërsa ‘bëjmë gjërat që i pëlqejnë atij’ dhe ndërsa shohim dorën e tij. (2 Korintasve 10:15; Gjoni 8:29) Ky lloj besimi e ndihmon Zhanetën të përballojë ankthin.

Ajo thotë: «Besimi më është forcuar vërtet teksa shihja dorën e Jehovait në çdo hap. Shpeshherë na janë bërë padrejtësi që nuk mendonim se do t’i duronim dot. Pas shumë lutjesh, Jehovai gjithnjë na gjente zgjidhje që unë vetë nuk do t’i kisha gjetur kurrë. Kur e falënderoj, sjell ndër mend gjithë sa ka bërë për mua. Gjithmonë na është gjendur pranë, shpesh pikërisht atëherë kur duhej. Më ka dhënë miq për kokë që janë burra dhe gra vërtet të krishterë. Janë përherë të gjindshëm dhe shembuj për fëmijët e mi. *

E kuptoj pse Jehovai thotë te Malakia 2:16: ‘E urrej divorcin.’ Për bashkëshortin e pafajshëm kjo është tradhtia më e hidhur. Kanë kaluar vite që kur burri na braktisi, por prapë ndonjëherë ndihem bosh. Në momente të tilla përpiqem të ndihmoj dikë dhe kështu ndihmoj edhe veten.» Zhaneta ndihet më pak në ankth kur zbaton parimin biblik për të mos u veçuar. *Proverbat 18:1.

Perëndia është ‘babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave’.Psalmi 68:5

Ajo shprehet: «Ngushëllimi më i madh për mua është mendimi se Perëndia është ‘babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave’. Ai nuk do të na braktisë kurrë si im shoq.» (Psalmi 68:5, Diodati i Ri) Zhaneta e di se Zoti nuk na sprovon «me gjëra të liga». Përkundrazi, na jep mençuri «të gjithëve bujarisht» dhe ‘fuqi përtej asaj që është normale’, që të përballojmë ankthet.Jakovi 1:5, 13; 2 Korintasve 4:7.

Po nëse jeta jonë është në rrezik?

^ par. 10 Për më shumë mënyra praktike për të përballuar ankthin, shih serinë «A e ke nën kontroll jetën?» në revistën Zgjohuni! të korrikut 2015 që disponohet online në www.isa4310.com.