BIBLA TË NDRYSHON JETËN
Nuk shkoja gjëkundi pa armë
LINDUR: 1958
VENDI I LINDJES: ITALI
MË PARË: GANGSTER I DHUNSHËM
E KALUARA IME:
Linda dhe u rrita në periferitë e Romës, në një zonë që banohej nga klasa e varfër punëtore. Jeta ishte e vështirë. Nënën biologjike nuk e njoha kurrë, kurse me babanë nuk kisha marrëdhënie të mira. U rrita sipas rregullave të rrugës.
Aty nga mosha dhjetëvjeçare, kisha filluar tashmë të vidhja. Kur isha 12 vjeç, ika nga shtëpia për herë të parë. Më shumë se një herë, babait iu desh të më merrte nga rajoni i policisë dhe të më çonte në shtëpi. Zihesha vazhdimisht me të tjerët; isha i dhunshëm dhe i zemëruar me gjithë botën. Kur isha 14 vjeç, ika nga shtëpia përgjithmonë. Fillova të merrja drogë dhe të jetoja në rrugë. Meqë nuk kisha një vend për të fjetur, futesha vjedhurazi në ndonjë makinë dhe rrija aty deri në të gdhirë. Më pas, kërkoja ndonjë shatërvan për t’u larë.
U bëra hajdut profesionist, duke filluar që nga grabitja e çantave e deri te vjedhja e apartamenteve dhe e vilave gjatë natës. Më doli nami i keq dhe s’kaloi shumë e më ftuan në një bandë famëkeqe, e cila më ofroi mundësinë «të ngrihesha në detyrë»—të vidhja banka. Për shkak të personalitetit tim agresiv, brenda pak kohe u bëra anëtar i respektuar i bandës. Nuk shkoja gjëkundi pa armë; në fakt, edhe kur flija, e mbaja poshtë jastëkut. Jeta ime u bë vetëm dhunë, drogë, vjedhje, fjalë të pista dhe imoralitet. Isha vazhdimisht i kërkuar nga policia. Më arrestuan disa herë, dhe për vite me radhë hyja e dilja nga burgu.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:
Njëherë, kur dola nga burgu, shkova të takoja tezen. Nuk e dija, por ajo dhe dy kushërinjtë e mi ishin bërë Dëshmitarë të Jehovait. Ata më ftuan të shkoja në një mbledhje të Dëshmitarëve. Vendosa të shkoja, sa për kureshtje. Kur arritëm te Salla e Mbretërisë, ngula këmbë të ulesha afër derës, kështu që mund të mbaja nën vëzhgim të gjithë ata që hynin e dilnin. Sigurisht, isha i armatosur.
Ajo mbledhje më ndryshoi jetën. Më dukej sikur aty isha në ndonjë planet tjetër. Dëshmitarët më përshëndetën ngrohtësisht, miqësisht dhe me buzëqeshje. E kam ende të gjallë në mendje shikimin e tyre mirëdashës dhe të sinqertë. Sigurisht, kjo ishte miliona kilometra larg botës ku jetoja unë.
Fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët. Sa më shumë mësoja, aq më e dukshme bëhej se duhej ta ndryshoja komplet mënyrën e jetesës. I mora për zemër fjalët e Proverbave 13:20: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» E kuptova se duhej të largohesha nga banda. Kjo nuk ishte e lehtë, por me ndihmën e Jehovait, ia dola.
Për herë të parë në jetën time, fillova ta kisha veten nën kontroll
Bëra edhe ndryshime të tjera. Me shumë përpjekje, e lashë duhanin dhe drogën. Preva flokët e gjatë, hoqa vathët dhe pastrova fjalorin. Për herë të parë në jetën time, fillova ta kisha veten nën kontroll.
Kurrë s’kisha qenë tip i leximit dhe i studimit, prandaj e kisha vërtet sfidë të përqendrohesha dhe të zhytesha në studimin e Biblës. Gjithsesi, teksa përpiqesha, pak nga pak fillova ta doja Jehovain, dhe diçka brenda meje filloi të ndryshonte—ndërgjegjja nisi të më vriste. Shpesh, kisha ndjenja negative për veten, dyshoja nëse Jehovai do të më falte ndonjëherë për gjithë të këqijat që kisha bërë. Në ato momente, ngushëllohesha tej mase kur lexoja për Jehovain që fali mbretin David pasi bëri mëkate të rënda.—2 Samuelit 11:1–12:13.
Një sfidë tjetër ishte të shkoja derë më derë dhe t’u flisja të tjerëve për besimin tim. (Mateu 28:19, 20) Tmerrohesha se mos takoja dikë që e kisha lënduar ose i kisha bërë keq në ndonjë mënyrë në të kaluarën. Por, dalëngadalë arrita ta mposhtja frikën. Fillova të ndieja kënaqësi të vërtetë kur i ndihmoja të tjerët të mësonin për Atin tonë të mrekullueshëm në qiell, i cili na fal pa masë.
DOBITË:
Njohuria për Jehovain më ka shpëtuar jetën. Shumica e shokëve të mi të mëparshëm kanë vdekur ose janë në burg, por unë kam një jetë vërtet të kënaqshme dhe një të ardhme që mezi e pres. Kam mësuar të jem i përulur, i bindur dhe ta kontrolloj temperamentin tim shpërthyes. Si rezultat, gëzoj marrëdhënie më të mira me të tjerët përreth. Kam një martesë të lumtur me gruan time të bukur, Karmenin. Së bashku, provojmë gëzim të pamasë teksa ndihmojmë të tjerët të mësojnë për Biblën.
Ah, tani bëj punë të ndershme—nganjëherë ka të bëjë prapë me bankat, por në vend që t’i vjedh, i pastroj.