Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | PIKËPAMJA E PERËNDISË PËR DUHANIN

Ç’pikëpamje ka Perëndia për duhanin?

Ç’pikëpamje ka Perëndia për duhanin?

Naokoja që e përmendëm në artikullin e parë, tha për fitoren e saj mbi duhanin: «Arrita ta ndryshoja jetën, sepse mësova të vërtetën për cilësitë dhe qëllimin e Perëndisë.» Gjërat që mësoi, gjenden në Bibël. Ndonëse Bibla nuk e përmend në asnjë vend duhanin, ajo na ndihmon të kuptojmë çfarë mendon Perëndia për pirjen e tij. * Për shumë veta, kjo njohuri ishte shkëndija që u duhej për t’i rezistuar këtij vesi ose për ta lënë. (2 Timoteut 3:16, 17) Le të shqyrtojmë tri efekte të dëmshme të duhanit që janë shumë të njohura, dhe të shohim ç’thotë Bibla për to.

DUHANI KRIJON VARËSI

Duhani përmban një nga drogat që krijojnë më tepër varësi—nikotina. Ajo ka efekt stimulues, por edhe depresiv. Kur pi duhan, nikotina shkon në tru shpejt dhe vazhdimisht. Meqë një thithje përmban një dozë nikotine, i bie që një duhanpirës mesatar që konsumon një paketë në ditë, thith rreth 200 doza në ditë, doza më e lartë se çdo drogë tjetër. Kjo dozë e vazhdueshme e bën nikotinën një drogë që krijon varësi unike. Një herë që dikush bëhet i varur, nëse nuk e plotëson nevojën për nikotinë, ai ka simptoma të lënies së duhanit.

«Jeni skllav i tij ngaqë i bindeni.»Romakëve 6:16

A mund t’i bindesh vërtet Jehovait nëse je skllav i duhanit?

Bibla na ndihmon të kemi pikëpamjen e duhur për këtë kur thotë: «A nuk e dini se po të vazhdoni t’ia paraqitni veten dikujt si skllav që t’i bindeni, jeni skllav i tij ngaqë i bindeni?» (Romakëve 6:16) Kur mendimet ose veprimet e dikujt diktohen nga dëshira e fortë për duhan, s’kalon shumë dhe ai bëhet skllav i një vesi zvetënues. Megjithatë, Perëndia, emri i të cilit është Jehova, dëshiron që ne të çlirohemi jo vetëm nga praktikat që na dëmtojnë trupin, por edhe nga ato që na prishin frymën, domethënë, prirjen mendore që mbizotëron te ne. (Psalmi 83:18; 2 Korintasve 7:1) Kështu, teksa një person rrit vlerësimin dhe respektin për Jehovain, ai e pranon se Jehovai meriton më të mirën, dhe se ai nuk mund t’i japë më të mirën Perëndisë ndërkohë që është skllav i një vesi vdekjeprurës. Kur kupton këtë, një person mund të arrijë të ketë vullnetin e duhur për t’u rezistuar dëshirave të dëmshme.

Olafi, i cili jeton në Gjermani, u çlirua nga varësia 16-vjeçare e duhanit, të cilin e filloi kur ishte 12 vjeç. Ai tha: «Cigarja e parë dukej si një top bore i padëmshëm, por me kalimin e viteve u bë një ortek i stërmadh. Një herë, kur m’u mbaruan cigaret, isha aq i dëshpëruar sa mora gjithë bishtat e cigareve në tavllë, mblodha duhanin brenda tyre dhe drodha një cigare me një copë gazete. Kur e mendoj, më vjen turp nga vetja.» Si arriti të çlirohej nga ky ves zvetënues? Ai tha: «Ajo që më ndihmoi jashtë mase, ishte dëshira për të kënaqur Jehovain. Dashuria e Jehovait për njerëzimin dhe shpresa që ofron ai, më dha forcë për t’u çliruar një herë e mirë nga ky ves.»

DUHANI DËMTON SHËNDETIN

«Të pish cigare . . . është provuar shkencërisht se dëmton thuajse çdo organ të trupit dhe rrit mundësitë për sëmundje dhe vdekje»,—thotë The Tobacco Atlas. Është më se e ditur se duhani shkakton sëmundje jongjitëse, si: kancer, sëmundje të zemrës dhe të mushkërive. Por, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duhani është edhe një shkak madhor i vdekjeve nga sëmundjet ngjitëse, si tuberkulozi.

«Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.»Mateu 22:37

A tregon dashuri dhe respekt për Perëndinë, nëse nëpërmjet një vesi ndotës abuzon me trupin që e ke dhuratë nga Perëndia?

Me anë të Fjalës së tij, Biblës, Perëndia Jehova na mëson të kemi pikëpamjen e duhur për jetën, trupin dhe aftësitë tona. Biri i tij, Jezui, e nxori në pah këtë kur tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) Është e qartë se Perëndia dëshiron që ta përdorim mirë jetën e trupin dhe t’i trajtojmë me respekt. Teksa mësojmë për Jehovain dhe premtimet e tij, na rritet dashuria për të dhe çmueshmëria për gjithçka që ka bërë për ne. Kjo na motivon t’i rrimë larg çdo gjëje që na ndot trupin.

Xhajavanti, një mjek në Indi, kishte pirë duhan për 38 vjet. Ai tha: «Rreziqet e duhanit i mësova nga revistat mjekësore. E dija se ishte e gabuar të pija, dhe u thosha pacientëve ta linin. Por vetë nuk e lija dot, edhe pse u përpoqa pesë-gjashtë herë.» Çfarë e ndihmoi ta linte më në fund? Ai tregon: «Studimi i Biblës më ndihmoi ta lija duhanin. Dëshira për të kënaqur Jehovain më motivoi të çlirohesha menjëherë nga ky ves.»

DUHANI DËMTON TË TJERËT

Tymi që del nga mushkëritë e atyre që e pinë dhe tymi i cigares që digjet, janë lëndë helmuese. Ata që e thithin këtë tym të dorës së dytë, mund të sëmuren me kancer e sëmundje të tjera, dhe çdo vit vdesin 600.000 joduhanpirës, shumica gra e fëmijë. Një raport nga OBSH-ja paralajmëron: «Nuk ka një nivel të sigurt të ekspozimit ndaj tymit të dorës së dytë.»

«Duaje të afërmin tënd si veten.»Mateu 22:39

A e do vërtet të afërmin dhe familjen nëse i ekspozon ata ndaj rreziqeve të tymit të dorës së dytë?

Sipas Jezuit, dashuria për të afërmin—për familjen, miqtë dhe të tjerët përreth—është e dyta pas dashurisë për Perëndinë. «Duaje të afërmin tënd si veten»,—tha ai. (Mateu 22:39) Nëse kemi një ves që u bën dëm të tjerëve pranë nesh, nuk po tregojmë dashuri për të afërmin. Dashuria e sinqertë na shtyn të ndjekim këshillën e Biblës: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.»—1 Korintasve 10:24.

Armeni, i cili jeton në Armeni, kujton: «Familja më përgjërohej ta lija duhanin, sepse u bënte dëm. Por unë nuk doja ta pranoja që u bënte dëm.» Ai shpjegon pse ndryshoi mendim: «Njohuria për Biblën dhe dashuria për Jehovain më ndihmoi ta lija duhanin dhe ta pranoja se ishte i dëmshëm jo vetëm për mua, por edhe për të tjerët përreth meje.»

PIRJA E DUHANIT DO TË ZHDUKET PËRGJITHMONË!

Njohuria për Biblën e ndihmoi Olafin, Xhajavantin dhe Armenin të çliroheshin nga një ves zvetënues që dëmtonte ata dhe të tjerët. Ata arritën ta linin jo thjesht nga dijenia se duhani është i dëmshëm, por sepse zhvilluan dashuri për Jehovain dhe donin ta kënaqnin. Roli jetësor i dashurisë theksohet te 1 Gjonit 5:3, ku thuhet: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» Sigurisht, nuk është gjithnjë e lehtë të ndjekësh parimet biblike, por kur dikush shtyhet nga dashuria e fortë për Perëndinë, bindja nuk do të jetë një barrë.

Nëpërmjet një fushate globale arsimimi, Perëndia Jehova po ndihmon sot miliona veta të çlirohen nga skllavëria e duhanit ose t’i qëndrojnë larg atij. (1 Timoteut 2:3, 4) Shumë shpejt, me anë të Mbretërisë së tij—një qeveri qiellore me mbret Birin e tij, Jezu Krishtin—Jehovai do ta zhdukë sistemin tregtar lakmitar që është përgjegjës për skllavërimin e miliona vetave ndaj duhanit. Ai do ta zhdukë një herë e mirë epideminë e duhanit dhe do t’i bëjë të përsosur njerëzit e bindur, si fizikisht, edhe mendërisht.—Isaia 33:24; Zbulesa 19:11, 15.

Nëse po lufton për ta lënë duhanin, merr zemër. Edhe ti mund të gjesh forcën e duhur për ta lënë, duke mësuar të duash Jehovain dhe duke përvetësuar pikëpamjen e tij për pirjen e duhanit. Dëshmitarët e Jehovait do të të japin personalisht mbështetje praktike që të mësosh dhe të zbatosh parimet e Biblës. Ji i sigurt se, nëse e do ndihmën e Jehovait për t’u çliruar nga vargonjtë e duhanit, ai do të të japë fuqinë dhe forcën e nevojshme për t’ia dalë mbanë.—Filipianëve 4:13.

^ par. 3 Pirja e duhanit këtu i referohet thithjes së tymit të duhanit direkt nga cigaret, purot, llullat ose llullat me ujë. Gjithsesi, parimet që shqyrtohen, zbatohen njëlloj edhe për duhanin që përtypet, për atë që thithet me hundë, për cigaret elektronike që përmbajnë nikotinë dhe për produkte të tjera.