Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund t’i rezistosh tundimit!

Mund t’i rezistosh tundimit!

«Nuk kisha ndër mend të shikoja pornografi, por, kur u futa në Internet, m’u shfaq papritur një reklamë. Nuk e di pse, por thjesht klikova dhe e hapa.»—KODI. *

«Një vajzë tërheqëse në punë nisi të flirtonte me mua. Një ditë më tha të shkonim në hotel dhe ‘të luanim pak’. E dija mirë se çfarë donte.»—DILANI.

«I REZISTOJ çdo gjëje përveç tundimit.» Kjo shprehje e famshme e përshkruan më së miri si e shohin disa tundimin—thellë-thellë ua ka qejfi. Megjithatë, të tjerë e shohin tundimin si një armik të vazhdueshëm që do të donin me gjithë zemër ta mposhtnin. Çfarë mendon ti? Kur has një tundim, a duhet t’i dorëzohesh apo t’i rezistosh?

Sigurisht, jo të gjitha tundimet sjellin telashe të mëdha. Për shembull, të hash vjedhurazi edhe një biskotë tjetër, kjo zor se do të ta shkatërrojë jetën. Por, kur u dorëzohesh joshjeve të tjera—veçanërisht ato që çojnë në imoralitet seksual—mund të kesh pasoja tragjike. Bibla paralajmëron: «Kushdo që kryen kurorëshkelje . . . ka një zemër pa gjykim të mirë; ai që e bën këtë, e çon shpirtin e vet në rrënim.»—Proverbat 6:32, 33.

Si duhet të reagosh nëse has një tundim imoral? Bibla përgjigjet: «Vullneti i Perëndisë është ky: të shenjtëroheni, të rrini larg nga kurvëria [imoraliteti seksual]; që secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder.» (1 Selanikasve 4:3, 4) Si mund ta zhvillosh këtë forcë vullneti? Shqyrto tre hapa që mund të të ndihmojnë.

Hapi 1: Ruaj sytë

Po t’i ushqejmë sytë me pamje provokuese, kjo veç do të na i shtojë dëshirat e papërshtatshme. Duke treguar lidhjen që ekziston mes shikimit dhe dëshirave, Jezui paralajmëroi: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» Me anë të një hiperbole të fuqishme, ai nxiti: «Nëse syri yt i djathtë po të bëhet pengesë, hiqe dhe flake tej.» (Mateu 5:28, 29) Cila është pika? Që t’i rezistojmë tundimit, duhet të veprojmë me vendosmëri dhe të mos i kënaqim sytë me pamje provokuese.

Kur sheh pamje erotike, largoji sytë

 Ta ilustrojmë: përfytyro sikur sheh për një çast dritën verbuese të saldimit. A do të vazhdoje t’ia ngulje sytë? Sigurisht që jo! Do ta hidhje shikimin tutje ose do t’i mbroje sytë. Në mënyrë të ngjashme, nëse sytë të shkojnë në pamje erotike—qoftë në formë të shtypur, në ekran ose drejtpërdrejt—largoji menjëherë sytë. Mos lejo të të infektohet mendja! Kuani, që më parë ishte i varur ndaj pornografisë, thotë: «Shpesh, kur shoh një grua tërheqëse, më vjen ta shoh për herë të dytë e të tretë. Prandaj i detyroj sytë të shohin diku tjetër dhe i them vetes: ‘Lutju Jehovait! Duhet të lutesh patjetër tani!’ Pasi lutem, ky impuls venitet shpejt.»—Mateu 6:9, 13; 1 Korintasve 10:13.

Shqyrto edhe rastin e Jobit besnik, i cili tha: «Kam bërë një besëlidhje me sytë e mi. E si mund t’i ndalja sytë [në mënyrë të papërshtatshme] te një virgjëreshë?» (Jobi 31:1) Pse të mos jesh edhe ti kaq i vendosur?

Provo këtë: Nëse të shkojnë sytë në pamje erotike, largoji menjëherë sytë. Imito shkrimtarin e Biblës, i cili u lut: «M’i largo sytë nga gjërat e kota.»—Psalmi 119:37.

Hapi 2: Ruaj mendimet

Të gjithë jemi të papërsosur, prandaj hera-herës na duhet të luftojmë me dëshira të gabuara. Bibla thotë: «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin.» (Jakovi 1:14, 15) Çfarë mund të bësh që të mos të përpijë kjo vorbull?

Kur ke mendime të gabuara, ndalu dhe lutu

Kur të lindin dëshira të gabuara, mos harro se mund të zgjedhësh si të reagosh ndaj tyre. Luftoji këto dëshira! Çrrënjosi nga mendja! Mos bluaj në mendje fantazi imorale! Një burrë me emrin Troi, i cili ishte i varur ndaj pornografisë në Internet, thotë: «Luftova që ta pastroja mendjen nga mendimet imorale duke u përqendruar në mendime pozitive. Nuk ishte e lehtë. Shumë herë iu dorëzova sërish tundimit. Por, me kalimin e kohës mësova t’u vija fre mendimeve.» Një grua me emrin Elsa, e cila luftoi me tundimet imorale kur ishte  adoleshente, kujton: «Ngaqë isha e angazhuar dhe i lutesha Jehovait, arrita t’i mbaja nën kontroll mendimet e gabuara.»

Provo këtë: Kur të mbytin mendimet imorale, ndalo menjëherë dhe lutu. Luftoji mendimet e gabuara duke e mbushur mendjen me «çdo gjë të vërtetë, çdo gjë që vlerësohet si serioze, çdo gjë të drejtë, çdo gjë të dëlirë, çdo gjë të dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çfarëdo virtyti dhe çfarëdo gjëje të denjë për t’u lëvduar».—Filipianëve 4:8.

Hapi 3: Ruaj hapat

Kur dëshira, tundimi dhe mundësia bëhen bashkë, telashet i ke pas dere. (Proverbat 7:6-23) Si të mos biesh viktimë?

«Futem në Internet vetëm kur ka të tjerë vërdallë»

Bibla jep këtë këshillë të mençur: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.» (Proverbat 22:3) Prandaj, ruaji hapat! Përpiqu t’i parashikosh situatat që mund të sjellin probleme dhe shmangi. (Proverbat 7:25) Një burrë me emrin Filip, i cili e mposhti varësinë ndaj pornografisë, thotë: «E vë kompjuterin e familjes në një vend ku çdokush mund ta shohë dhe kam instaluar një program filtrues për Internetin. Gjithashtu, futem në Internet vetëm kur ka të tjerë vërdallë.» Po ashtu, Troi, të cilin e përmendëm më sipër, thotë: «Nuk shoh filma me skena provokuese dhe as rri me njerëz që flasin për seksin në mënyrë vulgare. Nuk dua ta fus veten në një udhë që sjell pasoja.»

Provo këtë: Analizoji me sinqeritet dobësitë e tua dhe planifiko që më përpara si t’i shmangësh situatat që mund të të çojnë në tundim.—Mateu 6:13.

MOS U DORËZO!

Po sikur, pavarësisht nga përpjekjet e mëdha, ta humbasësh vendosmërinë dhe t’i dorëzohesh tundimit? Të mos të lëshojë zemra dhe përpiqu sërish. Bibla thotë: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur.» (Proverbat 24:16) Po, Ati ynë qiellor na nxit ‘të ngrihemi’. A do ta pranosh ndihmën e tij të dashur? Atëherë, kurrë mos u lodh duke iu lutur. Forcoje besimin duke studiuar Fjalën e tij. Bëhu më i vendosur duke ndjekur mbledhjet e krishtere. Merr zemër nga premtimi i Perëndisë: «Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj.»—Isaia 41:10.

Kodi, që e përmendëm në fillim, thotë: «Më duheshin goxha përpjekje për ta mposhtur zakonin e pornografisë. Iu dorëzova edhe shumë herë të tjera, por me ndihmën e Perëndisë, arrita ta mposhtja.» Edhe Dilani, që e përmendëm më sipër, thotë: «Fare kollaj mund të kisha bërë seks me kolegen. Por u tregova i vendosur dhe i thashë: ‘Jo!’ Sa mirë ndihesh kur ke ndërgjegje të pastër! Ç’është më e rëndësishmja, e di se e kam bërë krenar Jehovain.»

Kur qëndron i vendosur dhe i reziston tundimit, mund të jesh i sigurt se edhe Perëndia do të jetë krenar për ty.—Proverbat 27:11.

^ par. 2 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.