Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE | PËR ÇFARË FLET BIBLA?

Perëndia merr masa të çlirojë njerëzimin

Perëndia merr masa të çlirojë njerëzimin

Perëndia i premtoi Abrahamit besnik se ‘fara’ e parathënë do të ishte një nga pasardhësit e Abrahamit. Me anë të kësaj fare do të merrnin bekime njerëz nga «të gjitha kombet». (Zanafilla 22:18) Më vonë, nipi i Abrahamit, Jakobi, shkoi të banonte në Egjipt, ku familja e tij u shtua dhe u bë kombi i lashtë i Izraelit.

Më pas, një faraon tiranik i skllavëroi izraelitët derisa Perëndia zgjodhi profetin Moisi. Ky e udhëhoqi kombin kur Perëndia i nxori nga Egjipti duke i ndarë ujërat e Detit të Kuq me anë të një mrekullie. Pas kësaj, Perëndia i dha Izraelit ligje, ku përfshiheshin Dhjetë Urdhërimet, që t’i udhëhiqte dhe t’i mbronte. Ato ligje përcaktonin blatimet që nevojiteshin për faljen e mëkateve. Nën frymëzim, Moisiu i tregoi Izraelit se Perëndia do t’u dërgonte një profet tjetër. Ai profet do të ishte ‘fara’ e premtuar.

Më tepër se 400 vjet më vonë, Perëndia i premtoi mbretit David se ai që do të vinte, ‘fara’ e parathënë në Eden, do të ishte sundimtar i një mbretërie që do të zgjaste përgjithmonë. Ai do të ishte Mesia, Çlirimtari i caktuar nga Perëndia që të shpëtonte njerëzimin dhe të rivendoste Parajsën në tokë.

Përmes Davidit dhe profetëve të tjerë, Perëndia zbuloi gradualisht hollësi të tjera për Mesinë. Ata parathanë se Mesia do të ishte i përulur e mirëdashës dhe se nën mbretërimin e tij s’do të kishte më uri, padrejtësi dhe luftëra. Të gjithë njerëzit do të ishin në paqe me njëri-tjetrin, madje edhe me kafshët. Sëmundjet, vuajtjet dhe vdekja—që s’ishin kurrë pjesë e qëllimit fillestar të Perëndisë—s’do të ekzistonin më dhe njerëzit që kishin vdekur, do të ringjalleshin në tokë.

Perëndia paratha nëpërmjet profetit Mikea se Mesia do të lindte në Betlehem, dhe nëpërmjet profetit Daniel tha se atë do ta vritnin më vonë. Por Perëndia do ta ngrinte Mesinë nga të vdekurit dhe do ta caktonte Mbret në qiell. Gjithashtu, Danieli paratha se në fund Mbretëria mesianike do të zëvendësonte një herë e mirë të gjitha mbretëritë e tjera. A erdhi vërtet Mesia siç u profetizua?

Bazuar te Zanafilla, kapitujt 22-50, si edhe te Dalja, Ligji i përtërirë, 2 Samuelit, Psalmet, Isaia, Danieli, Mikea, Zakaria 9:9.