Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ndikojnë ngjyrat te ti?

Si ndikojnë ngjyrat te ti?

Teksa sheh përreth, syri dhe truri bashkëpunojnë për të mbledhur informacione. Sytë të shkojnë te një frutë aty afër dhe vendos nëse dëshiron ta hash apo jo. Vështron qiellin dhe arrin në përfundimin se sot nuk do të bjerë shi. Shikon fjalët që po lexon tani dhe kap kuptimin e tyre. Në fakt, ky është ndikimi i ngjyrave. Vërtet?

Ngjyra e frutës që pe, të ndihmon për të kuptuar sa e pjekur dhe sa e dëshirueshme është. Ngjyra e qiellit dhe e reve të ndihmon të parashikosh motin. Ndërsa lexon fjalët në këtë artikull, sytë përshtaten më së miri me kontrastin e ngjyrave mes tekstit dhe sfondit. Po, ndoshta pa e vënë re, ti vazhdimisht përdor ngjyrat si ndihmë për të përpunuar informacionet përreth botës ku jeton. Ngjyrat ndikojnë edhe tek ndjenjat e tua.

SI NDIKOJNË NGJYRAT TE NDJENJAT?

Teksa endesh nëpër dyqan, sheh përreth një shumëllojshmëri paketimesh që janë bërë apostafat për të të tërhequr vëmendjen. E kupton ose jo, reklamuesit i zgjedhin me kujdes ngjyrat dhe kombinimet e tyre për t’u bërë thirrje dëshirave specifike, gjinisë dhe grup-moshës sate. Edhe dekoruesit e shtëpive, stilistët e veshjeve dhe artistët e dinë se ngjyrat mund të ndikojnë te ndjenjat.

Njerëzit mund t’i interpretojnë ngjyrat në mënyra të ndryshme për shkak të kulturës dhe zakoneve vendëse. Për shembull, disa në Azi e lidhin ngjyrën e kuqe me mbarësinë ose me festat, kurse në disa pjesë të Afrikës, e kuqja është ngjyra e zisë. Por, pavarësisht nga mënyra si janë rritur, njerëzit kanë të njëjtin reagim emocional ndaj disa ngjyrave të caktuara. Le të shqyrtojmë tri ngjyra dhe si ndikojnë te ne.

E KUQJA bie në sy shumë kollaj. Shpesh, lidhet me gjallërinë, luftërat dhe rrezikun. Është një ngjyrë që ndez ndjenjat dhe mund të përshpejtojë metabolizmin e njeriut, rrit shpeshtësinë e frymëmarrjes dhe ngre tensionin e gjakut.

Në Bibël, fjala hebraike «e kuqe» vjen nga një fjalë që do të thotë «gjak». Bibla përdor të kuqen e ndezur për të përshkruar një pamje të paharrueshme të një prostitute vrastare të veshur me të purpurt dhe të kuqe të ndezur, e cila rri ulur mbi «një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur . . . plot me emra blasfemues».—Zbulesa 17:1-6.

JESHILJA nxit një reaksion krejt të kundërt nga e kuqja, pasi ajo ngadalëson metabolizmin dhe krijon një efekt qetësues. Ngjyra jeshile është një ngjyrë çlodhëse dhe shpesh lidhet me qetësinë. Ndihemi të çlodhur kur shohim kopshte dhe kodra të gjelbërta. Tregimi i krijimit te Zanafilla thotë se Perëndia u siguroi njerëzve barin dhe bimësinë e gjelbër.—Zanafilla 1:11, 12, 29, 30.

E BARDHA lidhet shpesh me dritën, sigurinë dhe pastërtinë. Gjithashtu, lidhet me cilësinë e mirësisë, të pafajësisë dhe të dëlirësisë. E bardha është ngjyra që përmendet më shpesh në Bibël. Në vegime, njerëzit dhe engjëjt shfaqen të veshur me të bardha, duke theksuar kështu drejtësinë dhe pastërtinë  frymore. (Gjoni 20:12; Zbulesa 3:4; 7:9, 13, 14) Kuajt e bardhë dhe kalorësit e veshur me li të bardhë e të pastër, simbolizojnë luftën e drejtë. (Zbulesa 19:14) Perëndia e përdor ngjyrën e bardhë për të theksuar se ai është i gatshëm t’i falë mëkatet. Ai thotë: «Edhe sikur mëkatet tuaja të jenë të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora.»—Isaia 1:18.

NGJYRAT NDIHMOJNË KUJTESËN

Përdorimi i ngjyrave në Bibël tregon sa mirë e kupton Perëndia reagimin emocional të njerëzve ndaj ngjyrave. Për shembull, libri biblik i Zbulesës parathotë atë që po përjeton sot njerëzimi, si luftërat, zinë e bukës dhe vdekjet jonatyrore nga mungesa e ushqimit dhe nga epidemitë. Për t’i fiksuar në mendje, na ndihmon një vegim i mahnitshëm me kalorës mbi kuaj, që nuk janë kuaj të zakonshëm, por kanë ngjyra që simbolizojnë diçka.

I pari është një kalë i bardhë si bora, i cili simbolizon luftën e drejtë të Krishtit Jezu. Më pas, shohim një kalë me ngjyrë të kuqe zjarr, i cili përfaqëson luftën mes kombeve. Pas tij, vjen një kalë i zi i kobshëm, i cili përfaqëson zinë e bukës. Pastaj shohim «një kalë të zbehtë, dhe ai që rrinte mbi të, e kishte emrin Vdekje». (Zbulesa 6:1-8) Ngjyra e secilit kalë mund të shkaktojë një reagim emocional brenda nesh që përkon me simbolikën e kalit. Mund t’i kujtojmë me lehtësi këta kuaj me ngjyra dhe mësimet që nxjerrim sot prej tyre.

Në Bibël ka shumë shembuj ku ngjyrat përdoren për të përshkruar pamje të gjalla. Po, Krijuesi i dritës, i ngjyrave dhe i syrit njerëzor e përdor me mjeshtëri ngjyrën si një mjet mësimi për të përshkruar pamje që lexuesit i kuptojnë dhe i mbajnë mend kollaj. Ngjyrat na ndihmojnë të mbledhim dhe të përpunojmë informacione. Ato ndikojnë te ndjenjat tona dhe na ndihmojnë të kujtojmë koncepte të rëndësishme. Ngjyrat janë një dhuratë e dashur nga Krijuesi ynë që ta shijojmë jetën.